E Diel, 1 Nëntor 2026

Paniku euro mbërrin në Shqipëri. Zhak Delor: Euro pati të meta që në fillim

Share

Në Tiranë, Shkup dhe Beograd, monedhat vendase njohën forcim gjatë ditëve të fundit, ndërsa njerëzit po nguten të këmbejnë eurot e tyre në monedha alternative, njofton gazeta Shqip.

Euro u këmbye të premten për 138.25 lekë, kuota më e ulët e regjistruar që nga 11 janari i këtij viti. Në krahasim me të enjten, euro humbi 0.7 për qind, ndërsa në krahasim me një javë më parë, euro kushton 1.3 për qind më lirë.

Leku u forcua dje edhe kundrejt dollarit, i cili u këmbye me 102.57 lekë sipas kursit mesatar të publikuar nga Banka e Shqipërisë.

Nëntori nuk njihet si një muaj pozitiv për lekun. Përgjatë dekadës së fundit, leku gjatë kësaj periudhe të vitit ka njohur dobësim gradual për shkak të rritjes së importeve për ushqime dhe energji.

Ndërkohë, një nga arkitektët e monedhës evropiane, Zhak Delor, ka deklaruar se eurozona pati të meta që në fillim.

Ai tha për Daily Telegraph se mungesa e fuqive qendrore për të koordinuar politikat ekonomike, lejoi disa anëtarë të abuzojnë me borxhet. Delor, që ka drejtuar Komisionin Europian nga viti 1985-1995, tha se ministrat e Financave mbyllën një sy ndaj problemeve që po lindnin, në vend që ti trajtonin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›