Edi Rama, 50 milionë euro për të lënë PS-në jashtë Parlamentit
Qarqet që kërkojnë destabilizimin e Shqipërisë, bllokimin e aksionit për heqjen e vizave dhe izolimin e vendit, kanë gjetur tek Edi Rama rekrutin e tyre më të bindur. Me logjikën e bakshishit, ai ka pranuar ofertën e 50 milionë eurove për ta shndërruar PS-në në një ojq revolucionare joparlamentare, pasi në fund të fundit, atij nuk i dhimbset fare ai formacion politik, pasi s’është as politikan e as i majtë
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka marrë 50 milionë euro që të mbajë larg dyerve të Parlamentit partinë e tij. Shuma e parave është dhënë nga qarqe të interesuara për mbajtjen e peng të stabilitetit të Shqipërisë.
“Rrathët e ferrit” me të cilët Rama ka rënë në ujdi janë nga fusha e biznesit, e krimit të organizuar, e politikës, qarqet nacionaliste dhe shoviniste antishqiptare dhe “miq” internacionalistë të Edvinit që reagojnë në të njëjtën mënyrë si ai kur arrihet të përcaktohen kufijtë shtetërorë në Ballkan. Duke pasur kontroll të plotë mbi atë pjesë të Partisë Socialiste që njihet si pjesa e të ardhurve nga OJF-të e gjoja e shoqërisë civile, ai nuk e ka pasur të vështirë të pranojë paratë e dhëna “me bujari” duke e kthyer edhe vetë PS-në një parti OJQ-iste. Për sa u përket biznesmenëve që ndodhen rreth e rrotull Ramës kuptohet se interesi i përhershëm i tyre është kaosi dhe destabiliteti i sistemit të konkurrencës dhe atij tatimor e fiskal dhe mbajtja në gjendje të turbullt politike ndihmon synimet e tyre të lidhura me zhvatjen dhe korrupsionin. Nga ana tjetër segmentet e krimit të organizuar që janë hedhur në aktivitete duke sulmuar shtetin e pushtetin, por edhe politikanë të majtë, liderë historikë të socialistëve, janë të interesuara për destabilitetin e vendit dhe për rrjedhojë edhe të ligjit dhe orgneve që e zbatojnë atë.
Në këtë amalgamë ngatërrohen edhe armiqtë e përjetshëm të Shqipërisë që me përpjekje jashtë e brenda vendit punojnë që Shqipëria të mos ketë kufij të përcaktuar, të mos ketë reforma dhe demokraci, të jetë burim destabiliteti dhe të mos përkrahë për asnjë moment Kosovën dhe integrimin evropian. Të gjitha këto segmente në mënyrë instiktive, por edhe të studiuar kanë gjetur mbështetësin e tyre, Edi Ramën. Ato e kanë sponsorizuar këtë të fundit me milion euro edhe gjatë zgjedhjeve dhe pas tyre.
Përpara zgjedhjeve dhe natën e zhvillimit të numërimit kur i duhej të hiqte qafe Ilir Metën dhe në përgjithësi kundërshtarët e tij politikë, pas zgjedhjeve për të mbajtur vendin në kaos dhe pasiguri, për të sulmuar të ardhmen e vendit, liberalizimin e vizave dhe gjithçka të mirë që përpiqet të ketë Shqipëria. Janë këto miliona euro që vazhdojnë të hidhen e të thithen nga kasta Ramiziste dhe Edviniste e që përdoren për të vazhduar “arsimimin” dhe kultivimin e së shkuarës ndër brezat e rinj të OJF-ve të Erionit dhe shumë të tjerëve që nuk ngurrojë të dalin as me tanga në faqet e internetit për të fituar zbatimin e ndonjë projekti. Të gjithë këta janë ata që i janë bashkuar “donatorëve” të Edi Ramës që mezi pret ta bëjë Shqipërinë të vuajë dhe jo të buzëqeshë në mënyrë që të përshtatë fatin e vendit me fatin e tij personal.