E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ne, mercenarët e mafies!

Redaksionale

Natyrisht, zoti kryeministër, përderisa na klasifikuat sot si mercenarë mafiozë, nuk do ta keni as të vështirë dhe as problem moral që nesër të na mburrni e të na vlerësoni sa s’ka më. A nuk vepruat kështu dhe me zotin Nano në Pallatin e Brigadave? Por, në ndryshim domethënës nga zoti Nano, për të cilin ju kishit akuza konkrete (Shkallnueri, 9 janari, trafiqet), do t’ju ishim shumë mirënjohës nëse edhe neve të na i specifikonit pak akuzat. Dhe ca më shumë, të mos na fusni të gjithëve në një thes. Na korrigjoni ju, zoti kryeministër, nëse gabohemi, por pjesa dërrmuese e reporterëve-mercenarë që ju përmendni jetojnë sot me qira dhe shumë larg luksit që të ofron mercenarizmi mafioz. Natyrisht, ju zoti kryeministër na keni dalë borxhit dhe na keni “amnistuar” njëherë e mirë me urdhrin që i keni dhënë vartësve tuaj për të mos na hedhur në gjyq. E në fakt, zoti kryeministër, vërtet na keni “kriminalizuar” me këtë urdhër, pasi tashmë keni të drejtën të na bëni mafiozë me deklarata sa herë t’ju teket, ndërkohë që nëse keni fakte për gazetarë që i shërbejnë mafies, duhet t’i çoni urgjent në gjykatë. Sepse kështu shpëtojnë të gjithë ata që e kanë profesionin e raportimit të lajmit, të cilët rrojnë dhe jetojnë me këtë profesion tejet të vështirë në këtë vend që drejtoni ju, tashmë për herë të dytë. Thatë dje se emrin “Gërdec” e dëgjuat për herë të parë në datën 15 mars, ditë që ndodhi edhe mynxyra. Kush jua “tha”? Media, zoti kryeministër. Ata gazetarë që ju i ftuat të dalin lakuriq në ekranet televizive, të cilat mbërritën aty përpara shtetit dhe ecnin mbi bombat e mbjella nga një prej aferave më kriminale që është dëgjuar ndonjëherë. Gjithsesi, ju nuk keni të drejtë t’i akuzoni ata që nxjerrin të palarat e shtetit që drejtoni, sepse pikërisht ky është misioni i gazetarit. As vetë s’e kuptoni se çfarë keni thënë. Duam vetëm t’ju kujtojmë se ka qenë pikërisht dhuna dhe presioni i SHIK-ut dhe i policisë ndaj mediave në kohën që ju ishit president i vendit, që ju bëri “dele të zezë” për Amerikën dhe gjithë botën e qytetëruar. Vini gishtin, zoti kryeministër mbi gazetarët-mercenarë të mafies, përndryshe këtë radhë s’ka ndërmend kush të falë bombën tuaj tymuese të radhës. Edhe pse ke “urdhëruar” që mediat mos të hidhen në gjyq, jemi të sigurt që shumë kolegë do ta bëjnë këtë ndaj jush. Askush nuk mund të mbajë në kurriz baltën e hedhur, sepse prandaj sakrifikojmë, që të jemi krenarë të paktën para fëmijëve tanë dhe opinionit që na ndjek me etje çdo ditë....

20 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›