“Tirana, modeli i rritjes ekonomike, për të gjithë rajonin”

Konsujt e Nderit të Shqipërisë në botë, vlerësojnë projektet dhe vizionin e kryebashkiakut Lulzim Basha
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha zhvilloi një takim me Konsujt e Nderit të Shqipërisë në botë. Duke shprehur falënderimet dhe mirënjohjen për rolin e madh që ata kanë luajtur në forcimin e marrëdhënieve politike të Shqipërisë me vendet që ata përfaqësojnë, por edhe për mbështetjen që këto vende i kanë dhënë Shqipërisë në proceset integruese, Basha kërkoi nga Konsujt një rol aktiv në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe vendeve që ata përfaqësojnë. “Në terma ekonomike, prezenca juaj ka një vlerë të shtuar. Për një kohë të gjatë me vendet tuaja kemi pasur marrëdhënie për kërkim ndihme dhe asistence, por ne sot shohim mundësinë që vendet tuaja të shikojnë mundësitë ekonomike, për të investuar në Shqipëri. Këto mundësi janë më të mëdha në Tiranë. Më shumë se 30 për qind e GBP-së prodhohet këtu, në qytetin më të madh të vendit. Tregu i punës që Tirana përfaqëson, është i ri, i motivuar dhe i kualifikuar. Së bashku me qeverisjen qendrore, po shikojmë çdo mundësi të shkurtimit të barrierave administrative dhe fiskale. Nga ky takim dëshiroj që të merrni disa fakte dhe ti ndani në vendet tuaja. Unë eliminova mbi 60 tarifa dhe taksa, si akti i parë i imi si Kryebashkiak. Së shpejti, do të instalojmë One Stop Shop në Tiranë. Në maj në vitit tjetër, do të jetë gati Plani i ri urbanistik. Kombinimi i të dy këtyre hapave do të thotë që nuk do të duhen më shumë se 45 ditë në Tiranë, për të filluar për të ndërtuar, nga më shumë se 360 ditë që duhen sot. Ne po kërkojmë sasi të mëdha toke në periferi të qytetit, për të vendosur parqe teknonologjike, me facilitete të IT, por pa përjashtuar industritë që po operojnë tani në Shqipëri. Së bashku me këto, kam planifikuar shpenzimin e 450 milionë eurove punë publike në Tiranë, si në ndërtimin e Unazave të qytetit, zgjerimin e bulevardit qendror të qytetit, dy linja tramvaji me një kombinim prej 20 kilometrash. Një terminal të ri për trenat, autobusët etj, duke përfshirë edhe qendra tregtare në to dhe njëkohësisht edhe shumë projekte të tjera që ne kërkojmë t’i ndërtojmë, në bashkëpunim me sektorin privat, në forma bashkëpunimi nga më të shumtat. Duke u mbështetur tek ju dhe idetë tuaja, për të bërë të ditur në vendet tuaja, për të bërë lidhje praktike mes Bashkisë së Tiranës dhe çdo biznesi. Zhvillimi ekonomik dhe punësimi është prioriteti im kryesor”.
Basha i ka njohur Konsujt me projektet e Bashkisë së Tiranës.
“Detyra e parë dhe më e rëndësishme është përfundimi i planit urbanistik”, tha Basha. Kryebashkiaku theksoi se për hartimin e këtij plani, i cili do i shërbejë qytetit në 30 vitet e ardhshme, janë angazhuar ekspertët më të mirë në qytet, vend dhe në mbarë botën.
“Tirana duhet të jetë modeli i rritjes ekonomike, për pjesën tjetër të vendit dhe për rajonin dhe kjo nuk është një ambicie e parealizueshme, por bazohet në potencialin që ekziston këtu. Emancipimi i këtyre fuqive dhe vënia e tyre në përdorim është një nga synimet dhe projektet e mia më të mëdha, duke bashkuar të gjithë këto energji në qytet dhe duke i shpalosur ato, me fuqizimin e biznesit dhe kapitalit në qytet, duke u siguruar se projektet tona janë transparente, të qëndrueshme dhe përfituese, publike apo private dhe duke u siguruar se ato janë qartësisht transparente për të ardhmen”, tha Basha
Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha u shpreh njëkohësisht se synimi i tij është përmirësimi i infrastrukturës publike, çka do të ulë koston e të bërit biznes në qytet, si dhe shtrirja e zhvillimit në të gjithë qytetin.
“Zhvillimi i 20 viteve të fundit ishte përqendruar në jug dhe juglindje të qytetit. Në këtë kuadër është edhe projekti i ri i bulevardit i cili krijon një rrugë zhvillimi në të dy kahet e tij dhe po ashtu janë dy brigjet e lumit të Tiranës, shumë më i madh se lumi i Lanës që përshkon qendrën e qytetit, potencialet për zhvillimin e qytetit, për zgjerimin e hapësirave rekreative, parqeve të gjelbra, kënde për fëmijët, shkolla, çerdhe, spitale, kinema, teatro dhe njëkohësisht një mundësi për të zgjeruar territorin e biznesit në Tiranë, pasi qyteti duhet të ketë gjithçka që i nevojitet, ku mund të gjesh atë që kërkon jo vetëm në qendër por kudo. Ideja është për një qytet policentrik dhe jo për një qytet, ku për nevojat më bazike, kulturore, sociale apo shëndetësore, duhet të udhëtosh për në qendër”, tha Basha.
Konsujt e Nderit të Shqipërisë në botë, duke vlerësuar projektet dhe vizionin e kryebashkiakut Basha, shprehën angazhimin e tyre, për të bërë promovimin e Tiranës, në vendet e tyre dhe për të nxitur biznesin, të shohë mundësinë e investimit në kryeqytetin shqiptar.