Panariti i LSI, nënkryetar i ri i Bashkisë. Basha: Do merret me mbrojtjen e konsumatorëve. Sot pres qytetarët në zyrë
Ashtu siç kishte paralajmëruar dje gazeta Tema, Edmond Panariti i LSI do jetë nënkryetari tjetër i bashkisë së Tiranës. Lulëzim Basha ka bërë prezantimin e tij. Basha tha se detyra e tij do jetë mbrojtja e konsumatorëve. Si për ters, sa herë dëgjojnë mbrojtjen e konsumatorëve, shqiptarëve u vjen ndërmend një lëvizje mashtruese, e drejtuar nga Altin Goxhaj, që ka shpenzuar qindra mijëra euro për spote kundër opozitës dhe Edi Ramës në fushatën e fundit elektorale. Duke u financuar nga qeveria, nën mbulesën e gjoja mbrojtjes së konsumatorëve, kjo lëvizje pushtoi çdo ekran me reklamat e saj për të dhënë një ide sa i mbron konsumatorët qeveria.
Në prezantimin e Panaritit, Basha tha: Premtimet tona marrin sot një shtytje të fuqishme me emërimin e Edmond Panaritit si nënkryetar. Ai ka një begraund të konsoliduar akademik në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve. Ai ka shërbyer për më shumë se tre vjet si menaxher i një projekti shumë të rëndësishëm rajonal. Zoti Panariti do fokusohet në këtë çështje shumë të rëndësishme: mbrojtjen e konsumatorit. Kjo është një punë e jashtëzakonshme, voluminoze, do kërkojë përpjekje e sakrifica.
Kurse vetë Panariti u shpreh: Më lejoni të shpreh mirënjohjen e falënderimin për të më emëruar nënkryetar të bashkisë më të madhe në vend. Protokolli që më ngarkuat, mbart ambicie shumë të mëdha për përmirësimin e jetës në kryeqytet. Kam sfidë ngritjen e agjencisë së mbrojtjes së konsumatorit. Më lejoni tju dëshmoj energjinë, vullnetin e përkushtimin tim në këtë detyrë.
Basha deklaruar se sot në mbrëmje ai do hapë zyrën e tij për qytetarët.
Dua të theksoj edhe njëherë se në qendër të bashkisë sime do jetë interesi qytetar. Përfitoj nga rasti se sot në orën 18:30 bashkia do hapë dyert. Unë dhe dy nënkryetarët do jemi aty për të pritur qytetarët, tha Basha.