E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria humb gjyqin, “Italstrade” dëmshpërblehet me 4 mln euro

SHKRUAN: Blerina Hoxha 02-12-2011 13:50

Ministria e Transportit do t’i japë nga buxheti i saj i 2012-s kompanisë italiane “Italstrade” shumën prej 4 milionë eurosh, si rezultat i humbjes së çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit

Shteti shqiptar ka humbur një tjetër çështje në gjykatën ndërkombëtare të arbitrazhit, fatura e së cilës është 4 milionë euro për buxhetin e shtetit. Një vendim i qeverisë, i cili ka marrë fuqi dje pas botimit dje në Fletoren Zyrtare, i njeh firmës italiane të ndërtimit të rrugëve dëmshpërblimin. Sipas këtij vendimi, shuma do të shlyhet gjatë vitit që vjen nga buxheti i Ministrisë së Transporteve. “Qeveria vendosi ‘Ekzekutimin e vendimit nr.13205-FM, datë 14.2.2006 të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, për çështjen ‘Italstrade s.p.a., kundër Republikës së Shqipërisë’, në vlerën 4 milionë euro, vlerë për të cilën është rënë dakord sipas marrëveshjes së negocimit me kompaninë ‘Italstrade’”, përcakton vendimi i Këshillit të Ministrave. Kompania e ka fituar çështjen që në vitin 2006, por ndërkohë qeveria shqiptare ka apeluar vendimin duke mos shlyer edhe shumën prej 4 milionë euro ndaj kompanisë. Ndërkohë që në të gjitha shkallët e apelit ka fituar kompania italiane, të cilës më së fundmi qeveria duhet t’i shlyejë faturën e gjyqit. Nga ana tjetër Avokati i Shtetit ka kërkuar që të gjitha kontratat që shteti lidh me privatët duhet të jenë objekt i këshillimit të Avokatit të Shtetit që në nisje të negociatave. Ky detyrim tashmë ligjor mbyll përfundimisht mundësinë e padive të shumta që privatët i bëjnë shtetit pas dështimit të kontratave. Është detyrim i institucioneve të shtetit shqiptar të konsultojnë çdo kontratë administrative me Avokaturën e Shtetit. Me kontrata administrative kuptohen kontratat e punëve publike, e prokurimeve dhe e koncesioneve. Në çdo ministri ka nga një Avokat Shteti, i cili mbulon një ministri dhe institucionet e varësisë së saj, duke ofruar këshillimin e kontratave që nga momenti i tenderimit në momentin e negocimit të nënshkrimit, dhe ekzekutimit të tyre. Shteti është i paditur deri më tani në shtatë raste në arbitrazhin ndërkombëtar dhe rasti më pikant është ai i General Elektrik. Kjo kontratë, e cila nuk ishte konsultuar më parë as tek Avokati i Shtetit, tashmë e ngarkon qeverinë me një detyrim mbi 10 milionë euro. Në rastin e General Elektrik ishte një kontratë që është bërë pa tenderim, i është dhënë me preferencë kompanisë dhe kjo ka qenë një nga arsyet që është kontestuar dhe nga ana shtetit në procesin e arbitrazhit. Sipas Avokatit të Shtetit, deri më tani shumë institucione, ku shquhet Ministria e Transportit, kanë krijuar traditën e konsultimit të çdo kontrate. Por ka ende shumë raste të tjera kur kontraktuesit shtetërorë nuk e marrin në konsideratë këtë detyrim ligjor.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›