Pandeli Majko në depresion politik, pasi u përjashtua nga shpura “patriotike” e Edi Ramës

Në delegacionin propagandistik të Edvinit në Prishtinë s’është thirrur Pandeli Majko, i cili kujtonte se në PS kishte ekskluzivitetin për Kosovën. Përjashtimi është bërë jo vetëm për të mos i bërë hije kryetarit, por edhe për ta njoftuar se kandili i tij politik tashmë po fiket
Udhëtimi i Edi Ramës në Kosovë, përvese nuk e ka përmirësuar imazhin e tij, të rrënuar që pas kundërshtimeve për “Rrugën e Kombit”, nga ana tjetër i ka krijuar probleme xhelozie edhe brenda vetë radhëve të kupolës drejtuese të PS-së.
Ish-kryeministri Pandeli Majko, i konsideruar dhe i keqpërdorur si “ikonë” e “çështjes së Kosovës”, është ndjerë, i fyer dhe i zemëruar pse Edi Rama nuk e kishte përfshirë atë në delegacionin partiak, të vizitës në Kosovë.
Burime brenda selisë së PS-së kanë bërë të ditur, se zemërimin e tij, ish-kryeministri Pandeli Majko, ia ka shprehur edhe Edi Ramës. Pandeli Majko i ka kujtuar Edi Ramës, se ende ai (Edi Rama) mburret me emrin e tij (Pandeli Majkos) si ish-kryeministër i ditëve të vështira për Kosovën, por se nga ana tjetër nuk e përfshin atë në delegacionin partiak që vizitoi Kosovën.
Por, sikurse ndodh rëndomë, brenda natyrës së komunikimit të tij, Edi Rama e ka përcjellë me shpërfillje edhe ankimin më të fundit të Pandeli Majkos.
Për Edi Ramën, më e rëndësishmja në këtë fazë, në kuadër edhe “të politikës së re” është përjashtimi i emrave që i konsideron kundërshtarë, si edhe promovimi i emrave, që nuk kanë asnjë kontribut në PS, veç faktit, që janë joproblematikë, pse jo pro sjelljeve perverse politike, të kryetarit të tyre.