E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërbuni e Butrinti, asnjë ankesë në FSHF

 

Tërbuni dhe Butrinti, dy klubet që u dënuan nga Komisioni i Disiplinës me dy vjet përjashtim dhe zbritjen nga Kategoria për shkak të dhunës që u ushtrua ndaj gjyqtarëve dhe lojtarëve të shtunën nuk kanë bërë asnjë ankesë me shkrim në FSHF. Sot mblidhet Komisioni i Apelit, i cili i merr në shqyrtim të gjitha ankesat e palëve që ankohen nga vendimet e Disiplinës, por nga këto dy klube nuk është paraqitur në FSHF asnjë ankesë me shkrim. Këtë e konfirmon shefi i sektorit të garave në federatë, Ilir Shulku. "Deri tani nuk ka asnjë ankesë me shkrim për vendimet e Disiplinorit nga këto dy klube - ka thënë Shulku për 'Panorama Sport'. - Ato kanë afat edhe nesër e pasnesër për të paraqitur ankesa, por deri tani nuk ka ardhur asgjë. Drejtuesit e Butrintit kanë sjellë një ankesë me shkrim që ditën e ndeshjes, por atëherë nuk ishte marrë vendimi i Disiplinës". Në ndeshjen Tërbuni-Kastrioti u dhunua gjyqtari kryesor i ndeshjes, Mentor Sopjani, ndërsa në ndeshjen Butrinti-Memaliaj u dhunuan gjyqtarët dhe lojtarët e skuadrës mike. Të dyja klubet e dënuara kanë kërcënuar me protesta dhe kontestime të ashpra para selisë së FSHF-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›