Rrugët 2012, opozita propozon komision auditimi
Shqetësimi i opozitës, mbeten borxhet ndaj kompanive të ndërtimit që, sipas opozitës, kanë zgjeruar zinxhirin e rritjes së borxheve të shtetit. Për këtë qëllim, deputeti socialist Erion Braçe propozoi që komisioni kuvendor i Ekonomisë të diskutojë për ngritjen e një komisioni, i cili të auditojë punët publike të kryera
Debate të ashpra ka ngjallur diskutimi i buxhetit nen për nen dje pasdite në komisionin kuvendor të Ekonomisë, ku u shqyrtua fondi për rrugët kombëtare. Zëvendësministri i transporteve, Ernest Noka, në përgjigje të deputetëve të pranishëm deklaroi se brenda gjashtë muajve të parë të vitit 2012 do të përfundojnë projektet e nisura në infrastrukturën rrugore kombëtare dhe deri më 2013-ën do të përfundojnë gjithë akset. Shqetësimi i opozitës, i cili nxiti edhe debatin e ashpër, mbeten borxhet ndaj kompanive të ndërtimit që u ka qeveria, që, sipas opozitës, kanë zgjeruar zinxhirin e rritjes së borxheve të shtetit. Për këtë qëllim, deputeti socialist Erion Braçe propozoi që komisioni kuvendor i Ekonomisë të diskutojë për ngritjen e një komisioni, i cili të auditojë punët publike të kryera deri tani në infrastrukturë, me qëllim që, si ligjvënësit ashtu edhe biznesi, të ketë një përgjigje. Gjithashtu, Braçe propozoi që vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili dikton kryerjen e 70% të vlerës së punës së kompanive për t’u paguar, të shfuqizohet dhe të vihet një tavan më i ulët deri në 30%, duke u vënë kritere më të shtrënguara dhe gjithashtu penalitete më të rënda. “Të bëhet një auditim i plotë i situatës, që të mos lejojmë që zinxhiri i borxheve të vendit të kapë edhe punët publike. Bizneset detyrohen të punojnë përtej kontratës dhe për një kontratë tjetër i drejtohen bankës dhe nisin borxhet e kështu rritet zinxhiri”- u shpreh Braçe. Në përgjigje të deputetëve, zëvendësministri Ernest Koka sqaroi se mirëmbajtja e Durrës-Kukës-Morinë-Rrëshen-Kalimash do të bëhet me koncesion. Tenderi, deklaroi ai, do të bëhet brenda dhjetorit dhe do të jepet me koncesion. Sipas tij, brenda 2013-s do të përfundojnë gjithë akset e rëndësishme dhe nuk do të ketë më nevojë për koncesione, si një nga direktivat e BE-së. Duke sqaruar me radhë për projektet e zvarritura infrastrukturore, zv.ministri shpjegoi se rruga Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë kanë patur probleme që në momentin e tenderimit dhe ka qenë pikërisht ky problem që janë zvarritur punimet. Ai shpjegoi se projektet janë riparë. Përsa i përket rrugës Levan-Tepelenë, ka qenë edhe problemi i koncesionit të HEC-it të Kalivaçit, pasi përmbyste rrugën. Noka garantoi se këto rrugë do të mbyllen përfundimisht në qershor 2012. Në lidhje me skemën e mirëmbajtjes së rrugëve, Noka deklaroi se projekti nis më 2013- 2014, pasi nuk kanë përfunduar tratativat në këtë drejtim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit përsa i përket akseve kryesore që po rehabilitohen nga ky fond. Ndërsa për Kukësin dhe Tiranën po përmbyllet kontrata me Bankën Botërore. Në lidhje me vonesat në rrugën Milot-Fushë-Krujë, Noka theksoi se ka patur probleme me shpronësimin, pasi pronarët nuk kanë patur dokumentacionin që i legjitimonte si pronarë të tokës. Tanimë, u shpreh Noka, shpronësimi është kryer dhe në qershor 2012 pritet të përfundojë ky aks. Ndërsa për rrugën Milot-Thumanë janë zvarritur punimet për shkak të kompanisë që do të kryente punimet, pasi shteti ynë nuk i plotësonte dot kushtet e vëna nga kompania. Tanimë, sipas Nokës, janë vënë kushte të reja sipas direktivave të BE-së dhe punimet do të përfundojnë shpejt. Ndërsa për rrugën e Arbrit, vonesat janë shkaktuar për shkak të devijimit nga standardet e BE-së. Në fakt, tha zv.ministri, pjesa më e madhe e punimeve ka përfunduar, kurse për pjesën tjetër do të bëhet përshtatja me BE-në. Aksi Lushnjë-Berat ka nisur punimet për lotin e parë. Deputeti i PS-së, Erion Braçe, gjatë debatit theksoi se këto projekte nuk kanë për të përfunduar më 2012, për arsye të borxheve ndaj kompanive dhe të copëzimit të projekteve në vite. Sipas tij, nuk ka pse projektet të zgjaten në 3-4 vite, kur mund të përfundojnë më shpejt. “Rruga Berat-Skrapar kushton 173 mln lekë; më 2011 buxheti ka akorduar për projektin 1 mln lekë dhe për 2012-n 10 mln lekë. Si mund të përfundojë më 2012 ky projekt”? – tha Braçja. Kreu i komisionit, Edmond Spaho, argumentoi se kjo është një çelje fillestare, që do të punohet gjatë rrugës. Buxheti për infrastrukturën rrugore për vitin 2012 është parashikuar të jetë vetëm 12 miliardë lekë ose rreth 55.2% të totalit të investimeve publike. Në projektbuxhetin 2012 parashikohet që 32.7% e investimeve publike për këtë ministri të jenë investime me financim të brendshëm. Kështu me këto fonde parashikohet ndërtimi dhe rehabilitimi i 80 km rrugë të rrjetit kombëtar, e vlefshme me 2.2% të rrjetit total, sipas standardeve të projektimit. Sistemim asfaltim dhe riveshje e 27 kilometrave rrugë të rrjetit kombëtar, e vlefshme me 0.7% të rrjetit total.