E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirel: Bojkoti i zgjatur ndikon tek opinioni i KE

Drejtori për Ballkanin në Drejtorinë e Zgjerimit pranë Komisionit Europian, Pierre Mirel, analizoi në një intervistë për "Top Channel" ecurinë e Shqipërisë në lidhje me integrimin europian.

Në momentin kur Komisioni përgatitet t‘i dërgojë pyetësorin Shqipërisë, Shqipëria ndodhet në një ngërç politik. Kush e ka fajin për këtë?

Ka një rregull të qartë në demokraci: një debat demokratik në demokraci duhet të zhvillohet në Parlament. Opozita duhet të kthehet në Parlament për të vazhduar debatin demokratik.

A ka një mendim unik në Komision në lidhje me protestat dhe bojkotin e opozitës? A shprehni ju opinionin e Komisionit?

Komisioni nuk ekzaminon çdo demonstrim, çdo manifestim që ndodh në Tiranë, në Beograd apo gjetiu, çdo ditë. Ngado ka shumë demonstrime. Çka është e rëndësishme është parimi. Dhe parimi është që në demokraci, debati demokratik duhet të zhvillohet në gjirin e Parlamentit.

Po e riformuloj pyetjen: Manifestimet e dobësojnë apo e forcojnë demokracinë shqiptare?

Nuk është çështja e manifestimeve. Ajo që me siguri zbeh imazhin e Shqipërisë është nëse ka një bojkot të zgjatur të Parlamentit. Në kriteret politike të anëtarësimit në Bashkimin Europian, ka një element të rëndësishëm që është funksionimi i demokracisë. Funksionimi i demokracisë është në radhë të parë funksionimi i Parlamentit të vendit. Në rast se Parlamenti nuk mund të funksionojë me korrektësi, sepse opozita nuk merr pjesë, kjo zbeh imazhin e vendit dhe dobëson funksionimin e demokracisë.

A jeni në dijeni të kërkesave të opozitës, të asaj që opozita kërkon, pretendimet në lidhje me zgjedhjet, për mashtrime eventuale gjatë numërimit të votave?

Ky stad është tejkaluar. Tani jemi pas disa javësh bojkoti të Parlamentit. Tani duhet që opozita të vendosë të kthehet në Parlament dhe ajo që kërkojmë dhe që e thashë sot pasdite, është që të zhvillohet një dialog i vërtetë për të bërë të mundur këtë kthim dhe për të bërë një funksionim real dhe konkret të Parlamentit. Dhe është e domosdoshme në periudhën që vjen: ka ende një sërë ligjesh të rëndësishme që duhen miratuar për vizat, për procesin e integrimit. Dhe për këtë duhet zhvilluar debati demokratik!

Pra një kthim pa kushte?

Këtë nuk di ta them unë. Nuk më takon mua të them cilat janë kushtet. Thjesht Parlamenti të funksionojë. Duhet që opozita të kthehet në Parlament dhe është Parlamenti vendi i debateve apo i diskutimeve që mund të zhvillohen, qoftë për zgjedhjet, qoftë për fusha të tjera.

A është e mendueshme një negocim nga Brukseli apo nga ndonjë aktor ndërkombëtar?

Nuk i takon Brukselit të ndërhyjë në jetën politike të këtij vendi. Për Shqipërinë sapo është marrë vendimi i Këshillit drejtuar Komisionit për të përgatitur një opinion, çka duhet të nënkuptonte një shenjë pjekurie politike. Pra u takon partive politike në fjalë, që të marrin një vendim së bashku, të bëjnë të mundur që debati të kthehet aty ku duhet të zhvillohet, domethënë në Parlament. Në të kundërt, nëse ky bllokim vazhdon për shumë kohë, ky do të ketë një ndikim në opinionin, në mendimin që ne do të formulojmë në lidhje me funksionimin demokratik të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›