E Shtunë, 31 Tetor 2026

Swansea i kthehet Kuqit

Swansea City i është rikthyer interesimit për sulmuesin kosovar, Shefki Kuqi. Sipas uebfaqes britanike Thisissouthwales.co.uk, “fluturuesi” mund të nënshkruajë me klubin nga Championship (liga e dytë angleze), para përfundimit të afatit kalimtar të janarit (31 janar), pasi ka konfirmuar se nuk do të qëndrojë më tek Tus Koblenz.

Presidenti i Swanseas, Huw Jenkins, kishte deklaruar gjatë këtij muaji se klubi i tij nuk do të mund ta blinte Kuqin, për shkak se menaxheri i tij kërkonte shumë para. Por, e përditshmja angleze, Evening Post, kupton se përfaqësuesit e 33-vjeçarit ishin prezent tek klubi anglez gjatë kësaj jave, për të biseduar sërish me presidentin Jenkins.

Trajneri i Swanseas, Paulo Sousa, e ka identifikuar Kuqin si njërin prej futbollistëve më të duhur të ekipit për janar, duke i lavdëruar veçoritë e futbollistit.

Dhe, tash duket se marrëveshja mund të arrihet dhe përfaqësuesi finlandez të rikthehet në futbollin anglez, ku e kaloi pjesën më të madhe të karrierës. Swansea beson se Koblenz nuk do t’i nxjerrë problem për Kuqin, i cili nuk është i kënaqur tek klubi gjerman, që rrezikon rënien nga Bundesliga 2 gjermane.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›