E Diel, 1 Nëntor 2026

Uizner: “SHBA-të dhe BE-ja nuk do ta anulojnë pavarësinë e Kosovës”

Përfaqësuesi amerikan në bisedimet për statusin e Kosovës, ambasadori Frenk Uizner, ka deklaruar se as Amerika, as Bashkimi Europian, nuk do të anulojnë vendimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ai ka hedhur poshtë kritikat se njohja e shpejtë e pavarësisë së Kosovës flet për unilaterizmin e politikës së jashtme amerikane. Uizner tha se nuk beson që çështja e Kosovës duhej zgjidhur duke vënë si prioritete implikime të zgjidhjeve të marrëdhënieve ruso-amerikane. Ndërkohë, nga Rusia vazhdojnë akuzat ndaj SHBA-ve. Sipas zëvendëskryeministrit rus,
Dimitri Medvedev, Shtetet e Bashkuara po nxisin jostabilitetin në Europë duke mbështetur pavarësinë e Kosovës. "Europa është në një pozitë shumë të vështirë. Ne e kuptojmë që Amerika nuk rrezikon asgjë, pasi është shumë larg gjeografikisht”, - tha Medvedev.

Maqedonia dhe Mali i Zi ende nuk saktësojnë se kur do ta njohin Kosovën

Presidenti i Maqedonisë dhe ai i Malit të Zi kanë refuzuar të saktësojnë kohën kur vendet e tyre do të njohin pavarësinë e Kosovës. “Republika e Maqedonisë do të vendosë për kohën të cilën ne e gjykojmë se është e përshtatshme për interesat tona”, - tha Presidenti i Maqedonisë Branko Cërvenkovski, gjatë një vizite në selinë e Bashkimit Europian në Bruksel. Ndërkaq, homologu i tij malazez, Filip Vujanoviç, ka pohuar se vendi i tij nuk sheh ndonjë arsye për t’u nxituar me këtë vendim.

28 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›