Pango provokon “Hiroshimën” futbollistike
Pas FIFA-s edhe UEFA-s na izolon nga aktivitetet ndërkombëtare. Efekti pezullim anulon dy ndeshje miqësore dhe një zyrtare
Dash Frashëri
Situatë kaotike. Ndërkombëtarisht të izoluar. Madje mund ta quash pa frikë një “Hiroshimë futbollistike” në topin shqiptar. Vetëm një javë pas vendimit të rreptë të FIFA-s për pezullimin e Shqipërisë, erdhi edhe “copy-paste” i Komitetit Ekzekutiv të bijës së saj europiane, UEFA-s. Qeveria e futbollit europian bëri të ditur përmes një komunikate zyrtare të publikuar në faqen e saj, se ajo është plotësisht në përputhje e në mbështetje të vendimit të FIFA-s për një pezullim pa afat të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
ASNJË NDESHJE
“Me rekomandimin e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, FIFA vendosi të pezullojë Federatën Shqiptare të Futbollit për shkak të ndërhyrjeve të rënda politike”, - thuhet në deklaratën e trupit qeverisës së futbollit europian. Çështja do të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, që do të mblidhet më 18 mars 2008 në Vaduz të Lihteshtejnit. UEFA sqaron edhe vendimin e marrë: “Më qëllim që të jemi në një linjë me vendimin e FIFA-s, me efekt të menjëhershëm dhe deri në një njoftim të ardhshëm, do të merren këto masa: Federata Shqiptare e Futbollit nuk do të luajë asnjë ndeshje miqësore apo zyrtare me skuadrat e tjera europiane”.
EFEKTET E PEZULLIMIT
Efekti i parë i pezullimit të Shqipërisë nga UEFA është anulimi i ndeshjes eliminatore Shqipëri U-21-Greqi U-21, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian U-21, e programuar për datën 26 mars dhe shtyrë për një datë të papërcaktuar deri në një njoftim tjetër. Lista e masave është e gjatë: asnjë përfaqësues shqiptar nuk do të marrë pjesë në mbledhjet e komiteteve të ndryshme të UEFA-s, kurse, ëëë///orkshope apo ngjarje të çdo lloji. Masat zbresin edhe në nivel më të ulët: asnjë gjyqtar, delegat apo vëzhgues nuk do të lejohet të marrë pjesë në ndeshjet e organizuara nga UEFA.
PRESIONE QEVERITARE
FSHF-ja kërkon që MTKRS-ja të zbatojë ato detyra që ka lënë FIFA dhe UEFA, në mënyrë që, sipas saj, futbolli shqiptar të mos humbasë dhe të shkojë drejt një udhe pa krye. “Federata Shqiptare e Futbollit u bën thirrje edhe anëtarëve të saj që në këtë moment delikat të jenë të bindur se si FIFA, ashtu edhe UEFA, s’kanë qëllim që të penalizojnë futbollin shqiptar, por duan të bindin shtetin shqiptar, që pavarësia e institucionit të futbollit është e paprekshme. Ata duhet të jenë të bindur se futbolli kthehet në Europë dhe në botë vetëm nëpërmjet rrugës që ndjek Federata Shqiptare e Futbollit, i vetmi partner i vërtetë dhe i besueshëm që FIFA dhe UEFA njohin në Shqipëri. Kurrsesi ai s’mund të rikthehet në familjen e madhe të futbollit botëror me presione qeveritare dhe logjikë përjashtimi”, - shkruante FSHF në deklaratën e saj.
MOMENT KOLAPSI
Federata Shqiptare e Futbollit publikoi një kërkesë për një takim me ministrin e Sporteve, Pango. Ky do të ishte i takim i parë në nivel të lartë Pango-Duka, por duhet të kujtojmë se një tjetër takimi i këtij niveli është realizuar midis ish-ministrit Leskaj dhe kreut të FSHF-së, Duka. Madje, edhe një dhuratë simbolike ironike dhe e menduar mirë nga FSHF-ja për deputetin Leskaj: një bluzë e kuqe e Kombëtares. “Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së i bëri edhe njëherë tjetër thirrje ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Ylli Pango, nëpërmjet një shkrese zyrtare, për t’u ulur në tryezë, për të diskutuar dhe për të gjetur një zgjidhje, e cila do ta shpëtonte futbollin nga kjo gjendje dhe do të kapërcente këtë moment kolapsi”, - thekson deklarata e “qeverisë” së topit.
FUSHATË E EGËR
Palët e përfshira në këtë konflikt nuk kanë lëvizur nga pozicionet e tyre, diametralisht të kundërta, edhe pse FSHF-ja ka kërkuar dialog. “Vërejmë me keqardhje se deri më tani jo vetëm që nuk ka asnjë shenjë që të premtojë dialog mes MTKRS-së dhe FSHF-së, por përkundrazi, kjo ministri, madje edhe titullarët e saj, kanë nisur një fushatë të egër presionesh, duke mbledhur firma të anëtarëve tanë, duke ju bërë presione nga më të ndryshmet për t’i trembur ata”, - jep alarmin e saj FSHF-ja. “Futbolli duhet të vazhdojë. Ne jemi të bindur dhe shpresojmë që ka ende vullnet për të kapërcyer situatën. Përndryshe, pasojat do të jenë të pallogaritshme për futbollin shqiptar. Ndërsa fatura këtij dështimi historik do t’i mbetet si një njollë turpi MTKRS-së”, - përfundon deklarata për shtyp e FSHF-së.
DY MUAJ AFAT
Gjithsesi, dy organizmat më të lartë të futbollit botëror dhe europian, FIFA dhe UEFA, shpresojnë që konflikti shqiptar mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe Federatës Shqiptare të Futbollit të zgjidhet brenda dy muajve, kjo në varësi edhe të bashkëpunimit me qeverinë shqiptare. Ndërkohë që edhe zyrtarisht kanë rënë miqësoret me Arabinë Saudite (e programuar më 21 mars, vendit arab iu rikthyen 70 mijë eurot) dhe Moldavinë (26 mars), në plan të parë del ajo me Kosovën, ku trajneri Ari Han (në diskutim vazhdimi i tij) mund të provojë vetëm lojtarë nga kampionati shqiptar, pasi dhe klubet europiane ku luajnë legjionarët shqiptarë zor se do të lejojnë futbollistët.
Pango: “Konflikti? Vendos e drejta”
“Zgjidhja e konfliktit nuk është vetëm tërheqje e shtetit, ashtu siç mund të ketë ndodhur edhe këtu (në Shqipëri) apo në vendet e tjera. Zgjidhja e konfliktit është edhe kur pikat vihen mbi ‘i’ dhe saktësohen shumë qartë se cila palë ka të drejtë dhe cila palë nuk ka të drejtë. Jo gjithmonë konfliktet zgjidhen duke u tërhequr njëra palë apo tjetra pa argumente”, - tha ministri Pango në konferencën e tij të para pak ditëve.
Spahia- “Problemi nuk ekziston te MTKRS-ja. Ministria jonë, përmes ministrit të saj, e ka firmosur statutin dhe FSHF-ja është e lirë që ta regjistrojë në gjykatë. MTKRS-ja nuk ushtron fare kontroll pranë FSHF-së dhe auditin e kryen Ministria e Financave. Ultimatumi i klubeve? Ministria nuk është iniciatore e saj, duke e quajtur shqetësim të klubeve për investimet e tyre”, - theksoi dje zëvendësministri përgjegjës për sportet, Ekrem Spahia.
Ironia franceze: “Cana nuk bëhet dot kampion bote”
“Lorik Cana nuk do të bëhet dot kampion bote 2010”. Kjo ishte ironia e një shkrimi të faqes sportive franceze footao.net kushtuar pezullimit të Shqipërisë nga FIFA. Klubet shqiptare nuk do të marrin pjesë në kompeticionet ndërkombëtare në nivel klubesh (Liga e Kampioneve, Kupa UEFA dhe ajo Intertoto) dhe ekipi kombëtar nuk do të luajë ndeshje miqësore dhe zyrtare. Shqipëria ka gjasa të humbasë edhe pjesëmarrjen në eliminatoret e Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”. Shqipëria ndodhet në grupin 1 eliminator të zonës europiane së bashku me Portugalinë, Suedinë, Danimarkën, Hungarinë dhe Maltën. Ndeshja e parë zyrtare e Shqipërisë do të jetë ajo kundër Suedisë, më 6 shtator.
Mici: “Konflikti, jo prodhim i FSHF-së”
Konflikti trevjeçar midis Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, që çoi edhe në pezullimin e Shqipërisë nga aktivitetet ndërkombëtare, së pari nga FIFA (14 mars) dhe UEFA (20 mars), është banal dhe i panevojshëm. Kështu pohoi gjatë një interviste të gjatë për Televizionin prestigjioz Vizion Plus ish-sekretari i FSHF-së, avokati i njohur Roland Mici, i cili u shpreh optimist se konflikti i ka të gjitha argumentet të zgjidhet. “Edhe pse jam larguar prej disa muajsh nga Federata dhe jam marrë plotësisht me punët që më lidh profesionin im si jurist, ditët e fundit kam mësuar se është ringjallur konflikti. Të them të drejtën jam habitur nga pezullimi i marrë nga FIFA për një periudhë të pacaktuar. Them më habiti, pasi në Shqipëri njerëzit që drejtojnë futbollin, kam këtu parasysh si njerëzit që drejtojnë në Federatë, ashtu dhe ata në Ministri, janë njerëz që e duan futbollin dhe realisht bëjnë përpjekje që futbolli të ecë përpara. Janë njerëz që nuk luajnë me ndjenjat e tifozerisë shqiptare. Unë besoj se do të jetë një vendim i përkohshëm, pasi të dyja palët i kanë kapacitetet e duhura për të zgjidhur problemin dhe për ta kaluar këtë situatë të pakëndshme. E konsideroj një konflikt banal, edhe për vetë faktin ku mbështetet edhe debati në lidhje me një shtojcë në një nen. Është një konflikt qesharak”.
Ish-sekretari mendon se FSHF-ja nuk ka asnjë gabim në këtë situatë të krijuar. “Unë nuk mendoj se Federata ka gabime, pasi e di mirë se Federata Shqiptare e Futbollit është një organizëm që zbaton me përpikëri të gjitha orientimet dhe vendimet që jepen nga FIFA. Për sa kohë që dhe unë kam qenë pjesë e kësaj federate, nuk di që të kemi pasur konflikte apo kontradikta ndërmjet federatës dhe institucioneve ndërkombëtare. Po ashtu mendoj se e njëjta frymë vazhdon edhe sot e kësaj dite”.
Auditi financiar, sipas asaj që deklaroi ministri Pango në konferencën e tij të fundit për shtyp, vazhdon. Por, a është i ligjshëm ai? Juristi Mici thotë: “Për të qenë më konkretë, për të gjithë periudhën që unë kam punuar në Federatën Shqiptare të Futbollit, nga ana e shtetit në arkën e FSHF-së nuk është investuar asnjë lek. Për këtë arsye, duke ditur që të gjitha fondet ne na vinin nga FIFA dhe UEFA, them që auditi për këtë pjesë është i gabuar dhe me të drejtë ngrihet nga ana e përfaqësuesve të Federatës të mos lejohet ky audit. Për më tepër që është një shoqëri audituese (“Deloite & Touche”) që kryen auditimin dhe nuk është e zgjedhur nga Federata, por e përcaktuar nga FIFA e UEFA, që ka për detyrë të ndjekë të gjithë veprimtarinë financiare të Federatës. Detyrimet e tjera që rrjedhin nga legjislacioni shqiptar në lidhje me tatimet, unë nuk besoj se Federata i ka penguar për të kryer një kontroll të tillë”. Mici flet edhe për akuzat për shitjet e ndeshjeve (me Bjellorusinë e Rumaninë): “Realisht është shumë e rëndë, duke pasur parasysh se kjo pyetje nuk i bëhet jo vetëm një ish-sekretari federate, por edhe një juristi. Unë si jurist jam shumë i kufizuar në dhënien e këtyre opinioneve, që do të thotë: nuk mund të fajësosh apo të akuzosh për shitje ndeshjesh. Minimalisht do një provë konkrete”. Mici theksoi se sheh si më alarmante situatën pas peticionit të klubeve kryesore të elitës së futbollit shqiptar, të cilat, midis të tjerave, kërkojnë edhe dorëheqjen e presidentit të FSHF-së, Duka. “Presidentët e klubeve marrin përsipër një kosto të madhe financiare dhe një faturë të madhe. Në opinionin tim ata janë njerëz goxha të nderuar, të cilët sakrifikojnë nga paratë e tyre për të çuar futbollin shqiptar përpara, aty ku pretendon gjithë bota. Shqetësimi i tyre është i drejtë, por nuk mendoj se ambiciet e këtyre presidentëve të klubeve do të kënaqeshin me largimin e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Nuk mendoj se problemet në futbollin shqiptar zgjidhen duke ikur Armand Duka apo nga ana tjetër ministri Pango”.
Kosova në muajin maj aplikon në FIFA
“Në muajin maj do të aplikojmë për pranim në FIFA në kongresin që mbahet në Sidney të Australisë, kurse më vonë dokumentacioni i Kosovës i dorëzohet UEFA-s që shpresojmë të marrim një ftesë në Kongresin që do të mbahet në muajin mars 2009 në Kopenhagën të Danimarkës”, - tha kryetari i Federatës të Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, pas një takimi zyrtar në Shkup me kreun e Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), ka bërë një hap më përpara politikës së qeverisë së Maqedonisë, Harallampie Haxhiristevski. Dy kryesitë e Federatave të futbollit në Shkup kanë biseduar për bashkëpunimin e ndërsjellë, me qëllim ndihmesën e FFM-së ndaj FFK-së, që kjo e fundit të pranohet në FIFA dhe UEFA. Fadil Vokrri të enjten do të takohet me kryetarin e Federatës së Futbollit të Malit të Zi, Dejan Saviçeviç, në Podgoricë. Ky mik i ngushtë i Vokrrit ka premtuar se do të japë votën në Kongresin e UEFA-së që Kosova të bëhet anëtare me të drejta të plota në shtëpinë e futbollit Europian.
Zbrazet “thesi” qeveritar
Shqipëria do të marrë pjesë në Lojërat e 29-ta Olimpike Verore “Pekin 2008” me katër sportistë të kualifikuar në sportet e mundjes, qitjes e atletikës, ndërkohë që pret të marrë pjesë edhe në sportin e peshëngritjes. Në evenimentin më të madh sportiv të vitit 2008 vendi ynë do të marrë pjesë me sistemin e ftesave edhe me të tjerë sportistë cilësorë. Pranë MTKRS-së është ngritur një grup pune i posaçëm. Për realizimin e planit të punës, MTKRS, përveç fondit grand prej 107.1 milionë lekësh të akorduara për federatat sportive, do të ketë dhe një fond të veçantë nga MTKRS-ja për KOKSH-në dhe federatat pjesëmarrëse në këto lojëra. Mbështetje financiare e MTKRS-së me një fond të veçantë për përgatitjen dhe përfaqësimin e delegacionit sportiv shqiptar do të jetë me shumën 6 100 000 lekë. MTKRS-ja do të japë sot edhe shpërblimet e sportistëve dhe trajnerëve për arritjen e rezultateve të larta të sportistëve tanë në aktivitetet ndërkombëtare në sportet, qitje, mundje dhe peshëngritje. Shuma totale e shpërblimit është 18 850 000 lekë.
20 Mars 2008