Futbollisti i dënuar për kurdisje gjendet i vdekur

Trupi i Lee Gyeong-hwan, 24 vjeç, është gjetur i vdekur në fundjavë jashtë një ndërtese në qendër të Incheonit, në perëndim të Seulit, ka njoftuar agjencia e lajmeve Yonhap, duke cituar policinë lokale.
Lee ishte përjashtuar nga K-League pas akuzave për kurdisje të ndeshjeve vitin e kaluar, që detyroi qeverinë e Koresë së Jugut të kërcënojë me mbylljen e ligës. Imazhi i futbollit në vend mbeti i zbehtë edhe pas hetimeve, që u përcollën me arrestimin e afro 50 futbollistëve.
Ky ishte skandali më i madh që goditi K-League gjatë 29 viteve të saj, derisa një ish trajner dhe ish futbollist po ashtu janë gjetur të vdekur nën dyshime për vetëvrasje. Gara K-League Cup u anulua për shkak të masave të marra në luftë kundër korrupsionit pas kërcënimit të qeverisë për mbylljen e ligës.
Futbolli nuk është sporti i vetëm në Korenë e Jugut i njollosur nga akuzat për kurdisje të ndeshjeve, pasi arrestime janë bërë edhe në volejboll, bejsboll e madje edhe në lundrim.