Bush në Ukrainë. Mbështetje pa rezerva për pranimin në NATO
Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, premtoi të martën se do të këmbëngulte që Ukraina dhe Gjeorgjia të lejoheshin të fillonin procesin e anëtarësimit në NATO, pavarësisht kundërshtisë së Rusisë dhe skepticizmit të vendeve evropiane, anëtare të aleancës. Bush qëndroi dje në Kiev para se të nisej drejt Rumanisë, ku edhe do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s dhe tha se Moska nuk kishte të drejtë të vendoste veton ndaj ambicies së dy ish-shteteve sovjetike. Nuk ka lidhje mes ambicieve të tyre dhe sistemit amerikan të mbrojtjes nga raketat në Evropë, shtoi ai. Uashingtoni, prej kohësh po punon që Ukraina dhe Gjeorgjia të marrin në Samitin e Bukureshtit viston për në Planin e Aksionit për Anëtarësim. Rusia denoncon, ndërkohë, këto përpjekje, nën pretendimin se NATO po ndërhyn në sferën e saj të ndikimit. Edhe Franca ka deklaruar se do ta kundërshtojë pranimin e dy ish-shteteve sovjetike në Planin e Veprimit për Anëtarësim. Por, ndërkohë, Presidenti Bush nënvizon qëndrimin e tij në mbështetje të aplikimit. "Vendi juaj ka marrë një vendim të rëndësishëm dhe Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqimisht kërkesën tuaj", tha Bush në një konferencë për shtyp përkrah Presidentit ukrainas, Viktor Jushçenko. "Në Bukuresht unë do të vazhdoj ta bëj pozicionin e Amerikës të qartë. Ne mbështesim pranimin në Planin e Aksionit për Anëtarësim të Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Afrimi i Ukrainës me NATO-n është në interes të çdo vendi anëtar të aleancës dhe do të ndihmojë në përmirësimin e sigurisë dhe në avancimin e lirive në këtë rajon, por edhe në mbarë botën". "Shtetet anëtare të NATO-s", ka thënë Bush, "pohojnë se Rusia nuk ka të drejtë vetoje në atë që pritet të ndodhë në Bukuresht dhe unë e përforcoj këtë. Kjo është politika e duhur dhe e drejtë". Ai përgënjeshtroi një "perceptim të gabuar" për çdo lloj kompromisi, pasi ka zëra që kjo mbështetje për afrimin e Ukrainës e Gjeorgjisë me NATO-n jepet në këmbim të mbështetjes për të vendosur interceptorët e raketave dhe një sistem radarësh në Poloni dhe në Republikën Çeke. Bush tha se ai shpresonte që propozimet për ta bërë sistemin mbrojtës nga raketat më transparent do të sillnin progres në takimin e kësaj fundjave me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në resortin e Sochit, në Detin e Zi. Ndërkohë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, duke folur në Danimarkë, tha se priste progres, pavarësisht se pranoi se rusët nuk do ta pëlqenin kurrë mbrojtjen nga raketat. "Por, unë mendoj se garancitë që ne kemi dhënë dhe mekanizmat që ne kemi propozuar, u japin atyre siguri, se ky sistem nuk ka në shënjestër ata dhe unë shpresoj se kjo do të çojë në rezultate pozitive, si në Bukuresht ashtu edhe në Sochi", tha ai. Presidenti Bush, ndërkohë, e kaloi pasditen e djeshme duke vizituar monumente, përfshi edhe katedralen e shekullit të 11-të të Shën Sofisë dhe një memorial kushtuar viktimave të urisë masive të viteve 1932-‘33 të arkitektuar nga diktatori sovjetik, Jozef Stalin. Ai u nis për në Bukuresht pasdite vonë. Në komentet e tij para gazetarëve, Presidenti Jushçenko tha se Ukraina kishte bërë një zgjedhje të qartë pro integrimit në NATO dhe se nuk kishte asnjë rrugë tjetër veç saj. "Ju kërkoj ndjesë, por unë nuk do të doja që të shikoja parimin themelor të aleancës, atë të dyerve të hapura, të zëvendësohej nga vetoja e një vendi që nuk është as anëtar", tha ai. Kryeministrja, Julia Timoshenko, e cila gjithashtu u takua me Presidentin Bush, tha se shpresonte për një "Po" në Bukuresht dhe përsëriti qëndrimin e të gjitha forcave kryesore politike të vendit, se një vendim përfundimtar për anëtarësimin do t‘i nënshtrohej një referendumi. Pavarësisht entuziazmit të liderëve politikë, ambicia e Ukrainës për t‘u pranuar në Planin e Veprimit për Anëtarësim në NATO, ka mbështetje të vogël në opinion. Disa qindra protestues sfiduan një urdhër ndalimi dhe marshuan në qendër të Kievit, ku edhe lëshuan slogane anti-NATO. Për shumë ukrainas, anëtarësimi në NATO nuk është një prioritet. Vetëm 30 për qind e të anketuarve, në ish-shtetin sovjetik, e mbështesin anëtarësimin.