E Diel, 1 Nëntor 2026

Panairi i Shendetesise ne Koplik

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu ka marrë pjesë në Panairin e Shëndetësisë në Koplik të rrethit Malësi e Madhe. Ky panair u organizua nga Korpusi i Paqes, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetit Publik të Malësisë së Madhe, Bashkisë Koplik dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Në këtë takim merrte pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili në fjalën e tij u ndal tek rëndësia që ka edukimi shëndetësor dhe vëmendja që qeveria shqiptare ka për shëndetësinë në çdo zonë.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë u shpreh se “ne të gjithë së bashku po punojmë që të kemi një edukim sa më të mirë shëndetësor në të gjithë vendin”.
Ai u ndal edhe tek puna që Ministria e Shëndetësisë ka bërë në përmirësimin e sistemit shëndetësor në vend, duke thënë se janë evidente përpjekjet pozitive në shërbim të rritjes së cilësisë së spitaleve dhe poliklinikave.
Pas panairit ambasadori amerikan dhe ministri Vasili zhvilluan një takim në Bashkinë e Koplikut ku u priten nga kryebashkiaku, Ramadan Lika, i cili i falenderoi ato për vizitën në Koplik. Më pas ambasadori Amerikan zhvilloi edhe një vizitë në organizatën "World Vision" në Shkodër. Gjatë panairit ambasadori Arvizu iu dorëzua Certifikata e Mirënjohjes nga Drejtoria e Shëndetit Publik, ndërsa Ministrit Vasili nga Bashkia Koplik.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›