E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kroacia, Hungaria, Bullgaria e Monako njohën Republikën e Kosovës

Hartës së vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës iu shtuan edhe vendet fqinje të Serbisë, Kroacia, Hungaria, Bullgaria, por edhe principata e Monakos. Njohja e pavarësisë nga Kroacia, Bullgaria dhe Hungaria u bë nëpërmjet një deklarate. Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç, me anë të një letre dërguar Presidentit kosovar Fatmir Sejdiu ka shprehur bindjen për krijimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në frymë miqësie, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi të ndërsjellë. Pavarësia e Kosovës është njohur zyrtarisht edhe nga Hungaria. Vendimi është bërë i ditur nga sekretarja hungareze e Shtetit për Marrëdhënie me Jashtë, Marta Fekszi. Shteteve që njohën Kosovën e pavarur iu shtua edhe principata e Monakos. Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, mori dje një letër nga Këshilltari për Marrëdhënie me Jashtë i Qeverisë së Monakos, Jean Pastorelli, nëpërmjet së cilës u njoftua njohja e pavarësisë së Kosovës. Para dy ditësh, Kosova është njohur nga Kanadaja dhe Japonia. Gjatë ditës së djeshme, Britania ka emëruar ambasadorin e saj në Kosovë duke u bërë kështu vendi i parë që vendos përfaqësinë në Kosovë. Ministria e Jashtme e Britanisë ka bërë të ditur se diplomati që do të përfaqësojë Britaninë e Madhe në Prishtinë është Andreu Sparks. Ndërsa Italia ka bërë të ditur se së shpejti do të ketë përfaqësinë e saj diplomatike në Prishtinë. Kërkesa e vendosjes së një ambasade në këtë vend u miratua nga Këshilli i Ministrave. Autoritetet serbe kanë shtuar përpjekjet për të rimarrë atë që e quajnë territor serb. Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, gjatë takimit me homologen greke, Dora Bakojanis, i ftuar të komentonte njohjen e pavarësisë nga Kroacia, Bullgaria dhe Hugaria u ka drejtuar të gjitha vendeve të rajonit një apel dramatik për injorimin dhe mosnjohjen e pavarësisë së shtetit të ri. “Mos e bëni atë, na ndihmoni për të gjetur një zgjidhje të përbashkët!” - deklaroi Jeremiç. Ai ka sqaruar se nëse Kosova do të njihej nga një numër i madh shtetesh, atëhere do të krijohej një realitet i rrezikshëm për rajonin dhe do të shkelej rëndë e drejta ndërkombëtare. E vetmja pikëpamje unike e elektoratit serb, sipas Jeremiç, që më 11 maj do të vendosë për integrimin e tij në Europë apo izolimin, është mospajtimi kategorik me pavarësinë e Kosovës. “Kushdo që të fitojë në zgjedhjet e 11 majit do të vazhdojë të ndjekë politikën e vendosur për Kosovën”, - tha Jeremiç për të shtuar se vendi i tij do të vazhdojë të punojë për “një zgjidhje kompromisi” nën flamurin e OKB-së. Ndërkohë, diplomatja greke Bakojanis është shprehur se Greqia nuk do ta njohë tani pavarësinë e Kosovës, por do të jetë e kujdesshme dhe do të vëzhgojë rrjedhën e ngjarjeve. Ajo i ka drejtuar një apel Mitrovicës për vetëpërmbajtje dhe kërkoi përgjegjësi për bashkëpunim të të gjitha vendeve për një rajon të sigurt. Ndryshe nga thirrja e Serbisë, Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka bërë thirrje që sa më shumë shtete të njohin pavarësinë e Kosovës. Ky veprim, sipas kësaj organizate, do të ndihmonte për të frenuar zgjerimin e ndikimit të Serbisë në rajonet e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Në një raport të lëshuar të martën, Grupi i Krizave i ka bërë thirrje Bashkimit Europian dhe NATO-s për të bashkërenduar operacionet paqeruajtëse.

20 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›