“Times”: Ura në Mitrovicë shndërrohet në një mur midis dy botëve
E përditshmja britanike “Times” komenton situatën në Mitrovicë pas ngjarjeve të dhunshme. Sipas gazetës, ura kryesore në Mitrovicë, që lidh komunitetin shqiptar dhe atë serb, tani duket e zbrazët përballë vërejtjeve të një grupi ndërkombëtar se ky vend mund të shndërrohet në një konflikt të ngrirë afatgjatë. Dhe pikërisht në këtë vend, ndarja midis komuniteteve kryesore në Kosovë është në rrezik të shndërrohet në një vijë ndarëse të shtetit të ri, me shumicën shqiptare që jeton në jug dhe atë serbe në veri. “Nëse ata duan pavarësinë, në rregull atëherë, por jo në territorin serb”, - thotë për gazetën Nikola Kabashiç, i cili dikur ka punuar si gjykatës në Mitrovicë. Ai shprehet se protestat do të vazhdojnë, përderisa ndërtesa e gjykatës të mos jetë e hapur për të gjithë njerëzit që jetojnë në Mitrovicë. Episodi rreth gjykatës shihet si hapi i fundit i një fushate serbe për të rivendosur autoritetin në veri, pas përpjekjeve për të marrë kontrollin mbi linjat hekurudhore dhe pas sulmeve në vendkalimet kufitare që pasuan shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt. Kombet e Bashkuara tërhoqën policinë dhe stafin e gjyqësisë nga veriu i Mitrovicës, duke e lënë qytetin në një gjendje të jashtëzakonshme, me ushtarët francezë dhe spanjollë, që patrullonin në rrugët e qytetit dhe ruanin ndërtesën e zbrazur të gjykatës. Një serb 28-vjeçar deklaron për gazetën britanike se “serbët përfundimisht nuk do ta pranojnë Bashkimin Europian, sepse do të ketë një sërë problemesh të reja”. Kjo, sipas tij, “do të thoshte që qeveria kosovare ta kontrollojë veriun e Kosovës, ku serbët jetojnë. Gjëja më e mirë për Kosovën është që mbetet pjesë e Serbisë, por duket qartë se Bashkimi Europian dhe amerikanët nuk e duan një gjë të këtillë", - ka thënë qytetari serb.
Greva e përgjithshme paralizon Greqinë
Greqia është paralizuar nga një grevë e përgjithshme e punonjësve të sektorit privat dhe atij shtetëror, të cilët kundërshtojnë ligjin e ri për pensionet. Kërkesa kryesore e grevistëve është anulimi i projektligjit për sigurimet shoqërore dhe pensionet që pritet të miratojë sot në parlament Partia qeveritare e Demokracisë së Re. Mijëra sindikalistë grekë në rrugët e Athinës, Selanikut dhe qyteteve të mëdha të Greqisë, kanë protestuar dhe kundërshtuar reformat e qeverisë “Karamanlis”. Kjo është greva e gjashtë e përgjithshme në katër muajt e fundit. Grevën në këtë vend e kanë vazhduar edhe nëpunësit e ndërmarrjes elektrike ndërkohë që ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike për disa orë në të gjithë vendin. Në grevë kanë hyrë edhe bankat, ujësjellësi, posta, sigurimet shoqërore, tatim-taksat, shkollat, spitalet, pikat e furnizimit me karburant. Të palëvizura do të ngelen për 24 orë mjetet e shërbimit urban, ndërsa metroja do të punojë me orar të kufizuar në Athinë. Kryetari i sindikatave greke ka deklaruar se qeveria e Karamanlis duhet të heqë dorë menjëherë nga ky projektligj që dëmton masat e gjera të punonjësve grekë.
20 Mars 2008