Ilir Meta takon liderët kosovarë
Kosova dhe Shqipëria kanë perspektivë europiane. Ky ishte thelbi i mesazhit të përcjellë nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë vizitës së tij në Kosovë. Ai zhvilloi takime me Presidentin kosovar, Fatmir Sejdiu, Kryeministrin Hashim Thaçi, Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe homologun e tij Skënder Hyseni. Në bisedimet zyrtare mes dy delegacioneve u konstatua se marrëdhëniet dypalëshe janë të shkëlqyera dhe, se shkëmbimet ekonomiko-tregtare janë në rritje nga viti në vit. Gjithashtu u konfirmua bashkërendimi i veprimit mes dy ministrive të Jashtme dhe u nënshkrua Protokolli i Bashkëpunimit mes dy palëve. Takimi Meta-Sejdiu u përqendrua kryesisht në marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi në kuadër të proceseve integruese europiane dhe euroatlantike, zhvillimet në rajon e më gjerë. Meta u shpreh se është një fat i madh për brezat tanë që po përjetojnë Kosovën e pavarur dhe se një Kosovë demokratike dhe europiane i shërben forcimit të paqes në rajon. Gjithashtu ai dha vlerësimin e tij për rrugën e re që lidh dy vendet, e cila i rrit vlerën si Shqipërisë ashtu edhe Kosovës, në kuadrin rajonal dhe më gjerë. Në takimin me Kryeministrin Thaçi, ministri i Jashtëm Meta vlerësoi qeverinë kosovare për klimën në të cilët u zhvilluan zgjedhjet lokale. Ai vlerësoi se pjesëmarrja në zgjedhje e komuniteteve pakicë, sidomos atij serb, përbën një pikë kthese për ndërtimin e një shoqërie demokratike e multietnike në Kosovë, ku çdo qytetar i saj, pavarësisht nga përkatësia etnike, ta ndjejë veten qytetar të këtij shteti të ri. Nga ana e tij, Thaçi e uroi Metën për stadin e ri të integrimit të Shqipërisë në BE dhe shprehu vullnetin e qeverisë së Kosovës për të ndjekur të njëjtën rrugë të integrimit europian, duke marrë eksperiencën e Shqipërisë në këtë proces.