Presidenti Topi ndeoi sot kontributin e personaliteteve që rrëzuan simbolet e komunizmit
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi vlerësoi dhe nderoi sot kontributin e veçantë të disa personaliteteve dhe institucioneve për rrëzimin e simboleve të komunizmit në Shqipëri. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast në Pallatin e Brigadave ishin të pranishëm, përfaqësues të Trupit Diplomatik në vendin tonë, Zëvendësambasadori amerikan z. Stiven Kristina, Ambasadorja franceze znj. Mariz Davje, Ambasadori gjerman Bernd Borhard, ambasadori danez. Z. Karsten Ankjer Jensen, Shefi i Departamentit ligjor të Prezencës së OSBE, z. Frank Dalton, Kryetarja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, përfaqësues nga Këshilli i Evropës, znj. Vasilika Hysi, drejtues të komuniteteve fetare, të të shoqatave të të persekutuarve dhe të dënuarve politikë, familjarë të personaliteteve të dekoruara si dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit të Republikës. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve përkatëse nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, z. Aleksandër Flloko, Presidenti i Republikës i dorëzoi Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë “Medaljen e Artë të Shqiponjës” me motivacionin: “Për kontribut të çmuar në Lëvizjen Demokratike dhe veçanërisht, në protestën e qytetarëve të Tiranës të 20 Shkurtit 1991 për përmbysjen e simboleve komuniste, si moment i rëndësishëm në ndryshimet progresive në vend”.
Me “Medaljen e Mirënjohjes”, Kryetari i Shtetit dekoroi Qendrën Shqiptare për Reabilitimin e Viktimave të Traumës dhe të Torturës me motivacionin: “Për kontribut të vyer, në reabilitimin e ish të përndjekurve politikë të mbijetuar nga traumat dhe torturat e regjimit komunist, të pjesmarrësve në protestën e 20 shkurtit 1991 dhe mijëra refugjatë kosovarë gjatë krizës humanitare të Kosovës”.
Ndërkohë që me motivacionin: “Për kurajon dhe guximin qytetar të treguar, si pjestar aktiv i protestës së popullit të Tiranës, të 20 shkurtit 1991, për përbysjen e simboleve komuniste, si moment i rëndësishëm në Lëvizjen Demokratike”, Presidenti Topi i akordoi z. Saimir Reshit Maloku “Medaljen e Artë të Shqiponjës”.
Në këtë ceremoni dekorimi, Presidenti i Republikës nderoi me Medaljen “Pishtar i Demokracisë” znj. Hyget Murat Borova, znj. Lida Dhori Bezhani, znj. Liliana Lame Llapaj, znj. Lindita Muharrem Hamiti, z. Astrit Gjolek Hatellari, znj. Sanije Ibrahim Vojka, z. Albert Dino Risila, si dhe znj. Vera Hasan Rada me motivacionin: “Për kurajon dhe guximin qytetar të treguar në rrëzimin e simboleve komuniste më 20 Shkurt 1991 dhe në fitoren e demokracisë në Shqipëri”.
Gjithashtu, me “Medaljen e Mirënjohjes” u dekoruan nga Presidenti Topi zotërinjtë Ardian Besnik Heta, Xhovalin Nazmi Çokani dhe Hajredin Rauf Fratari me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në rrëzimin e simboleve komuniste më 20 shkurt 1991 dhe në fitoren e demokracisë në Shqipëri”.
Në emër të personaliteteve të dekoruara përshëndeti Saimir Reshit Maloku, i cili në fjalën e tij u shpreh:
“I nderuar zoti President i Republikës,
Të nderuar diplomatë,
Të nderuar pjesëmarrës,
Është një nder i madh që ne sot po dekorohemi, ne protagonistët e 20 shkurtit 1991. Kjo gjë po ndodh në të njëjtën orë kur 18 vjet më parë, ne, unë dhe këto protagonistë këtu i bëmë thirrje popullit protestues tek Radiotelevizioni që të marshonim drejt sheshit “Skënderbej” në mënyrë që të rrëzonim monumentin e diktatorit komunist. Ne shpëtuam një gjakderdhje të mundshme që mund të ndodhte atë ditë kur turma protestuese insistonte të shkonte tek blloku qeveritar. Ne realizuam idealin që i kishim vënë vetes tonë, rrëzimin e simboleve komuniste, të cilin e realizuam me sukses. Duke na dekoruar ne Presidenti i Republikës ka dekoruar popullin demokrat të Tiranës, shtresat e të përndjekurve politikë, sepse shumica e këtyre protagonistëve janë të përndjekur politikë. Gjithashtu unë falenderoj në emër të pjesëmarrësve, të protagonistëve, edhe 40 shoqata, institucione, komunitete fetare, gjithashtu dhe 210 personalitete të rëndësishme dhe ish-protestues, të cilët propozuan dekorimin tonë. Ato propozuan që kjo ditë të quhet “Dita e rrëzimit të simboleve komuniste” nga qeveria dhe e nderimit të viktimave të regjimit komunist".
...