E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi, Berisha e Rama njëzëri: Faleminderit gjeniut Pano!

E gjithë Shqipëria dje ka mbajtur zi për legjendën e futbollit shqiptar, Panajot Pano. Personalitet të larta të politikës, përfaqësues të fushës së sportit, miq e të afërm të tij, si dhe dashamirës të futbollit, që për vite me radhë kanë pasur idhull, kanë bërë homazhe në nder të tij, në hollin e Pallatit të Kongreseve, duke i dhënë kështu lamtumirën e fundit mbretit të futbollit shqiptar, numrit 10 të të gjitha kohërave, “Peles” apo “Maradonës” së Shqipërisë. Presidenti Bamir Topi u përul me respekt përpara trupit të pajetë të sportistit, që me talentin dhe aftësitë e tij, u dhuroi sportdashësve shqiptarë dhe atyre të huaj magjinë e lojës tërheqëse të futbollit duke dhënë një kontribut të paçmuar dhe duke frymëzuar brezat e mëvonshëm të lojtarëve të rinj. “Sigurisht që kam shumë dhimbje për ndarjen nga jeta të një talenti të rrallë. Por në të njëjtën kohë të një njeriu ekstremisht modest dhe përtej dhimbjes njerëzore që ndien çdokush, isha me fat që në këtë jetë pata mundësinë të shikoj talentin e rrallë të sportit shqiptar në fushën e blertë. Për më shumë isha me fat që njoha nga afër një njeri me një dimension të rrallë njerëzor, isha me fat realisht që e kisha Panajotin një mik personal”, u shpreh Topi. Kryeministri Sali Berisha tha se këto janë momente prekëse, pasi kombi po i jep lamtumirën një futbollisti, që për dekada mbushi me entuziazëm, krenari e dashuri zemrat e të gjithë shqiptarëve “Vërtet sot ai ndahet nga jeta, po le një trashëgimi te jashtëzakonshme, një emër të nderuar për sot dhe të gjitha kohërat”, theksoi shefi i ekzekutivit. Pak fjalë ka thënë edhe shefi i opozitës, Edi Rama, sipas të cilit, “Kur largohet një kampion i fëmijërisë si Panajot Pano, atëherë njeriu kupton se jeta ka më pak ëndrra, vetë prania e gjithë këtyre njerëzve të cilët Panajot Pano i ka bërë të ëndërrojnë gjatë kohës kur luante në fushën e blertë, si pakkush, apo si askush tjetër, është tregues i gjurmës që ai ka lënë pas", tha kreu socialist, Edi Rama.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›