Kriza e euros, si një përfitim për Shqipërinë
Vende në zhvillim si Shqipëria, duket se nuk do të jenë totalisht humbëse në një rast krize të thellë ose falimenti të mundshëm të eurozonës, siç po diskutohet shpesh kohëve të fundit. Dhe, në fakt, disa nga këto përfitime kanë nisur të ndihen. Manifaktura në Shqipëri këtë vit duket se ka pësuar rritje të ndjeshme, për shkak se këto biznese aktualisht në Europë, janë dobësuar e për pasojë janë bërë më pak të konkurrueshme. Mirëpo rritja e biznesit të manifakturës në vend do të ndikonte ekonominë pozitivisht në dy anë. Së pari, në rritjen e eksporteve dhe së dyti, në rritjen e punësimit në vend. Të dyja këto zhvillime do të çonin në rritjen ekonomike të vendit. Dje, të dhënat përfundimtare të studimit të indeksit Menaxherial për Manifakturën në nëntor treguan se, përgjatë muajit që lamë pas, sektori i manifakturës në eurozonë regjistroi rënien më të lartë në 2 vitet e fundit. Rënia është pasuar nga ulja e punësimit në këtë sektor, për herë të parë që nga prilli i vitit 2010, ndërsa niveli i prodhimit qëndron i njëjtë me qershorin e vitit 2009, kur eurozona regjistroi daljen nga recesioni. Të dhënat e studimit të manifakturës tregojnë se tashmë, recesioni në periferinë ekonomike ka prekur edhe prodhuesit në zemër të eurozonës. Ndërkohë që në Shqipëri ka ndodhur e kundërta, doganat raportojnë për një rritje të eksportit të fasonit nga Shqipëria në Europë. Rritja raportohet të jetë 50 për qind më e lartë në krahasim me një vit më parë. Ndërkohë që vetë Shoqata e Fasonëve ka pohuar se, interesi për të zhvendosur bizneset nga eurozona në vendin tonë është rritur. Kriza që ka prekur së fundmi eurozonën është krizë e financave publike dhe biznesit financiar në tërësi. Ndërkohë që në një kolaps të mundshëm, biznesi i manifakturës do të jetë përfitues edhe për shkak të diversifikimit të investimeve.
Draghi: Situata është përkeqësuar
Në një fjalim përpara Parlamentit Europian, kreu i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, sinjalizoi se ka vullnetin për të shtuar përpjekjet në stimulimin e ekonomisë në eurozonë. Në këtë fjalim ai tha se situata ekonomike është përkeqësuar, janë rritur rrisqet dhe banka është e shqetësuar për shtimin e problemeve me të cilat përballet sistemi bankar në Europë. Duke iu referuar koordinimit të 6 bankave qendrore më të mëdha në botë, për të ofruar likuiditet për sistemin financiar, Draghi tha se Banka e Europës do të garantojë se inflacioni nuk do të jetë në nivele larg kufirit të 2%, që synohet si në terma pozitivë, ashtu edhe në terma negativë. Tregjet e përkthyen fjalimin e kreut të Bankës Qendrore Europiane, si një sinjal të sigurt se, në mbledhjen e javës së ardhshme ajo do të ulë normën bazë të interesit e, për pasojë, euro ra në pikën më të ulët për sesionin e sotëm. Ndërsa analistët janë të ndarë në opinione, ku një pjesë parashikojnë uljen e interesave, ndërsa pjesa tjetër thanë se komentet e Draghi-t për rritjen e rrisqeve në ekonomi nuk sugjerojnë domosdoshmërisht ulje të interesave. Ndërkohë, në lidhje me lëvizjet e fundit të politikëbërësve europianë për zgjidhjen e krizës së borxhit, Draghi u pozicionua në krah të çiftit Merkel-Sarkozy.