Avokatët “e sëmurë”, prokurorët akuzojnë: Skenarë të përgatitur për dështimin e gjyqit
Paraqitja e një raporti mjekësor nga avokati i Dokles, solli reagim të ashpër nga ana e prokurorëve të çështjes, të cilët nuk kanë ngurruar aspak të hedhin akuza për avokatët. Prokurori Anton Martini i akuzoi avokatët e “Bandës së Durrësit” për skenarë për dështimin e gjyqit, madje duke hedhur dyshime edhe për raportet mjekësore të paraqitura para gjykatës. “Herët e kaluara ka qenë i sëmurë avokati Arben Qeleshi, tani na sëmuret një avokat tjetër. Më duken skenarë këto të përgatitur nga avokatët, me qëllim shtyrjen e gjyqeve. Për mua shtyrjet janë të qëllimshme dhe u bënë të paktën 40 seanca ku sëmuren herë njëri dhe herë tjetri avokat. Avokatët kanë pasur dijeni për datën dhe orën e seancës prej disa muajsh, ndaj dhe duket që gjithçka bëhet enkas, shtyrje të qëllimshme”, - u shpreh prokurori i çështjes, Anton Martini, duke kërkuar zëvendësimin e këtyre avokatëve, njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, si dhe pezullimin e afateve të paraburgimit për të pandehurit. Më tej, prokurori përsëriti edhe njëherë kërkesën e tij për shpeshtimin e zhvillimit të seancave në javë, nga një në tri seanca. Por, kjo kërkesë e tij është kundërshtuar menjëherë nga avokatët, të cilët pretendojnë se i kanë datat e zëna dhe të llogaritura, dhe nuk mund të humbasin ditët vetëm për njërin gjyq, pasi kanë detyrime edhe ndaj klientëve të tjerë. Gjithashtu, reagime ka pasur edhe nga avokati Qeleshi, i cili akuzoi prokurorët se kanë bërë hetime për të verifikuar raportet e tij mjekësore, duke shkelur etikën. “Nëse kanë pasur dyshime mund të hapnin një çështje në Prokurorinë e Tiranës dhe jo të bënin hetime në urgjencë”, - përfundoi avokati Arben Qeleshi, i cili në këtë proces mbron të pandehurin Lulëzim Berisha. Më pas, edhe avokati Riza Hicka denoncoi veprimet e prokurorisë, të cilat sipas tij, nuk janë aspak etike. “E konsideroj të padrejtë konkluzionin e akuzës për skenarët e deklaruar”, - deklaroi avokati Hicka, për t’ia lënë vendin një tjetër kolegu, Skënder Demirit, i cili ndryshe nga vetë ata, kërkoi të mos zëvendësoheshin avokatët që mungonin dhe bëri thirrje që të gjithë të jenë të pranishëm për këtë proces gjyqësor. Sipas tij, askush nuk ka frikë nga shkresat që i përcillen Ministrisë së Drejtësisë apo Dhomës Kombëtare të Avokatisë, por vjen në gjykatë për interesat e klientëve dhe familjarëve të tyre që i paguajnë.