Pango: 2009, vit i këngës dhe i valles
Festivali i Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës që do të mbahet më 24-29 shtator të këtij viti ndryshon strukturën organizative. Ministri i Kulturës, Ylli Pango, ka mbledhur dje, përfaqësues të qarqeve dhe Qendrave Kulturore për organizimin e festivalit, duke aprovuar njëkohësisht edhe statusin e saj, kriteret shkencore të pjesëmarrjes, si dhe duke përcaktuar fazat e përgatitjes të çdo grupi pjesëmarrës. Festivali folklorik është një nga veprimtaritë më të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore kombëtare, e cila do të zhvillohet në kalanë dhe Qendrën Historike të qytetit muze të Gjirokastrës, tanimë me emrin “Pasuri botërore e njerëzimit” të mbrojtur nga UNESCO. Komiteti organizativ që do të merret enkas me organizmin e festivalit, në mbledhjen e tij të radhës, dje, vendosi që puna organizative dhe programi i masave që do të ndërmerren për këtë veprimtari të shndërrohen në prioritet të çdo qarku, bashkie dhe qendre kulturore. Por, dje ministri i Kulturës ka deklaruar edhe ndryshimin në strukturën e organizmit të festivalit, ku MTKRS vendosi që në këtë festival grupet përfaqësuese të përbëhen nga 60 artistë, nga 50 që ka qenë në festivalet e tjera dhe koha e konkurrimit të jetë 30 minuta nga 20 që ka qenë më parë. Dje është treguar se ka filluar faza e parë e përgatitjes në të gjithë vendin, që do të zhvillohet në periudhën janar-mars, e cila përfshin: a). Ngritjen e grupit qendror të punës në rang qarku të përbërë nga përfaqësues dhe specialistë të fushës nga të gjitha bashkitë e qarkut. b). Ngritjen e grupit të punës me specialistë të trashëgimisë kulturore shpirtërore pranë çdo bashkie. c). Kontaktin me grupet popullore, bartësit dhe interpretuesit e trashëgimisë kulturore shpirtërore që përfaqësojnë Qendrën Kulturore, me grupet folklorike të shoqatave dhe NGO-ve të fushës së trashëgimisë kulturore shpirtërore, si dhe me individët e interesuar për pjesëmarrje në Festivalin Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2009 që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në territorin administrativ të qarkut. d). Organizimi i shfaqjeve dhe ekspeditave, në të gjithë territorin e qarkut, ku specialistë të trashëgimisë kulturore shpirtërore bëjnë përzgjedhjen e repertorit bazuar në Kriteret Shkencore të Festivalit Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2009. Barra e gjithë këtij organizimi kalon si detyre e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, që në bashkëpunim edhe me specialistët e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit të ndjekë nga afër të gjitha përgatitjet që do të bëhen për këtë veprimtari, si dhe duke dhënë ndihmesë për mënyrën organizative dhe të përzgjedhjes profesionale të repertorit.
Panga ka thënë se i gjithë viti 2009 të jetë viti i përgatitjeve dhe veprimtarive të shumta folklorike, të cilat do të ndikojnë në gjallërimin e jetës kulturore artistike të të gjithë vendit, duke e kthyer vitin 2009 një vit të këngës, valles e melodisë popullore për të arritur në organizimin e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës në muajin shtator.
Në takimin e djeshëm, në fjalën e tij ministri Pango tha se “Organizimi i Festivalit Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2009 ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe propagandimin e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë shpirtërore, të vlerave etnomuzikore, etnokoreografike, etnografike, të kostumeve popullore, veglave muzikore, riteve, traditave, zejeve etj., të krijuara prej shekujsh nga populli. Gjithashtu, kjo veprimtari do të evidentojë vlerat e qytetit muze të Gjirokastrës, të cilat vitet e fundit kanë parë një zhvillim shumë të madh falë interesimit të vazhdueshëm të qeverisë shqiptare për ruajtjen, mbrojtjen dhe restaurimin e vlerave të trashëgimisë kulturore që mbart ky qytet”. Propagandimi dhe popullarizimi i këtij festivali nga ministria shihet edhe si fakt nxitës për turizmin kulturor dhe shtimin e vizitorëve vendas dhe të huaj në monumentet e trashëgimisë sonë kulturore dhe në veprimtaritë e trashëgimisë shpirtërore