Bode:Vendi ynë ka risk të ulët për t’u prekur nga kriza
Risku që ka Shqipëria për t’u përfshirë në krizë për shkak të prekjes së volumit tregtar vlerësohet i ulët.
Për shkak të prekjes së investimeve të huaja direkte, vlerësohet të jetë i ulët.
Ulja e ndihmave dhe financimeve për Shqipërinë vlerësohet i ulët.
Çështja e remitancave vlerësohet me risk mesatar.
Teuta Shamku
Vendi ynë ka risk të ulët të preket nga kriza globale ekonomike. Shqipëria duket se ka prevalencë të ulët të preket nga kriza ekonomike, pasi nga katër tregues që e masin atë, në 3 prej tyre risku është tepër i ulët. Ministri i Financave deklaroi dje se në Shqipëri vetëm rënia e të ardhurave nga emigrantët (remitancat) është efekti negativ që përcillet nga kriza globale. Sipas Bodes, treguesit e tjerë që masin krizën, si volumi tregtar, investimet e huaja direkte dhe ndihmat financiare vlerësohen si risk i ulët dhe kjo është bërë publike, tha ai, edhe në letrën e publikuar nga FMN-ja. “Unë nuk mund të mohoj që në qoftë se Shqipëria do të përfshihet në vorbullën e krizës, nuk do të ketë pasoja, por mendoj që Shqipëria është ende larg kësaj vorbulle. Por dhe nga konsideratat e kësaj letre ju shikoni që nga katër tregues që merren dhe analizohen, në tre prej tyre Shqipëria konsiderohet si një vend me risk të ulët. Risku që ka Shqipëria për t’u përfshirë në krizë për shkak të prekjes së volumit tregtar, vlerësohet të jetë i ulët. Për shkak të prekjes së investimeve të huaja direkte, vlerësohet të jetë i ulët. Dhe për shkak të uljes së ndihmave dhe financimeve për Shqipërinë, që po ashtu vlerësohet i ulët. Ndërsa vlerësohet me risk mesatar çështja e remitancave”, - është shprehur dje ministri i Financave. Sipas tij, në letrën e FMN-së, Shqipëria është vend i cili merr vlerësimet më të mira në grupin prej 26 vendesh, i cilësuar grupi i vendeve më të rrezikuara. Bode theksoi ndër të tjera se Shqipëria, për 3 nga 4 treguesit, vlerësohet me mundësi shumë të ulëta krize dhe vetëm një tregues vlerësohet me efekt mesatar në zhvillimet e krizës financiare botërore dhe impaktet që mund të ketë ajo për Shqipërinë. Ai përmendi faktin se qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë masash ndër vite që janë shumë të përshtatshme për periudhën e krizës dhe që kanë të bëjnë me politikat fiskale. Bode tha se bota sot ka dy kriza, një krizë që ka të bëjë me sistemin financiar dhe bankat dhe një krizë të dytë që vjen e impaktuar nga kriza e sistemit financiar, që do të thotë impakti në ekonominë reale. Sipas Bodes, në elementin e parë të krizës Shqipëria nuk u prek, sistemi ynë bankar ka qenë një sistem i mirë dhe shpresojmë që bankat që operojnë në Shqipëri, do të përforcohen po ashtu në mënyrë të kënaqshme edhe në të ardhmen në tregun shqiptar. Ai argumentoi se nga ana e pikëpamjes së impaktimit të krizës financiare në aktivitetet ekonomike, të gjitha analizat të çojnë se nuk ka arsye që ekonomia shqiptare të impaktohet, por vendi ynë nuk mund të jetë i izoluar dhe kriza botërore do të japë impaktin e vet dhe impakti kryesor është ai psikologjik, i vendimeve që marrin individët për të abstenuar nga konsumi, për të ulur nivelin e konsumit të tyre. “Ky është i vetmi risk që mund të ekzistojë për ne dhe, e dyta, sepse një pjesë e eksporteve tona, siç janë mineralet, adresohen drejt vendeve dhe industrive që tashmë janë të prekura nga kriza”, - tha Bode. Ai argumentoi se këto dy elemente qeveria është munduar t’i kompensojë me efekte të tjera. Ai shtoi se buxheti i vitit 2009 ka masa të mëdha sigurie. Bode tha se qeveria ka një kontigjencë prej 200 milionë eurosh në buxhetin e shtetit. “Ne po marrim një kredi dhe kjo ka të bëjë me rritjen maksimale të masave për të papriturat ndaj buxhetit. Kjo kredi prej 250 milionë eurosh synon që të mos impaktojë kursin e këmbimit në tregun financiar dhe kemi një sërë masash të tjera, të ndërmarra në kuadrin e nxitjes së drejtpërdrejtë të aktiviteteve prodhuese, të cilat gjithashtu do të ndihmojnë dhe lehtësojnë bizneset që të mos preken nga kriza”, - tha Bode.
Durrës - Kukës, në 2009-n investimi 250 milionë euro
Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha dje se për rrugën Durrës-Kukës-Morinë po investohen në total për këtë vit nga buxheti i shtetit 250 milionë euro. Sipas kreut të Financave Publike, nga kredia e kërkuar në tregun financiar ndërkombëtar do të financohen për rrugën Durrës-Kukës jo më shumë se 150 milionë euro. Rruga Durrës-Morinë, 170 km e gjatë, lidh bregun e Adriatikut me kufirin e Kosovës dhe rajonin.
Ministri i Financave, Ridvan Bode, theksoi të enjten gjatë një konference për shtyp se financimi i kredisë nga institucione të rëndësishme financiare ndërkombëtare është një patentë sigurie dhe besimi për ekonominë dhe qeverinë shqiptare.
Ministri Bode sqaroi dje pse lindi nevoja për kredinë 250 milionë euro që qeveria ka marrë nga Deutche Bank dhe Alpha Bank. Bode tha se ky financim do të mbështesë programin e miratuar nga Kuvendi për buxhetin e vitit 2009. Sipas ministrit Bode, nevoja për një kredi të tillë kushtëzohet nga dy faktorë dhe u shërben gjithashtu dy qëllimeve që kanë të bëjnë me realizimin me sukses të programit të investimeve publike për vitin 2009, ndërsa përbën një instrument të përshtatshëm, shumë të nevojshëm për të reaguar përballë efekteve të krizës globale, krizës financiare që ka përfshirë sot tregjet ndërkombëtare.
Bozdo: Shqipëria, baza të qëndrueshme për amortizimin e krizës
Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës tha dje se qeveria ka krijuar baza të qëndrueshme për amortizimin e krizës. Duke hedhur poshtë akuzat e bëra nga PS-ja mbi ardhshmërinë e ekonomisë shqiptare, Bozdo ka sqaruar se reformat e kryera nga qeveria garantojnë një rritje ekonomike të qëndrueshme. Duke iu referuar raporteve të organizmave të huaja, Bozdo tha se në këto raporte theksohet se rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2009 parashikohet të jetë ndërmjet shifrave 3,5% dhe 5,5 % dhe këtë gjë opozita e