E Diel, 1 Nëntor 2026

“Trishtimi i zonjës Shnajder” garon për “Oskar”, Eno Milkani me këmbë në tokë



Petrika GROSI
“Trishtimi i zonjës Shnajder” është prodhimi kinematografik shqiptaro-çek, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në festivalin prestigjoz botëror të kinemasë, të çmimeve “Oskar”. Filmi i regjisorëve Pirro dhe Eno Milkani garon kështu për vendin tonë mes 67 vendeve të tjera. Presidenti i Akademisë të çmimeve “Oskar”, Sid Ganis, është shprehur për mediet se “në këtë edicion të 81-të të ngjarjes më të rëndësishme kinematografike, është shënuar një rekord për vendet që kanë paraqitur filmat për konkurim.” Filmi “Trishtimi i zonjës Shnajder është pritur shumë mirë në kinematë e Tiranës, por edhe në rrethe, duke shënuar madje rekorde për numrin e shitjes së biletave. Shqipëria ka hyrë vetëm tri herë gjatë dy dekadave në garën e çmimeve “Oskar”, me filmin “Kolonel Bunker” të Kujtim Çashkut në vitin 1996 dhe me “Parrullat” e Gjergj Xhuvanit, në vitin 2001. Ngjarjet e filmit “Trishtimi i zonjës Shnajder” zhvillohen në vitin 1961, kur një grup studentesh të FAMU-së, çeku Karel (Ondrej Moravec), sllovaku Artur (Kamil Kollarik) dhe shqiptari Lekë (Nik Xhelilaj) xhirojnë në Çeski Shternberk një film diplome për fabrikën e prodhimit të motorave ESO. Në film jepet përballja e jetës së të rinjve, tërheqja e tyre për fshatin çek, jeta që ata bëjnë e më tej kthimi i detyruar i djaloshit shqiptar në vendin e tij. Ndërsa lista e nominimeve për “Oskar” do të shpallet nga Akademia më 22 janar, çmimet pritet të jepen më 22 shkurt të vitit të ardhshëm.
Regjisori Eno Milkani, i cili ka punuar bashkë me të atin, Pirron, te “Trishtimi i zonjës Shnajder”, nuk shprehet shumë optimist për garën pasi konkurrenca është e niveleve më të larta. Ai thotë për gazetën “Albania” se “është QKK-ja ajo që vendos se cili film shqiptar do të hyjë në konkurim për çmimet Oskar dhe jo ne. Nuk mund të flas për optimizëm, pasi nuk di asgjë dhe nuk kam parë asnjë nga filmat që janë në garë. Pastaj, të mos harrojmë se janë prodhimet më të mira në botë. Rëndësi ka që për të tretën herë pas “Kolonel Bunker” dhe “Parrulat” kinemasë shqiptare i bëhet një jehonë ndërkombëtare. Kjo është më shumë se arritja e një personi apo grupi të veçantë. Nuk mund të pretendohet shumë duke pasur parasysh se në një vit Shqipëria bën 2-3 filma, ndërkohë që Franca rreth 300, Italia rreth 50 filma.”

Bashkia u jep “shtëpi” shkrimtarëve të Elbasanit

Shkrimtarët e Elbasanit tashmë e kanë një “shtëpi” ku të mblidhen. Rreth 40 krijues të poezisë, prozës, novelave, por edhe përkthyes të qarkut të Elbasanit kanë inaguruar ambjentet zyrës së tyre pranë Pallatit të Sportit “Tomorr Sinani”. Lidhja e Shkrimtarëve të Elbasanit ka qenë prej vitesh pa një zyrë të vetën. Kjo shoqatë u krijua në vitin ’46 prej njërës nga figurat e njohura të letrave shqipe, sidomos dramaturgjisë, siç është Et’hem Haxhiademi. Nëse në Tiranë ishte Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve ajo që e la Lidhjen e Shkrimtarëve pa një “shtëpi”, duke ja marrë godinën dhe duke e përvetësuar, në rastin konkret është bashkia e Elbasanit, ajo që mbështeti shkrimtarët e qarkut duke u dhënë një hapësirë për të kryer mbledhjet dhe aktivitetet e tyre në mjediset e Pallatit të Sportit të këtij qyteti.

26 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›