E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e UNMIK-ut dhe SHPK-ja rikthehen në Mitrovicë

Policia e Kombeve të Bashkuara dhe Shërbimi Policor i Kosovës janë rikthyer dje në veriun e Mitrovicës. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani. Sipas tij, policia ndërkombëtare dhe vendore do të vazhdojnë punën e tyre në këtë pjesë të qytetit, prej nga paqeruajtësit e KFOR-it pritet të tërhiqen gradualisht deri të premten. "Pjesëtarët e SHPK-së do të fillojnë punën e tyre në stacionin që gjendet në pjesën veriore të Mitrovicës. Pjesëtarët e SHPK-së, së bashku me Policinë e UNMIK ut, do të merren me situatën atje dhe nëse situata del nga kontrolli që SHPK-ja dhe Policia e UNMIK-ut nuk mund ta kontrollojnë, atëherë do të ndërhyjë KFOR-i në periudhën më të shkurtër të mundshme në mënyrë që policia të kthehet dhe të kryejë detyrat sipas ligjit”, - tha Elshani. Ndërkohë, kanë vazhduar akuzat për implementimin e përfaqësuesve më të lartë serbë në ngjarjen më të fundit në Kosovë. “Prania e pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Kosovë paraqet shkeljen më flagrante dhe përzierjen në punët e brendshme të Kosovës”. Kështu kanë deklaruar ekspertët e sigurisë lidhur me skenën më të fundit të dhunës në veri të Mitrovicës. UNMIK-u ka pranuar se ka prova të palëkundshme se punonjës të MPB-së të Serbisë kanë qenë të implikuar në uzurpimin e Gjykatës në Mitrovicë. Kjo deklaratë ka ardhur nga zëdhënësi i UNMIK-ut Aleksandër Ivanko. “Ne nuk i kemi lejuar ata që të hyjnë në Kosovë, por ata kanë hyrë. Unë mund t’ju them se kemi prova të palëkundshme se zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë kanë qenë të pranishëm në gjykatë. Nuk është kjo diçka e diskutueshme. Provat do t’u dorëzohen hetuesve. Ne do të provojmë që të sigurojmë se oficerët e Ministrisë së Brendshme të Serbisë nuk do të hyjnë në Kosovë”, - tha Ivanko.

20 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›