E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas dorëheqjes së Otto Bariçit, Sokoli ose Kataneci në bankinën kuqezi?

RESHAT IBRAHIMI
Shkup, 22 nëntor – Humbja e turpshme (6:1)e kombëtares së Shqipërisë në ndeshjen e fundit kualifikuese për KE 2008 kundër Rumanisë ka bërë që seleksionuesi Otto Baric të japë dorëheqje nga bankina e kuqezinjve. Mediat në Shqipëri menjëherë kanë publikuar emrat e dy kandidatëve të mundshëm për postin e seleksionuesit të ardhshëm të kombëtares shqiptare. Për këtë pozitë si duket do të luftojnë kosovari Bylbyl Sokoli, aktualisht trajner i Renovës dhe seleksionuesi aktual i Maqedonisë slloveni Srecko Katanec. Bylbyl Sokoli për gazetën "Lajm" ka njoftuar se pas kthimit të delegacionit shqiptar nga Johanesburgu do të ketë një takim me krerët e FSHF-së, ku do të bisedohet për kalimin e tij në postin e seleksionuesit të Shqipërisë. "Është e vërtetë se gjatë këtyre ditëve do të bisedohet në këtë drejtim. Për momentin s'mund të them asgjë. Së pari duhet definuar detajet e organizimit tonë të brendshëm, sepse në përzgjedhje duhet të angazhohet ekipi i mjekëve, psikolog, sociolog si dhe bashkëpunëtorë të mi të tjerë. Nëse këtu gjejmë gjuhë të përbashkët, për punë të tjera lehtë mund të merremi vesh. Unë e njoh mirë mentalitetin e lojtarëve shqiptarë, sepse nëpër duart e mia kanë kaluar shumica e futbollistëve kuqezi", është shprehur Sokoli. I pyetur nga "Lajm", nëse emërohet seleksionues i kuqezinjve, a do të ketë përfshirje të lojtarëve shqiptarë nga Maqedonia, ai thotë: "Padyshim se po. Në kampionatin e Maqedonisë ka shumë lojtarë shqiptarë që kanë cilësi të mjaftueshme për tu përfshirë në kombëtare. Do të merren në konsideratë lojtarët e kalibrit të Nderim Nexhipit, Ertan Demirit, Minas Osmanit, Vullnet Eminit, Orhan Isufit, Ylber Aliut, Faruk Statovcit, Fisnik Gashit, Eduard Brandos, Ismail Ismailit, Argjend Beqirit, Genc Hysenit e të tjerë", shtoi Sokoli. Ndërkohë një emër tjetër që përfolët për të marrë kuqezinjtë është edhe ai i Katanecit, mirëpo në deklaratën për "Lajm", trajneri slloven ka mohuar të ketë kontaktuar me drejtuesit e FSHF-së. "Me mua askush nuk ka kontaktuar. Kam marrëveshjen me Maqedoninë deri në fund të këtij muaji dhe do ta respektojë atë deri në fund. Jam takuar me kryetarin e FFM-së pas ndeshjes me Izraelin dhe kemi lënë që të bisedojmë sërish pasi të kthehet nga Johanesburgu. Për cdo risi mund të lexoni në faqen zyrtare të FFM-së", u shpreh përmes telefonit nga Lubjana, Katanec. Sokoli, trajner i suksesshëm Bylbyl Sokoli gjatë karrierës së tij si trajner ka fituar 5 herë Kupën e Kosovës, dy herë kampionatin e Kosovës, dy herë Superkupën e Kosovës, ndërsa në Maqedoni ka punuar te dy skuadra nga Kumanova, Bashkimi dhe Milano. Me këtë të fundit nga Liga e dytë hyri në të parën, kurse 10 javë ishte edhe lider i ligës. Aktualisht është trajner i ekipit mjaftë ambicioz Renova nga Xhepcishti i Tetovës. Kataneci, seleksionuesi që shuhet në Maqedoni Srecko Katanec, në pozitën e seleksionuesit të Sllovenisë e ka kualifikuar kombëtaren e shtetit të tij në EURO 2000 në Belgjikë-Holandë, si dhe në Botërorin 2002 në Kore-Japoni. Nga 17 shkurti 2006, Katanec ka qenë seleksionues i Maqedonisë por me këtë kombëtare nuk ka arritur rezultate të mira duke u renditur në vendin e pestë në kualifikimet për EURO 2008.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›