Një Kenedi i ri?
Fitorja e bujshme e Senatorit të ri Obama në shtetin e Karolinës së Jugut, e pasuar nga një fjalim i tij, ku flitej për një tejkalim të ndarjeve klasore, gjinore apo me bazë racën në SHBA, shumëkujt i solli ndërmend predikuesin karizmatik Martin Luter King, apo ish-Presidentin Kenedi, të cilët ishin të parët që iniciuan një lëvizje sociale për promovimin e të drejtave të barabarta mes amerikanëve. Pa kaluar mirë disa ditë nga fitorja në Karolinën e Jugut, ku për hir të së vërtetës është fituar edhe më parë nga kandidatë me ngjyrë, si Xhesi Xhekson në 1984 dhe 1988-ën në garën partiake ndërmjet demokratëve, erdhi dhe lajmi se fillimisht vajza e Xhon Kenedit dhe më pas vëllai i tij, senatori i vjetër i Masacusetsit, Eduard Kenedi, mbështetën kandidaturën e këtij lideri të ri karizmatik që predikon një ndryshim real në politikat ekzekutive të Washingtonit. Mbështetja e senator Kenedit qe sa e papritur, për shkak të lidhjeve miqësore që Kenedët kanë me Klintonët, aq edhe me kuptim po të shohësh ngjashmërinë ndërmjet ish-presidentit Kenedi dhe senatorit Obama. Ndërkohë, edhe dy ndër figurat më të respektuara në komunitetin zezak, si e mirënjohura Oprah Uinfrej dhe nobelistja Toni Morrison, kanë deklaruar publikisht suportin e tyre për senatorin e ri, mbështetja e të cilit nga seksi i kundërt, fillimisht ishte vënë në pikëpyetje nga shumë komentatorë. Kjo edhe për shkak se Hillari Klinton përfaqësonte gruan e parë kandidate në historinë e një shteti. Por sikundër e theksonte "Nju Jork Tajms" në një editorial të saj të para pak ditësh (ku vendosi të mbështeste publikisht Hillarin nga demokratët dhe Mekkeinin nga republikanët) të qënurit i pari kandidat në llojin tënd, nuk përbën arsye në vetvete për të mbështetur "x" apo "y" kandidat, në një kohë kur kjo është gara më diverse dhe me figurat më jo-tradicionale që kanë konkurruar ndonjëherë për Shtëpinë e Bardhë.
Me të drejtë mund të shtrohet pyetja, nëse vetëm retorika e kualifikon Obamën si një Kenedi të ri të politikës amerikane (në drejtim të vizionit) apo ka edhe aspekte të tjera në personalitetin e këtij politikani, që të shtyjnë të besosh se ai vërtetë i shëmbëllen një prej presidentëve më të dashur për amerikanët, në të gjitha kohërat. Sikundër edhe Kenedi, Obama është relativisht mjaft i ri dhe ka vetëm dy vjet që shërben si Senator për shtetin e tij të Illinoisit. I lindur nga një mama e bardhë nga shteti i Kansasit dhe baba kenian, Obama i ri, lindi në ishujt Havai dhe u rrit kryesisht në Indonezi, te njerku. Kjo i jep shumë ngjyra personalitetit të këtij politikani të ri, i cili në të ritë e tij ka deklaruar se madje ka provuar dhe lloje të ndryshme drogash, por që me kohë hoqi dorë nga veset dhe punoi si vullnetar për t`i shërbyer komunitetit në getot e Çikagos. Më vonë, në moshën 28-vjeçare, Obama fillon studimet në Universitetin e Harvardit, ku menjëherë aftësitë e tij bien në sy, duke u katapultuar si kryeredaktor i revistës juridike të këtij universiteti me famë botërore (the Harvard Law Revieë), që në fund të vitit të parë. Ishte hera e parë që dikush arrinte në një fazë kaq të hershme të karrierës së tij akademike, të ushtronte një influencë të tillë në historinë e kësaj shkolle. Pas mbarimit të studimeve, Baraku martohet me Mishelën, e cila deri pak kohë më parë punonte si zv.presidente e Universitetit të Çikagos, një tjetër universitet elitar në SHBA. Të dy, japin modelin më të mirë të një familje zezake që ka arritur të tejkaloj gjithë vështirësitë dhe të arrij në majat më të larta të suksesit, pavarësisht diskriminimit.
Megjithëse disa analistë dhe komentues politikë, kritikë ndaj Obamës, kanë hedhur dyshime se me gjithë retorikën e tij populiste, ai është i mbështetur fuqimisht nga lobet e etanolit, një prodhim alternativ energjie ky që gjenerohet nga rezervat e Bio-Dizelit, është e rëndësishme të theksohet se lobingu në politikën elektorale amerikane është jo vetëm i lejuar, por madje i institucionalizuar në atë pikë, sa pa mbështetjen e grupeve të caktuara të interesit është e pamundur të mbijetosh politikisht. Sesa presidenti i ardhshëm i SHBA-së do arrijë të ketë pavarësi relative nga influencat e grupeve të ndryshme të interesit, kjo është për t'u parë, cilido qoftë ai apo jo. Një tjetër kriticizmë drejtuar Obamës, është se mitingjet e tij elektorale i shëmbëllejnë më tepër mitingjeve rok dhe flasin shumë për imazhin, por pak për substancën. Por si kundërpërgjigje për këtë shërben jo vetëm pasioni dhe prekja e shumë fenomeneve që shqetësojnë sot amerikanët e thjeshtë, por edhe rekordi legjislativ i Obamës, ku vetëm në dy vite punë, ai ka arritur të kthehet në iniciuesin e mjaft projekt-ligjeve të rëndësishme, shpesh duke patur dhe bashkëpunim mjaft të suksesshëm bipartizan. Kjo tregon se megjithëse eksperienca e tij partiake dhe kongresiale është e vogël krahasuar me kandidatët e tjerë, imazhi që ai transmeton, e bën më të besueshëm retorikën elektorale. Por a mund të themi se ky senator i ri me ngjyrë, do jetë një Kenedi i ri për amerikanët? Kjo ngelet për t'u parë, por lajm është të paktën fakti që familja Kenedi e beson këtë. Fillim premtues.