E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Vëllaznimin, vendos asambleja

Vëllaznimi i Gjakovës ka gjasa të mëdha që të privatizohet qysh në muajin shkurt, dhe në këtë mënyrë të dalë nga kriza financiare, e cila po e mundon këtë klub tash e një kohë bukur të gjatë.

Është një biznesmen kosovar, i cili tash e 17 vjet jeton dhe vepron në Londër, që ka shprehur gatishmërinë për ta privatizuar klubin kuq e zi.

Lajmin e ka konfirmuar për Express, menaxheri i Vëllaznimit, Ismet Munishi, i cili edhe ka ndërmjetësuar bisedimet ndërmjet Kuvendit Komunal të Gjakovës dhe biznesmenit. Emrin e pronarit të ri të mundshëm, Munishi nuk dëshiron ta bëjë publik, para se të nënshkruhet në letër marrëveshja për privatizimin e klubit, ashtu siç nuk ka dashur ta tregojë biznesin me të cilin merret ai.

Por Munishi tha se kjo është tashmë punë e kryer dhe se në fillim të muajit të ardhshëm, biznesmeni do të vijë ë Gjakovë për ta nënshkruar në letër privatizimin e klubit.

“Unë të enjten në mbrëmje jam takuar me atë biznesmen në Turqi dhe mund të konfirmoj se puna është kryer. Vëllaznimi në fillim të muajit shkurt do të privatizohet. Biznesmeni në fjalë, në fillim të muajit shkurt do të vijë në Gjakovë dhe vetëm do të nënshkruhet në letër marrëveshja për privatizimin e klubit”, deklaroi Munishi për Express.

Ai është i bindur se privatizimi i këtij klubi do të ndodhë, duke u bazuar në bisedat e tij të mëparshme që i ka pasur me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Pal Lekajn, rreth kësaj çështjeje.

“Unë para se ta arrija marrëveshjen me biznesmenin, pata arritur një marrëveshje paraprake me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj. Ai dëshiron, sikurse e gjithë Gjakova, që klubi të dalë në dritë, dhe një gjë e tillë do të bëhet nga muaji shkurt, kur do të zyrtarizohet privatizimi i klubit”, theksoi Munishi.

Në anën tjetër, as kryetari i Kuvendit Komunal të Gjakovës, Pal Lekaj, nuk e ka përjashtuar mundësinë e privatizimit të klubit të këtij qyteti, që ka shumë simpatizues gjakovarë.

“Unë e kam pasur një takim me Ismet Munishin dhe e kemi lënë ta mbajmë edhe një takim tjetër në fillim të muajit shkurt, ku prezent do të jetë edhe biznesmeni. Ne do ta marrim ofertën e biznesmenit, por edhe ne do t’ia dorëzojmë atij ofertën tonë, rreth mundësisë së dhënies së klubit në koncesion apo të privatizohet”, deklaroi Lekaj, për Express të shtunën.

“Diçka konkrete ende nuk ka, por gjithçka mund të konkretizohet në muajin shkurt, nëse arrihet marrëveshja. Në fund, Asambleja Komunale e Gjakovës do të vendosë”, theksoi Lekaj.

Nëse Asambleja Komunale e Gjakovës vendos që ta lejojë privatizimin e klubit, atëherë Vëllaznimi do të bëhet një skuadër shumë e organizuar. Kështu tha Ismet Munishi, të cilit me gjasë do t’i besohet posti i kryetarit të klubit, nëse ai privatizohet, sepse, sipas tij, pronari nuk do të ketë kohë të merret me klub shkaku i angazhimeve tjera, por vetëm do ta financojë atë.

“Prej muajit shkurt e andej, Vëllaznimi do të bëhet klub shumë i organizuar. Njëjtë sikurse Trepça. Me gjasë unë do të bëhem kryetar i klubit, kurse të gjithë anëtarët aktualë të kryesisë, do të mbesin prapë në klub. Në klub do të ofrohen edhe njerëz të tjerë. Do ta organizojmë shkollën e futbollit dhe do të zgjidhet drejtori i saj. Do të zgjidhet drejtori sportiv, drejtori i objektit, menaxherët, dhe gjithçka do të funksionojë në klub. Menjëherë do të bëjmë edhe përforcime”, tha Munishi, i cili njëherë përnjëherë nuk deshi t’i tregojë synimet tjera rreth së ardhmes së Vëllaznimit.

Janë bërë rreth një vit që Vëllaznimi ka mbetur nën mëshirën e Komunës së Gjakovës, dhe vazhdimisht është përballur me vështirësi financiare, pas tërheqjes së ish-kryetarit, Skënder Bajrami, i cili nuk mundte të arrinte marrëveshje me zyrtarët komunalë të Gjakovës.

Si pasoj e kësaj, Vëllaznimin e ka kapluar edhe kriza e rezultateve gjatë stinorit vjeshtor dhe zë vendin e parafundit në tabelë me 14 pikë të mbledhura. Andaj, kjo skuadër cilësohet si njëra ndër më të rrezikuarat për të rënë nga elita e futbollit kosovar në fund të kampionatit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›