Konferenca Gjyqësore zgjedh anëtarët e rinj të KLD-së, Artan Brocin dhe Astrit Haxhialushin
Gjyqtarët e Gjykatës së Apelit Tiranë, Artan Broci dhe Astrit Haxhialushi, u zgjodhën anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. E thirrur nga Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, Konferenca e Gjyqtarëve votoi për dy anëtarët e rinj, për një mandat 5-vjeçar pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ndërsa gjyqtari Artan Broci siguroi votat e nevojshme që të votimin e parë, duke kaluar pragun prej 200 votash, për anëtarin e dytë të KLD-së u vendos që të rivotohej, pasi gjyqtari Astrit Haxhialushi rezultoi në balotazh me Zeqine Sollakun. Në raundin e dytë të votimit Haxhialushi siguroi 199 vota, përkundrejt 113 votave që mori gjyqtarja Sollaku. Gjyqtari Artan Broci u angazhua përpara gjyqtarëve të Republikës se puna e tij do të orientohet nga direktiva e Presidentit, për të rritur besimin e gjyqtarëve tek KLD-ja. “Ishte një emocion i veçantë të kandidosh përpara të gjithë gjyqtarëve të Republikës. Angazhohem solemnisht përpara gjithë trupës gjyqësore për të ruajtur vlerat që kam ruajtur gjatë gjithë karrierës sime. Orientimi dhe direktiva e presidentit për të rritur besimin e gjyqtareve tek KLD është sfidë”, u shpreh Broci. Ndërsa i zgjedhuri tjetër Astrit Haxhialushi theksoi se do të kontribuojë që drejtësia shqiptare të ecë përpara. “Është një vlerësim që bëhet ndaj personit tim dhe punës që bëj prej vitesh. Mendoj se përfaqësimi i interesave të gjyqtarëve në KLD do të jetë korrekt”, u shpreh Haxhialushi. Anëtarët e rinj të KLD-së zëvendësojnë dy gjyqtarët të cilëve u mbaroi mandati, Dhurata Haveri dhe Shkëlqim Miri. Për këto vende vakante, pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ishin shpallur kandidaturat e tyre 7 (shtatë) gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë, nga gjykatat e apeleve.
...