E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panorama Sport: Kombëtarja i bën puç, Bariç jep dorëheqjen

Jetmir Halilaj
Skuadra e tij e zhgënjeu në dy ndeshjet më vendimtare të edicionit dhe një teknik me përvojë si Baric e kuptoi qartë se ekipi që ai drejtonte nuk i përgjigjej më kërkesave të tij. Oto Baric ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen nga kreu i stolit të Kombëtares, duke thënë se nuk mund ta drejtojë më përfaqësuesen kuqezi. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi për shtyp i FSHF-së, Lysjen Nurishmi, i cili ka thënë se trajneri Baric ka vendosur të japë dorëheqjen: "Baric ka dhënë dorëheqjen. Ai ka thënë se nuk mund ta drejtojë më Shqipërinë". Mësohet se Oto Baric ka shkuar qetësisht në hotelin ku ishte akomoduar dhe pasi i ka mbledhur të gjithë futbollistët, u ka thënë atyre: "Djema, ju falënderoj për gjithë mundin dhe kontributin tuaj gjatë këtij edicioni. Ju faleminderit për cka keni dhënë për Kombëtaren shqiptare dhe për mua këtë edicion. Unë po ju komunikoj se nuk do të jem më trajneri juaj, pasi kam dhënë dorëheqjen. Ju uroj suksese në të ardhmen tuaj". Tekniku kroat e tha tërthorazi, edhe pas humbjes me Bjellorusinë në Tiranë, se performanca që bëri skuadra e tij në këtë ndeshje nuk ishte ajo që dëshironte ai. "Kjo nuk është Shqipëria ime", ishte deklarata e teknikut 75-vjecar, i cili ndoshta nuk ka mundur të thoshte se lojtarët nuk po zbatonin ato që u kërkonte ai. Humbja e turpshme dje kundër Rumanisë, përvecse një shpërfytyrim i gjithë ekipit kuqezi mund të konsiderohet edhe si një puc për "plakushin" Baric, i cili vetëm në këtë mënyrë mund të largohej, pasi edhe ulja e rrogës nuk arriti ta detyronte që të braktiste stolin kuqezi. Humbja e turpshme dje rikthen edhe njëherë në mendjen e shqiptarëve thirrjet në kor të tifozëve në ndeshjen kundër Bjellorusisë "E shitët!". Bashkë me teknikun pritet të largohet edhe asistenti i tij kroat, Slavko Kovacic, i cili është cilësuar gjithnjë si krahu i djathtë i Baricit. Pritet që gjatë ditëve të ardhshme të nisin tratativat për trajnerin e ri që do të pasojë kroatin. Katanec Srecko Katanec mund të jetë pasardhësi i trajnerit Oto Baric. Tekniku slloven ka qenë gjithnjë një nga më të preferuarit e presidentit Armand Duka, i cili asnjëherë nuk e ka fshehur simpatinë për të. Katanecit i përfundoi kontrata me Maqedoninë dhe tani është i lirë. Tare e parashikoi largimin e kroatit Ish-kapiteni i përfaqësueses shqiptare, Igli Tare, e kishte parashikuar një surprizë të minutave të fundit në lidhje me trajnerin dhe kështu ndodhi. Sulmuesi i Lacios deklaroi se kishte dyshime nëse Baric do të ishte trajneri i Shqipërisë edhe për edicionin tjetër dhe ndërkohë shigjetoi si Baricin, ashtu edhe Dukën për situatën aktuale të kombëtares. "Rrezikojmë të shkojmë në vendin e gjashtë, pasi në skuadër nuk ka harmoni", tha Tare dhe në fakt skuadra kuqezi dështoi, sepse nuk mundi të siguronte vendin e katërt, pasi u rendit e pesta në Grupin G. Kroati nuk e theu rekordin e Brigelit Oto Baric nuk arriti të thyente dot rekordin e Brigelit, me të cilin Kombëtarja shqiptare arriti të grumbullonte 13 pikë në edicionin e kaluar. Kroati premtoi se do ta thyente këtë rekord kur mori drejtimin e Shqipërisë dhe megjithëse ishte shumë pranë realizimit të këtij premtimi, nuk mundi ta bënte një gjë të tillë, pasi skuadra e la në baltë pikërisht në dy ndeshjet e fundit, atëherë kur duhej të tregonte forcën dhe karakterin e saj. Kohët e fundit Baric pati përplasje edhe me zv/kapitenin e skuadrës, Lorik Cana, i cili tha se Shqipëria duhej të drejtohej nga një trajner më i ri edicionin tjetër. Ndeshjet me Oto Baric 16.09.2006 San Marino – Shqipëri 0-3 02.09.2006 Bjellorusi – Shqipëri 2-2 06.09.2006 Shqipëri – Rumani 0-2 11.10.2006 Holandë – Shqipëri 2-1 07.02.2007 Shqipëri – Maqedoni 0-1 24.03.2007 Shqipëri – Slloveni 0-0 28.03.2007 Bullgari – Shqipëri 0-0 02.06.2007 Shqipëri – Luksemburg 2-0 06.06.2007 Luksemburg – Shqipëri 0-3 15.08.2007 Shqipëri – Maltë 3-0 12.09. 2007 Shqipëri – Holandë 0-1 13.10.2007 Slloveni – Shqipëri 0-0 17.10.2007 Shqipëri – Bullgari 1-1 17.11. 2007 Shqipëri – Bjellorusi 2-4 21.11.2007 Rumani – Shqipëri 6-1 -Ndeshje totale 15, fitore 4, barazime 5, humbje 6, gola 19 të pësuar dhe 18 të realizuar -Ndeshje zyrtare 12, fitore 2, barazime 5, humbje 5, pikë 11

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›