Paolo RUFFILLI
Thelbi dhe karakteristika e kërkimit poetik të Casimiro de Brito-s është një elegji e poezisë, e të gjitha ngjyrave nga hapësira e pafundme, është pikturë e kthimit në kohë, në kërkim të rikthimit drejt kujtimit dhe arratisë. Ajo është poezi sunduese mbi skenën, si përcaktim mbi llojin letrar, poezi impulsesh të vetvetishme të kujtesës dhe spontanitet i asaj që të vjen ndër mend. Në këtë poezi të kujtesës, të ndalimit në përkohësi dhe ribërje, të pakët janë ata poetë të kohëve të sotme që lëvizin në këto nota elegjiake të saj dhe mes kësaj, me kaq gjeturi dhe origjinalitet sa Casimiro de Brito.
Në poezinë e tij, kthimi i kujtimit vjen i gjallë e qëndron atje në një hapësirë neutrale, duke u paraqitur me gjetjet reale të pandryshueshme. Ai flet prej skenografisë së një pikture metafizike, të ftohtë, të gjallë, metalike, si pjesë e një natyre të vdekur, si e shpirtëzuar, si kontrast mes të ikurës dhe kthimit, të tingujve dhe drithërimave, që s’mund të shmangen prej fjalës që përzgjedh.
Pra, kjo poezi vjen si tekst që gjallon pikërisht në thelb të kontrastimit, aty ku kryhet fermentimi metafizik i shenjave misterioze të prekjes së padeshifrueshme të plotësisë dhe zbrazëtisë së vetë misterit të jetës. Në këto poezi udhëtimet vijnë të gjalla, me ulje e ngritje “të shkretëtirta në zbrazëti”, sjellin thelbin dhe sensin e vetë jetës. Metaforat e gjalla përballin atë që edhe vetë koha lëviz, si në poezi, ashtu dhe në lëndën e tij poetike. Është një ecje e përditshme, që gjithmonë sfidon ftohtësinë e kohës dhe qëndron atje e patjetërsueshme, si një pushim në jetën mbi tokë, ku njerëzit ndalin e debatojnë gjithçka që shqetëson botën. Me një ndjeshmëri akute lëvizin dhe tonet, modulet dhe vetë poezia e Casimiro de Brito-s.
E, në fakt, këto janë ide e mendime që shpirtërojnë dhe i japin jetë e kuptim çdo momenti, çdo zbulimi, si shenjë e kësaj emergjence ekzistenciale, që vjen si temë në çdo varg, si refleksion universal, ku koha, kujtimi, pikëtakimi, që lidhin jetën dhe vdekjen, ëndrrën dhe zhgjëndrrën, ndërtojnë skenën dhe retrospektivën.
E kështu, nëpër linjën e poezisë së tij, misteri që evokon në hapje të “Librit të rënieve”, me epigrafin nga Antigona e Sofokliut - “ekzistojnë shumë mrekulli, por asnjë kaq e përsosur sa njeriu. Edhe pse ka shpikur mbrojtje kundër të këqijave shkatërrimtare, vetëm përballë vdekjes ndihmën e ka kërkuar në qiell”, do të thotë: Jemi, si të thuash, po ai sfond i një peizazhi të një pikture metafizike, i atyre ngjyrave pothuajse si neon, e i shenjave pothuajse emblematike të një kushtëzimi të skajshëm ekzistencialist.
26 Tetor 2008