Panariti: Konsensus për 3 ligjet, të mos rrezikojmë statusin
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti u shpreh sot se "statusi i kandidatit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian kalon përmes miratimit të dy ligjeve të cilësuar dhe rregullores së Kuvendit në parlamentin shqiptar". Ndërsa ka qenë i pranishëm në një seancë dëgjimore në Komisionin e integrimit, ministri i Jashtëm Edmond Panariti, deklaroi se BE i kërkon Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë të gjejë gjuhën e konsensusit politik për këto çështje, ndërsa tha se në raportin e KE evidentohet progresi i shënuar në 12 prioritetet. “KE kërkon miratimin e tre ligjeve që Shqipëria të marrë statusin e plotë të Bashkimit Evropian. Çelja e negociatave fillon me përmbushjen e prioriteteve kyçe të Bashkimit Evropian. Prioritete kyçe për integrimin janë edhe zgjedhjet e ardhshme, pavarësia e institucioneve, kryesisht të drejtësisë edhe vazhdimi i luftës kundër korrupsionit. Institucionet e BE kërkojnë angazhim konkret të klasës sonë politike dhe tre ligjet hapin dritën jeshile për marrjen e statusit të BE nga Shqipëria. Vendimi i BE varet nga plotësimi i tre detyrave që na ka vendosur Komisioni Evropian. Mbetet prioritet vullneti i politikanëve tanë për ligjet me 3/5. Votimi i tre ligjeve ka peshë të madhe,duket të arrihet konsensus politik dhe nëse nuk ka konsensus, minimizohen edhe shanset për të marrë statusin e BE. Statusi mund të mos merret nga mungesa e vullnetit politik, jo për sa i përket progresit. Nuk mund të lidhet Fieri me procesin e përmbushjes së detyrimeve të KE”- tha Panariti.
Për këtë çështje kanë debatuar palët në Komisionin e Integrimit, ku opozita kërkoi që të jepen detaje për qëndrimet e vendeve të BE-së, ndërsa sipas Taulant Ballës, Hollanda është deklaruar kundër këtij hapi për Shqipërinë, sipas tij kusht mbetet zbatueshmëria e ligjeve në Shqipëri.
Kjo është hedhur poshtë nga mazhoranca në Komision, që ka ftuar edhe një herë opozitën të votojë brenda 10 dhjetorit tre ligjet e kërkuara.
Për sa i përket qëndrimit të Holandës, Ministri i Jashtëm njoftoi se këtë të martë do të zhvillojë një takim me homologun holandez, ku pritet të zbardhet qëndrimi paraprak zyrtar i 10 dhjetorit.
“Nuk mund të ndajmë vendet e BE në tre grupime për statusin e Shqipërisë. Qëndrimi final i Holandës do të jepet më 11 dhjetor. Holanda mbështet zgjerimin e BE, por kërkon të vazhdohet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”- iu drejtua ministri deputetëve socialistë.
Ndërkohë, ministri Panariti ka folur edhe për deklaratat e kryeministrit Berisha për bashkim kombëtar më 27 Nëntor në Vlorë. “Deklaratat e kryeministrit janë bërë në një kontekst të qartë, në një datë historike. Kryeministri i adresohet hapësirave shqiptare që tani janë të vendosura në një realitet të ri. Deklarata e kryeministrit nuk bën fjalë për ndryshime territoriale”- shtoi Panariti.
...