E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panariti në Australi, takime me përfaqësues të Parlamentit

Gjatë vizitës dy ditore në Australi, Ministri Panariti zhvilloi një takim me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve në Parlamentin australian, Peter Slipper. Ministri Panariti vlerësoi fillimisht kontributin e madh që ka dhënë dhe jep Australia për forcimin e paqes në rajon dhe në botë. Ai shprehu mirënjohjen për rolin që ka luajtur Australia në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, duke njohur shtetin e pavarur të Kosovës që në ditët e para të shpalljes së pavarësisë.
 

Panariti u ndal më pas në mundësitë që ekzistojnë për t`i çuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë, si në atë të rritjes së dialogut politik, ashtu edhe në fushën ekonomike dhe të shkëmbimeve tregtare. Të dy bashkëbiseduesit e vlerësuan shumë të rëndësishëm rolin e diasporës shqiptare në Australi, si urë lidhëse për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
 

Ministri Panariti e informoi Slipper në lidhje me procesin e reformave të qeverisë shqiptare në kuadrin e integrimit evropian, por edhe për raportet që ka ndërtuar Shqipëria me vendet e rajonit. Nga ana e tij, Slipper, pasi e uroi Ministrin Panariti për 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, shprehu besimin se, pas kësaj vizite, marrëdhëniet mes dy vendeve do të zhvillohen më tej në shumë fusha me interes të ndërsjellë.

Po sot Ministri Panariti zhvilloi takime me Zv/Kryetaren e opozitës në parlamentin australian, Julie Bishop, Sekretarin Parlamentar për Marrëdhëniet me Jashtë, Richard Marles dhe Kryetarin e Grupit Parlamentar të Miqësisë me Shqipërinë, Dick Adams.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›