E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panajot Pano, gjeniu i futbollit

(ALBANIA SPORT) - Panajot Pano, i cili ndërroi sot jetë në moshën 71 vjeçare, është lindur në Durrës, më 7 mars të vitit 1939, por prindërit e tij janë me origjinë nga Delvina. Ai vlerësohet si njëri nga futbollistët më të mëdhenj të Shqipërisë.
Djaloshi Pano e nisi karrierën e tij si portier, por cilësitë e tij të rralla e shndërruan atë si sulmuesin më të madh me  fanellën e Tiranës e Partizanit, përpos ndonjë ndeshje ndërkombëtare si i huazuar me Dinamon.
Dikush në Shqipëri e quan një “Pele shqiptar”, një tjetër një “Pushkash i vogël”. Një i tretë e konsideron magjistar përpara portës si një “Gerd Myler në versionin shqiptar”.
Një i katërt e konsideron futbollistin si një “viktimë të komunizmit”, që  i mbylli rrugën drejt Beshiktashit të Stambollit.
Por, Pano, gjithmonë e quante veten thjesht: një futbollist. Ndërsa ekspertët: një gjeni.
Shifrat flasin: afërsisht 700 ndeshje, 100 prej tyre ndërkombëtare (miqësore e zyrtare); 400 gola në Shqipëri dhe rreth 50 gola ën ndeshjet ndërkombëtare.
I pari që dalloi cilësitë e jashtëzakonshme të nxënësit 13-vjeçar të shkollës “10 Korriku” dhe e inkuadroi në një ekip sportiv ishte ish-trajneri i ekipit Kombëtar të Shqipërisë, Adem Karapici.
Iljaz Dingu dhe Fadil Bakalli i japin mësimet e para për futbollin, ndërkohë që ishte merita e Xhavit Demnerit, i cili e gjeti djaloshit virtuoz pozicionin e sulmuesit te të rinjtë e “17 Nëntorit”, ku fitoi titullin kampion në vitin 1957 dhe u shpall golashënuesi më i mirë me të rinjtë. 
Një tjetër trajner, Myslim Alla, e thirri Panon shtatshkurtër (168 cm) në ekipin e parë (atëherë 17 vjeç), ku luanin atëherë emra të mëdhenj si Fatmir Frashëri e Skënder Halili, Naim Balla, Fred Rruxho, Stefan Pavli.
Ylli i Panos shkëlqeu shumë shpejt dhe “Partizani”, ndaj të cilit shënoi dy golat për Tiranën në humbjen 4-2, duke shfrytëzuar edhe thirrjen për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak e rekrutoi në radhët e skuadrës së drejtuar nga trajneri Rexhep Spahiu, i cili i gjeti përfundimisht vendin e duhur golashënuesit të ri, si sulmues i djathtë, me të cilin fitoi edhe titullin e parë në kampionatin e vitit 1961.
Legjenda e futbollit shqiptar, Loro Boriçi, ishte edhe trajneri që morri maksimumin nga xhevahiri tij i vogël. Partizani drejtohet nga Ilia Shuke, e më pas nga Refik Resmja, të cilët besuan shumë të cilësitë e jashtëzakonshme të Panajotit.
Pano, i vlerësuar edhe me titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, ishte një nga lojtarët kryesorë të kohës futbollistike të tij.
Burimi: Albania-sport.comE Marte, 19 Janar 2010

 
Shto dhe ti komentin tend

Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›