E Diel, 1 Nëntor 2026

Panairi i verës, Basha: Mbështetje prodhuesve

TIRANË- E- Sommelierët, njohësit e thellë të artit të kulinarisë dhe të verës, nderuan me çmime cilësie kantinat shqiptare të prodhimit të verës në "Panairin e Verës dhe Guzhinës Shqiptare", çelur sot në “Qytezën e Festave të Fundvitit”, në rrugën pedonale “Murat Toptani”.

Në këtë event promovues për zhvillimin e prodhimit të verës në Shqipëri dhe eksportin e saj, konkurruan 12 kompani shqiptare prodhuese të verës. Panairi, i pari i këtij lloji në Tiranë, u organizua nga Ministria e Bujqësisë, me mbështetjen e Bashkisë Tiranës, duke e kthyer kryeqytetin në qëndrën e degustimit të verës, produkt me traditë të hershme në vendin tonë.
“Vreshta Tirana nuk ka, por Tirana është padyshim tregu më i madh i verës dhe qyteti me shijuesit më të mirë të saj. Jam i kënaqur që na jepet mundësia të mbështesim prodhuesit shqiptarë të verës, të cilët kanë nisur jo pa vështirësi prej dhjetra vitesh prodhimin e verës në parametrat e cilësisë së pranueshme jo vetëm për konsumin e brendshëm, por edhe për eksport”, u shpreh Kryebashkiaku Lulzim Basha, në çeljen e panairit.
Ai theksoi nevojën për të mbështetur prodhimtarinë shqiptare të verës , prodhuesit e saj, të cilët janë punësues, punëdhënës, kreditorë.
“Ky është një aktivitet që ngërthen të gjithë zinxhirin ekonomik, një mundësi shumë e mirë për të zhvilluar potencialet e pazhvilluara të vendit tonë, për ta marketuar vendin tonë si një vend i hershëm i prodhimit të verës, vend me potenciale të mëdha turistike”, tha Basha, i cili i akordoi çmimin e parë të cilësisë kantinës “Çobo”.
Kjo kantinë që gjendet në kodrat që rrethojnë qytetin e Beratit, përballë malit të Tomorrit, u nderua për kategorinë e verës së bardhe dhe asaj të kuqe. “Çobo” ka tërhequr tashmë vëmendjen e gjërë brenda dhe jashtë vendit, duke u prezantuar në një sërë panairesh si dhe në Atlasin botëror të verërave.
Arti i përpunimit të verës në vendin tonë njihet qysh në lashtësi dhe ka lulëzuar në brigjet jugperëndimore të Ballkanit që 3 mijë vjet më parë. Ilirët kanë patur një traditë të lashtë në kultivimin e hardhisë dhe në prodhimin e verës, dëshmi e të cilave janë zbulimet arkeologjike në Lin (Pogradec), Tepe (Elbasan) dhe Zgerdhesh (Krujë).
Pushtimi turk është arsyeja kryesore e largimit të Shqipërisë nga tradita e prodhmit të verës e në vite madje dhe kultivimit të vreshtave. Rënia e pushtimit otomak bëri që kjo traditë të ringjallej disi, por vetëm në formë artizanale e deri diku primitive, e aftë të plotësonte vetëm nevojat familjare.
Prodhimi industrial i verës zhvillohet në Shqiperi pas Luftës se Dyte Boterore e arrin kulmin e tij në vitet 1972, kur Shqipëria numeronte 23 kantina e 47 punishte.

Shqipëria e pas viteve ’90-të shënoi njëherazi çeljen e një numri të konsiderueshëm hotelesh, restorantesh, bile edhe çeljen e restoranteve të munguara me kuzhinë tipike të vendeve perëndimore, si restorante me kuzhinë italiane, greke, franceze, turke etj. Jo pak herë edhe në këto restorante vihej re nje gërshetim i trashëgimisë së kulinarisë tradicionale shqiptare.

Shqipëria si një vend me traditë në prodhimin e verërave u përmbush gjatë tranzicionit me prodhime verërash dhe shijesh nga të gjitha vendet e botës.
Pavarësisht të gjithave mungonte nyja lidhëse mes klientit dhe shijes që di ta servirë me art, sommeleria e panjohur për shqiptarët. Në fund të fundit figura e sommelierit në vetvete përfshin cilësitë e një ambasadori të kulturës eno-gastronomike, këshillimin që ai i bën klientëve në kombinimin e ushqimeve, sikundër edhe të pijeve.
(m.a/ata/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Basha tek panairi i verës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›