E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paneta: SHBA dhe India duhet të bashkëpunojnë me Pakistanin

Shtetet e Bashkuara dhe India duhet të gjejnë mënyra për të punuar me Pakistanin, kështu është shprehur sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Paneta.

Duke folur të mërkurën në Nju Delhi, Paneta tha se India dhe SHBA-ja janë shpesh në kundërshtim me Pakistanin, por zgjidhjet për çështjet e sigurisë në Azinë Jugore “kërkojnë edhe përfshirjen e Pakistanit”.

Zyrtari amerikan u ka bërë thirrje të tre vendeve që të angazhohen me njëri-tjetrin për të kapërcyer “dallimet e thella”.

Uashingtoni dhe Nju Delhi kanë akuzuar Pakistanin se ka dështuar të ndërmarrë hapat e duhur për të ndaluar aktivitetet e grupeve militante islamike, të cilat janë aktive në Afganistan dhe në disa pjesë të Indisë.

Paneta ka mirëpritur vendimin e fundit të Indisë dhe të Pakistanit për të normalizuar marrëdhëniet tregtare, si hap për tejkalimin e problemeve ndërmjet dy rivalëve fqinjë, të cilët posedojnë edhe armë bërthamore.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›