E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Pani plak" që endet në romanca dashurie

Poet i lindur! Kështu e quan Xhevahir Spahiu, mikun e tij, poetin Pano Taçi, ose "Pani Plak". E quan një zë krejtësisht të veçantë në letrat shqipe, jo vetëm me poezinë, por edhe me jetën. 13-vjeçar, pati fatin të njihej e të miqësohej me poetin e madh lirik, Lasgush Poradeci. Sigurisht që u ndikua prej tij, e sigurisht që mori prej tij më të mirën. Ai ishte poeti, e Pano Taçi poeti i ardhshëm. Krijimtarinë poetike e nisi mjaft herët, e madje vetë Lasgush Poradeci i botoi poezitë e para. Por nuk mundi të ecte gjatë në këtë rrugë. U burgos dhe u internua për 24 vite me radhë. E megjithatë, nuk rreshti së shkruari, së krijuari, së thëni se shpirti njerëzor dhe dashuria vlen më shumë se kaq. "Po të kishte një fat më të mirë nuk e dimë a do të ishte edhe një poet më i mirë, sepse dhembja e ushqen njeriun, e ushqen poetin. Dostojevski ka thënë: më jepni një dhembje t‘ju jap një kryevepër", thotë poeti Xhevahir Spahiu si për të rrëfyer më qartë krijimtarinë e mikut të tij, poetit Pano Taçi.

Ai flet për dashurinë, për të gjitha proceset nëpër të cilat ajo kalon, pa druajtje. Është i thjeshtë, i hapur, dhe i drejtpërdrejtë. Poezia e tij është sa lirike aq edhe erotike. "Erotika e poezive të tij është e ndjeshme, aty nuk ndihet veli i turpit. Gjithçka mund të dallosh aty është vetëm natyra", thotë miku tjetër i tij, gazetari Zylyftar Hoxha. Ka shkruar edhe këto kohë. Pikërisht këto poezi që s‘i ka ndarë me askënd, miqtë e tij po i përgatisin për botim në një libër të titulluar "Kitara cigane". "Tek ai fjala dhe krijimi janë një, nuk janë dy. Nuk është një gjë e shtirur e bërë me pahir. Përderisa fati atë e mori përdore dhe e çoi te Lasgushi që në moshën 13 vjeç, kjo do të thotë se nuk ndodh rastësisht. Poeti i ardhshëm shkoi te poeti që ish", tregon më tej Xhevahir Spahiu. Sipas tij, Panua, na sjell atë botë që i ka munguar letërsisë shqipe në këto 50 vjet. Na sjell botën e nëndheshme, burgjet, vuajtjet të cilat nuk mund të vinin në faqet e shkruara të letërsisë nga ata poetë e shkrimtarë që ishin jashtë, por gjithsesi të rrezikuar. Në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të gjallë do ta sillnin ata që e jetuan atë botë. "Poezia e tij është shumë e vetvetishme me një ndjeshmëri të shkallës së lartë. E bashkuar gjithmonë me një mendim poetik, jo mendim të ftohtë dhe racional, ai shkëlqen në poezitë e dashurisë. Ato i ka të shkruara me një pastërti fjale, me një zjarrmi të brendshme, i ka shkruar të përmbajtura në hapat më të hershëm dhe të papërmbajtura në hapat e mëvonshëm. Këto të mëvonshmet, që janë poezi jo vetëm erotike si të parat, por edhe sensuale ose gati-gati, pornografike. Unë mendoj që me poezinë e dashurisë, në pjesën e parë të krijimtarisë së tij, Pano Taçi, vijon këngën lasgushiane. Aty ka një sensualizëm romantik, janë të ndjera dhe flurore, të ikin nga duart", vijon më tej komentin e tij poeti Spahiu, i cili së bashku me të tjerë miq i ka qëndruar përherë pranë "Panit plak". E në të vërtetë ai nuk mund të mos jetë i ndikuar prej poezisë së Lasgushit, si frymë. Shpeshherë ai, ashtu si Lasgushi, edhe Pano Taçi merr edhe nga populli, nga folklori, nga lirika popullore. "Është poet i mirëfilltë lirik", tregon i qeshur Xhevahir Spahiu. Unë mendoj që kjo përmasë e poezive erotike e bashkuar me dy përmasa të tjera, poezinë filozofike dhe shoqërore përbëjnë Panon poet. Krijimtaria e tij ka kaluar thuajse nën zë, e heshtur, si një dashnor që vuan dashurinë në vetmi. "Ai është shumë i njohur në qarqet letrare. Ata që janë të interesuar dhe që e ndjekin letërsinë, e njohin mirë këtë poet. Në Maqedoni është shumë i pranishëm, por edhe në Kosovë. Për moshën që ka ai është një poet shpërthyes. Poezia e tij e burgut nuk është e errët, ajo është me dritë edhe pse letërsia e tij është një letërsi klandestine. Është e çuditshme!", tregon miku tjetër i poetit, gazetari Hoxha.

Pano është poet i dashurisë! Ai është një poet sa i dashurisë aq edhe i revoltës, sa i lirisë, dhembjes, aq edhe i dhembshurisë për njeriun. Një poet i plotësuar, shpirti i të cilit nuk ka të bëjë me gjendjen fizike të tij. I ka kaluar të 80-at dhe endet pa shtëpi, pa mbështetje. Sot e derisa të kenë fuqi, atë e mban vetëm gjallë fryma njerëzore e miqësore e miqve të tij. Këtij poeti i mungon klima letrare po aq sa i mungon edhe vëmendja shoqërore... A mundet që një poet i rrethuar nga kaq mjerim të flasë e të shkruajë për dashurinë? "Po njeriu është shumë misterioz, më tepër akoma poetët. Ai e përjeton botën dhe krijon njëkohësisht një botë të ëndërruar prej tij, i realizon të dyja e ka këtë fuqi shpirtërore. Ne nuk po flasim për Panon plak, ose "Pani Plak" siç e quajmë ne. Po flasim për një Pano që dikur e jetonte jetën në tërë hapësirat që krijonte ajo", shton poeti i madh, Xhevahir Spahiu, duke shtuar edhe një leksion të vogël e të madh frymëzues e përgjithësues: poeti është si një tel violine shumë i fuqishëm dhe njëkohësisht i ndjeshëm, që e prek dashuria me gishtat e saj, e prek dhimbja, padrejtësia ose ëndrra për të bukurën. Lirinë gjithashtu e prekin këto gishta dhe kjo liri poetike lëshon një tingull të mahnitshëm...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›