NDI vlerëson arritjet dhe zhvillimin e Shqipërisë
Presidenti Bujar Nishani takon Drejtorin Rajonal të Institutit Demokratik Amerikan, Rob Benjamin
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim Drejtorin Rajonal të Institutit Demokratik Amerikan (NDI), Rob Benjamin, i cili ndodhet për një vizitë në vendin tonë. Kreu i Shtetit, falënderoi zotin Benjamin për përcjelljen e përshëndetjeve nga ana e ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madline Albright. Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm të Institutit Demokratik Amerikan në zhvillimin demokratik të vendit. Kreu i Shtetit nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së brezit të ri dhe grave në politikë si dhe shembujt e mirë që ofrohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgjatë fushatave zgjedhore me elementë të tillë si bashkëpunimi, komunikimi dhe dialogu. Presidenti i Republikës, gjithashtu mbështeti angazhimin e Institutit Demokratik Amerikan në monitorimin e fushatës dhe procesit zgjedhor të ardhshëm. Pasi falënderoi Kreun e Shtetit për pritjen, zoti Benjamin nënvizoi arritjet dhe zhvillimin që vendi ynë ka realizuar përgjatë viteve si dhe informoi për raportin e pritshëm të vlerësimit që Instituti Demokratik Amerikan do të publikojë së shpejti. Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për rolin e rëndësishëm dhe pozitiv që Shqipëria luan në zhvillimet në rajon duke kontribuar për paqe, stabilitet dhe fqinjësi të mirë në Rajonin e Ballkanit.