E Diel, 1 Nëntor 2026

Panajot Pano, mijëra njerëz i japin lamtumirën Mbretit

Shqipëria mban zi për humbjen e legjendës së futbollit
Ora 12.33 minuta. Aeroplani që transportonte trupin e pajetë të Panajot Panos zbret në aeroportin “Nënë Tereza”. Diçka më shumë se gjysmë orë vonesë nga mbërritja e parashikuar. Shkak janë bërë kushtet e vështira atmosferike në Stamboll, nga ku arkivoli i nisur nga Florida, SHBA, ka kaluar transit. Megjithatë, pritja ka kaluar pa u vënë re. Kjo edhe për faktin se familjarët, miqtë, ish-kolegët, por edhe tifozët e thjeshtë ishin paraqitur prej orëve të para të mëngjesit në Rinas. Ministri i Sporteve, Ferdinand Xhaferri, dhe kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ishin në krye të delegacionit që priti ardhjen e “Lojtarit të Artë”, i cili u nda nga jeta në moshën 71-vjeçare për shkak të një infarkti. Ceremonia, e denjë për një personalitet të madh të vendit, ka filluar menjëherë. Në pak metrat që ndanin avionin nga makina mortore, arkivoli i mbuluar nga flamuri i FK Partizani dhe një fanellë me numrin 10, u mbajt mbi shpatulla nga ushtarët e Gardës së Republikës, ndërsa shoqërohej edhe nga banda frymore e ushtrisë. Më tej gjithçka është spostuar në Pallatin e Kongreseve, ku mijëra njerëz ishin paraqitur për t’i bërë homazhe “Mbretit” të futbollit shqiptar.Të pranishëm për të nderuar Panajot Panon ishin personalitete të larta të vendit, duke filluar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, anëtarë të kabinetit qeveritar, si edhe lideri i opozitës, Edi Rama. Nuk kishin si të mungonin figurat më të larta të komunitetit sportiv, por edhe njerëzit e thjeshtë, të cilët Pano i ka emocionuar me lojën e tij brilante dhe me driblimet dehëse në periudhën kur luante për Partizanin apo Kombëtaren. Në tingujt e muzikës funebre, të gjithë janë përkulur përpara arkivolit të gjeniut, duke shfaqur respektin dhe vlerësimin për veprën që ai la pas. Pas homazheve, trupi i pajetë i lojtarit më të mirë të të gjithave kohërave është shoqëruar në banesën e fundit, në varrezat e Sharrës, në periferi të kryeqytetit. Për nder të Panos, Këshilli i Ministrave e kishte shpallur të enjten ditë zie kombëtare, ndërsa në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, flamuri ishte ulur në gjysmë shtizë. Radio Televizioni Publik Shqiptar ka transmetuar gjatë gjithë kohës muzikë funebër, ndërsa nuk kanë munguar propozimet që stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” të mbajë emrin e Panajot Panos.Pano lindi në Durrës më 7 mars të vitit 1939, ndërsa karrierën si futbollist e nisi me moshat e Tiranës, ku fillimisht është aktivizuar si portier. Aftësitë e tij në rolin e sulmuesit kanë rënë shpejt në sy, ndërsa me transferimin te Partizani, ai u ngjit në piedestalin e sportit më popullor vend. Pano militoi me të kuqtë për 15 vjet me radhë (1960 deri më 1975), duke fituar 4 tituj kampionë dhe 5 Kupa, ndërsa ka luajtur edhe 24 ndeshje me përfaqësuesen kuqezi. Në mbi 700 ndeshje në karrierë, ai ka realizuar më tepër se 400 gola në kampionat dhe mbi 50 në ndeshjet ndërkombëtare. Pano është vlerësuar me shumë tituj e medalje, ndërsa në vitin 2009, me rastin e 70-vjetorit të lindjes ai mori titullin “Nderi i Kombit”, duke u bërë futbollisti i parë në Shqipëri, i cili merr një titull të tillë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›