Pango: Me Malin e Zi, përpjekje rijetëzimi të zonave antike
Tiranë, 22 dhjetor 23:09 NOA - Ministri i Kulturës dhe Turizmit i Shqipërisë Ylli Pango zhvilloi një vizitë zyrtare në Malin e Zi dhe sot doli në një konferencë për mediat ku pasqyroi bilancin e takimeve.
Pango tha se qëllimi i vizitës ishte diskutimi me homologun z. Branislav Micunovic (Ministër Kulture) rreth mundësive dhe aspekteve për nënshkrimin e një marrëveshjeje në fushën e kulturës mes të dy vendeve.
Bisedimet mes të dy Ministrave u zhvilluan në Podgoricë. Të dy bashkëbiseduesit e vlerësuan takimin si të rëndësishëm dhe theksuan vendosmërinë e tyre për bashkëpunimin kulturor mes të dy vendeve si aspekt mjaft i rëndësishëm i marrëdhënieve në tërësi.
Ata u shprehën se duhet vepruar shpejt për ta nënshkruar së më parë dhe për ta zbatuar atë me rezultate konkrete.
Ministri Pango tregoi se aspektet kryesore të bashkëpunimit përfshijnë fushën e kinematografisë, Teatrin, Qendra muzikore, Letërsi, Arte vizive, Trashëgiminë Kulturore, Kërkime Arkeologjike, Lidhjen e kështjellave të Liqenit të Shkodrës, ngritjen e muzeut Etnografik në Muriq dhe bashkëpunim në iniciativën e Unionit të Mesdheut.
Gjithashtu në takim u bisedua edhe për projektin e Këshillit të Evropës te cilin duhet ta implementoje shteti Shqiptar dhe ai Malazez per zhvillimin ekonomik të zonës se Shkodres permes valorizimit te pasurive kulturore dhe natyrore. Në këtë komponent mund të përfitohet asistencë financiare vetëm nga qasje rajonale dy a më shumëpalëshe.
***
Programi Rajonal për Trashëgiminë Kulturore dhe Natyrore në Evropën Juglindore, është Program i perbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës i destinuar për nëntë vendet e rajonit, si kontribut për bashkëpunim në shkallë të gjerë të këtyre vendeve në drejtim të mbrojtjes, konservimit, rehabilitimit të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, duke vënë theksin në zhvillimin e qëndrueshëm në drejtim të administrimit urban dhe rural, zhvillimit lokal të kushteve të jetesës dhe mjedisit. Qëllimet politike të Programit janë aktuale dhe të qenësishme, ato synojnë ndërtimin e një identiteti evropian të bazuar në njohjen e diversitetit rajonal, tolerancën dhe dialogun mes bashkësive duke e konsideruar trashëgiminë forcë që gjeneron paqe dhe bashkim. Qëllimet specifike të Programit janë:
-Përmirësimi dhe rijetëzimi i institucioneve ekzistuese me qëllim ndikimin në vendimmarrjen në politikat e zhvillimit demokratik.
Vendosja e besimit dhe mirëkuptimit mes komuniteteve të ndryshme.
Përmirësimi i bashkëpunimit mes organeve të qeverisjes vendore, qendrore dhe mes shoqërisë civile.
Zhvillimi i rrjeteve të ekspertëve profesionistë në fushën e trashëgimisë.
Promovimi i pjesëmarrjes së shoqërisë civile në debate mbi vendimmarrjet.
***
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, pas angazhimit të Qeverisë shqiptare në programin rajonal, është e përfshirë në këtë projekt i cili synon në financimin e disa objekteve të rrezikuara me qëllim përmirësimin e gjendjes aktuale të monumenteve të trashëgimisë kulturore në gjithë rajonin nëpërmjet projekteve të restaurimit.
Ky projekt i cili ka filluar ne vitin 2003, është iniciativë e përbashkët e Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian nëpërmjet Presidentit të tij, z. Romano Prodi. Aktualisht, MTKRS ka përmbushur deri tani me sukses dy fazat e para të projektit, që janë:
-Hartimi i një raporti mbi gjendjen e trashëgimisë arkeologjike dhe arkitekturore në vend
- Hartimi i listës së monumenteve të rrezikuara së bashku me të dhënat teknike përkatëse për secilin monument. Në listë janë përfshirë objekte të tilla si Amfiteatri i Durrësit, kalaja e Krujës dhe ajo e Gjirokastrës përfshirë pazarin dhe disa nga shtëpitë më të rrezikuara të këtij qyteti, Pazari i Korçës, shtëpia e Kurpalëvë në Kukës, si dhe një sërë kishash si ajo e Shën Stefanit në kalanë e Rozafës, Shën Prodromit në Voskopojë, e Tërëshenjtës në Gjirokastër, e Kozarës në Berat etj.
Pas plotësimit të këtyre dy fazave, fillon edhe:
- Plotësimi i vlerësimeve teknike (Preliminary Technical Assessment) të secilit monument dhe përcaktimi i kostove për ndërhyrjet e restaurimit. Faza përfundimtare është hartimi i studimeve te fizibilitetit.
Në kuadër të këtij projekti disa ekspertë të Këshillit të Evropës kanë vizituar Shqipërinë dhe disa monumente te listes si dhe kanë pasur kontakte me autoritetet më të larta të Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës si dhe eksperte te IMK. Janë hartuar nga ana e IMK-së dy studime fisibiliteti: për Pazarin e Korcës dhe banesën e Haxhistasës.
***
Ndërkohë dje, Ministri Pango i shoqëruar nga homologu i tij malazez vizituan qytetin e Ulqinit ku u pritën nga Kryetari i Komunës dhe zyrtarë të tjerë lokalë. I pranishëm ishte edhe Ministri për Minoritetet dhe të Drejtat e Njeriut në Qeverinë malazeze z. Fuad Nimani.
Në bisedën e zhvilluar u vlerësua se në kuadrin e bashkëpunimit kulturor dhe aktivitetet e përbashkëta mes Ulqinit dhe qyteteve apo institucioneve kulturore të Shqipërisë janë shumë të rëndësishme. Ky bashkëpunim ka qenë i mirë deri tani, por në kuadrin e marrëveshjes duhet gjetur më shumë hapësirë për forcimin e tij. Të dy ministrat premtuan ndihmesën e tyre në këtë drejtim.
a.l/NOA