E Shtunë, 31 Tetor 2026

Midis provokimit dhe afishimit



Deklaratat e këtilla të një autori janë tipike për të shkruarit me tezë, për të shkruarit me skemë që, po iu nënshtrove, detyrohesh të vësh në funksion poetikën e deus ex machina. Shumë shkrimtarëve, edhe më të mëdhenjve, mund t’u ndodhë që fillimisht të jenë nxitur nga ngasës të ngjashëm, por kur zhyten në laboratorin krijues, ata arrijnë të çlirohen nga zëri nismëtar i jashtëm dhe i nënshtrohen një tjetër zëri, atij sovranit, të brendshëm. Duke u çliruar nga kufizimet e të qenit rob i asaj që ka ndodhur, përkatësisht që s’ka ndodhur, i pretendimit për të parashikuar çdo lëvizje të rrëfimit, të ngjarjes, të personazhit, ata i hapin rrugë parimit të së mundshmes, të pafundësisë, në përputhje me natyrën e kureshtjes së njeriut, në pajtim me njerëzoren.

Romani i Ben Blushit lexohet lehtë, çka është një nga objektivat kryesorë të çdo shkrimtari. Kjo nuk e përjashton përshtypjen tonë se pleksja dhe shpleksja dramatike, me këtë rast, mund të ishte edhe më dinamike. Nga ky këndvështrim, romani krahasohet me vetveten, përkatësisht Blushi me mundësitë e veta krijuese, e që potencialisht janë më të mëdha se mesatarja e prozës romanore shqipe sot. Prandaj, prania evidente e proliksitetit do të evitohej, sikur të hiqeshin kapituj e fragmente kapitujsh, shpesh tematikisht të lidhura si mozaik mekanik. Fakti që edhe pas pranisë së lëndës së panevojshme, nuk rëndohet lexueshmëria e romanit, është rrjedhim i intelegjencës së autorit, erudicionit të shquar gjithashtu.

Ali ALIU

1.
Në një nga debatet e shumta që u zhvilluan për romanin e Ben Blushit, “ Të jetosh në ishull”, vetë autori deklaroi : “… desha të ndriçoj atë që besoj ka qenë e pandriçuar”(Zonë e lirë, 11 korrik), dhe: “ Për sa kohë që historia jonë nuk është shumë e pasur me fakte e me detaje, është një kornizë e madhe, e cila në pjesë të caktuara është bosh…”, çka, shikuar nga këndi i lexuesit të historisë, qëndron. Ndërsa nisma krijuese nga shqetësimi i tillë dhe perspektiva e krijimtarisë me objektiv të paracaktuar, natyrisht që e cungon hapësirën kreative dhe imagjinare në art përgjithësisht dhe në zhanrin romanor në veçanti.
Deklaratat e këtilla të një autori janë tipike për të shkruarit me tezë, për të shkruarit me skemë që, po iu nënshtrove, detyrohesh të vësh në funksion poetikën e deus ex machina. Shumë shkrimtarëve, edhe më të mëdhenjve, mund t’u ndodhë që fillimisht të jenë nxitur nga ngasës të ngjashëm, por kur zhyten në laboratorin krijues, ata arrijnë të çlirohen nga zëri nismëtar i jashtëm dhe i nënshtrohen një tjetër zëri, atij sovranit, të brendshëm. Duke u çliruar nga kufizimet e të qenit rob i asaj që ka ndodhur, përkatësisht që s’ka ndodhur, i pretendimit për të parashikuar çdo lëvizje të rrëfimit, të ngjarjes, të personazhit, ata i hapin rrugë parimit të së mundshmes, të pafundësisë, në përputhje me natyrën e kureshtjes së njeriut, në pajtim me njerëzoren.
Ndërkaq, në rastin e parë, kur autori nuk arrin të zotërohet nga zëri i gjeniut të vet, ai do të dëgjojë nga goja dhe nga bëmat e personazheve të vet, qoftë historikë apo hipotetikë, atë që ua ka paracaktuar shtrëngesa jashtëletrare. Autori, shpesh edhe lexuesi, në këtë rast i di reagimet, replikimet, monologët e tyre, meqë e ka të palëvizshme, pa alternativë perspektivën e tyre.

2.
Edhe familja shqiptare e shekullit 19-të në këtë roman është e atillë, e diktuar nga konteksti jashtëletrar. Sipas një poetike të tillë narrative, do të jetë i mbjellë edhe vizioni i anëtarëve të saj mbi të nesërmen, dhe ka momente kur disa nga këto personazhe dalin pa gjak, gati si kukulla. Është fare ndryshe, thuaj e kundërta me rastin e dytë: kur rrjedhat e artit narrativ i merr në dorëzim zëri i brendshëm apo rrëfyesi fiktiv, kur asgjë s’mund të dihet përfundimisht, të paragjykohet me saktësi, as caku e as fundi i rrugës së personazhit. Autori mund të nxitet, grishet, provokohet nga një fakt real historik a bashkëkohor, por më tej, kur ai gjendet brenda asaj bote të komplikuar, me befasi e të papritura, kur lundron brenda hapësirës së pafund të një deti, shpesh të trazuar stuhish të brendshme të personazhit, nuk mund të parashohë saktësisht se ku do ta nxjerrin valët barkën e narratorit, përkatësisht autorit. Ai lundrim tani e rrëfen ngjarjen edhe për autorin.
Në krahët e këtij vizioni narrativ, kryesisht të paracaktuar, disa personazhe të Ben Blushit janë skematikë, me tesha të qepura sipas modelit të parë. Aautori ua ka zgjedhur me kohë emrat - biblikë e kuranorë, - përkatësisht sjelljen, botëkuptimin në përputhje me emrat, duke e përjashtuar mundësinë e rrugëve të tyre të paparapara. Jo rrallë, artikulohen personazhe e situata në shpërputhje me të mundshmen dhe me të besueshmen artistike, sidomos në rastet kur narratori mëton të justifikojë çdo zbulim befasues gjatë rrëfimit, të gjejë medoemos lidhjet e takimeve, të bëmave, të dashurive, vdekjeve e lindjeve, të çudive dhe mistereve, ashtuqë të gjitha ato të kenë mbështetjen e një modeli të paracaktuar: edhe vetëvarrimi, edhe testamentet, edhe gjetjet e befasishme, të papritura e që arti i madh i bluan natyrshëm në mullirin e vet, pa dhënë llogari për çdo çudi, qoftë ajo edhe e paimagjinueshme në realitet.
Blushi ka imagjinatë të bujshme krijuese, ajo depërton sferave të hapura të lojës, aq sa ofron rrëfimi gjuhësor, por gjetja patjetër e vegëzës reale të veprimeve, është lëndim i poetikës narrative të tij. Linjat e shumta narrative, nganjëherë të pleksura jo natyrshëm, shpesh qëndrojnë të pavarura, romane në vete, novela mbase. Prania e një prirje narrative polifonike, gjithashtu, është sharm në vete i romanit të Benit. Natyra polifonike ndërsa i le të hapura mundësitë, i le jo domosdoshmërisht të përfunduara mundësitë artistike. Veprat e mëdha shpesh lënë diç të papërfunduar.
Deklaratat e cituara të autorit bëjnë fjalë edhe për kërshërinë e imagjinatës krijuese përherë në kërkim, përkatësisht asnjëherë të përmbushur. E kaluara jonë vërtet është fare pak e regjistruar, pa gjurmë e dëshmi të shkruara, sidomos ajo lidhur me personalitetet e rëndësishme, me jetën private të tyre, me botën intime, etj. Në këto raste, krijuesi, veçmas ai i zhanrit të romanit historik apo biografive të romanizuara, ndjen nevojë, përkatësisht sfidohet t’i mbushë boshësitë. Shikuar nga kjo dioptri, mund të kuptohet deklarata e Ben Blushit. Veçse këtu qëndron një tjetër problem: nga ç’perspektivë do t’i mbushë shkrimtari vakuumet? Do të jenë në përputhje ato me kujtesën e shtratit kolektiv, të regjistruara ndër mote, do të jenë të ndryshme apo drejtimesh fare të kundërta?
Varianti i fundit vjen në konsiderim vetëm atëherë, kur shkrimtari shtie në dorë fakte të panjohura, në mbështetje të të cilave do të mohojë memorien e regjistruar shekujve.
Si vepron, bie fjala, Ben Blushi me paraqitjen r personalitetit të Skënderbeut? Portreti që sjell ai lidhur me heroin kombëtar, nëse nuk e ka këtë mbështetje, nuk mund të justifikohet. Do të ishte çështje për diskutim – edhe nëse disponon të dhëna të panjohura deri më sot, a do të duhej sfiduar mbamendja shekullore shqiptare.
Fare pak nga shkrimet e shumta lidhur me romanin e Ben Blushit kam patur rast t’i lexoj. Debatet, po ashtu të shumta edhe në mediat elektronike, sidomos përplasjet e besimtarëve, nuk më janë dukur të shkallës acaruese – nuk janë të tilla as në roman. Ajo që sjell romani, megjithatë, lëkund bashkëjetesën e tyre. Të ketë qenë ky synim i autorit? Nëse po, pse? Mos vallë për të kënaqur sedrën e guximtarit për të prekur hapësira të minuara?

3.
Hapësira kohore, brenda së cilës janë kornizuar ngjarjet e romanit, nuk është zonë që nuk është prekur fare, aq më pak zonë tabu. Valë zhurmërie të natyrës ekstra letrare u nxitën edhe nga fakti që autori është, para së gjithash, person publik në fushën e politikës aktuale shqiptare. Pra, është fakt plus që romani në fjalë nxit ngacmime në përputhje me këtë fakt, zgjon kujtesë e përfytyrime nga e kaluara. Nëse autori, si me këtë rast, duke iu shmangur shtratit konvencional të historisë, parazgjedh dhe paracakton funksionet e situatave, ngjarjeve, personazheve, ideve drejt një tjetër perspektive, ngacmimet në opinion do të jenë edhe më të acaruara. Gjithnjë në lidhje me shtratin bosht të romanit, përkatësisht procesin e islamizimit të shqiptarëve e që është çështje identiteti, prandaj mund të shtrohet pyetja, edhe si dilemë: është apo jo e vërtetë toleranca fetare brenda hapësirës shqiptare? Ndërhyrja romanore në këtë temë sikur shpie drejt trazimit, drejt provokimit e lëkundjes së kësaj bashkëjetese. Le të themi se vala me ngarkesë acaruese do të jetë kalimtare, njësoj si edhe zhurma mediatike .
Por të thuash tani se artit i lejohet gjithçka, se ai ka universin e vet autonom, të paprekshëm dhe, si i tillë, nuk do t’ia dijë fare për kësi lloj ngacmimesh, tingëllon si një kapardisje trashanike. Provokimi tanimë ka ndodhur, s’ka rëndësi me dashje ose pa dashje. S’ka nevojë të sajojmë tjera zona tabu, duke thënë se arti ka ligjshmëritë e veta, se atij nuk i interesuar se ç’mund të sjellë e të lërë pas si jehonë tek ata që nuk e kuptojnë artin, tek ata që nuk ditkan ta vlerësojnë artin, e fraza naive të ngjashme. Përkundrazi, shkrimet e debatet që kam pasur rast t’i ndjek, pikërisht të profilit publicist, filozofik, sociologjik e politik, si dhe fetar – ata që s’ditkan ta lexojnë artin e fjalës, kanë qenë lexues shumë më të thellë e më të gjithanshëm, sesa gjoja specialistët. Është mosnjohje elementare e studimit të letërsisë, të thuash se ajo nuk është as histori, as filozofi, as sociologji. Përkundrazi, jo që letërsia është edhe filozofi, edhe histori etj., por për më shumë, nga këto fusha vijnë të dhëna të domosdoshme për vlerësimin e artit, vijnë dhe njohës kompetentë të letërsisë.
Romani i Ben Blushit lexohet lehtë, çka është një nga objektivat kryesorë të çdo shkrimtari. Kjo nuk e përjashton përshtypjen tonë se pleksja dhe shpleksja dramatike, me këtë rast, mund të ishte edhe më dinamike. Nga ky këndvështrim, romani krahasohet me vetveten, përkatësisht Blushi me mundësitë e veta krijuese, e që potencialisht janë më të mëdha se mesatarja e prozës romanore shqipe sot. Prandaj, prania evidente e proliksitetit do të evitohej, sikur të hiqeshin kapituj e fragmente kapitujsh, shpesh tematikisht të lidhura si mozaik mekanik. E tillë më duket “lidhja greke”, Komnenët, Skënderbeu, si dhe disa digresione nëpër roman.
Fakti që edhe pas pranisë së lëndës së panevojshme, nuk rëndohet lexueshmëria e romanit, është rrjedhim i intelegjencës së autorit, erudicionit të shquar gjithashtu. Këto do të ishin favoret e shkrimtarit, që arrijnë të kompenzojnë mungesën e shkathtësisë, mbase të formimit të mjaftueshëm në fushën e narracionit letrar. (Autori që është më inteligjent se romani i tij, duhet të heqë dorë nga kjo zeje, thotë Kundera.) Sepse romancieri, në radhë të parë provokon, bën lojë të imagjinatës, lojë shpesh paradoksesh, është ngasës i këtyre sferave e përmasave dhe më pak afirmues, afishues ideve.

26 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›