E Diel, 1 Nëntor 2026

Panariti: Nacionalizmi cenon fqinjësinë e mirë në rajon

“Frenimi i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor do të nxiste tendencat ekstremiste dhe nacionaliste, të cilat do të cenonin stabilitetin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë të mirë në rajon”.

Kështu ka thënë Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Edmond Panariti në një takim që pati me Ministrin për Evropën të Britanisë së Madhe, David Lidington, pak kohë pasi kryeministri Sali Berisha shpalli platformën, bashkimi i shqiptarëve me njëri-tjetrin.

Prej ditësh nga Athina zyrtare ka pasur reagime rreth deklaratave të kryera nga kryeministri Sali Berisha gjatë festimeve për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, apo dhe ato nga Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, shkruan bw.

Sot, ka qenë zëdhënësi i ministrisë së jashtme greke, Gregori Delavekuras, ka komentuar deklaratat e ministrit të jashtëm shqiptar, Edmond Panariti gjatë një interviste, ku tha se “është naive, jashtë logjikës dhe aspak normale të besosh se Shqipëria ka pretendime territoriale ndaj Greqisë”.

“Panariti ka të drejtë të thotë se është jashtë logjikës dhe naive, që ndokush të flasë për pretendime territoriale të Shqipërisë ndaj Greqisë. Çka e interpretuar sërish, do të thotë se ministri i jashtëm shqiptar i bën publikisht rekomandime kryeministrit të vet, i cili, duke dëgjuar sirenat e nacionalizmit, foli për troje shqiptar nga Preveza deri në Preshevë, pavarësisht që më pas i hodhi poshtë”, theksoi zëdhënësi i ministrisë së Jashtme Delavekuras, i pyetur mbi deklaratën e ministrit të jashtëm shqiptar.

Ndërkohë gjatë takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, që u mbajt më 4 Dhjetor në Bruksel, Ministri i Punëve të Jashtme, Edomond Panariti zhvilloi një takim me homologun e tij grek, Dimitris Avramopulos.

Gjatë takimit, Ministri Panariti i konfirmoi homologut grek vullnetin e qeverisë shqiptare për të çuar përpara marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë ndërmjet dy vendeve.

Të dy ministrat kanë deklaruar gjithashtu, se retorikat nacionaliste nuk mund të mbajnë peng marrëdhëniet ndërmjet dy qeverive dhe popujve.

Ministri i Jashtëm grek Dimitris Avramopulos anuloi vizitën e tij në Tiranë më 28 nëntor me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Shkak për këtë, siç shpjegoi ai nëpërmjet një deklarate për shtyp, u bënë deklaratat nacionaliste të kryeministrit shqiptar, Sali Berisha./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›