Paolo Sorrentino: Kinemaja, një lojë
Intervistë me regjisorin italian Paolo Sorrentino. Për njohjen e tij me Gulio Andreotti-n, për manierat e Berlusconi-t, për rezistencën që duhet të tregojë një kineast kundër politikës, për kinemanë e mirë, lirinë e krijimit, famën dhe si mundet një grua ta shpëtojë një burrë
"Kur krijoj një histori jam komplet i lirë"
Sheshi para Pallatit të Kulturës është fare i zbrazur kur Paolo Sorrentino zbret aty i shoqëruar nga një shofer vendas. I bie anash tapetit të kuq, hyn brenda në pallat. Askush nuk e njeh.
Ndonjë gazetar e vë re, i prezantohet dhe ai nuk duket i bezdisur të shkëmbejë dy fjalë në këmbë dhe nuk refuzon kërkesën për intervistë. Një fotograf mesoburrë i bën ca shkrepje regjisorit para makinës së ekspresit të kafesë teksa pi kafe dhe cigare një pas një.
Hyn në sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu" të prezantojë filmin që i dha famë ndërkombëtare "Gjiganti", një portret për simbolin e politikës italiane në më shumë se një çerek shekulli, Gulio Andreotti, emër i rrahur për veshët e publikut shqiptar. Salla është përgjysmë e mbushur.
Regjisori thotë dy fjalë, shpreh kënaqësinë e ardhjes për herë të parë në Shqipëri, pastaj prezantimi ndërpritet. Ikin dritat dhe Sorrentino lë skenën në errësirë pa marrë ndonjë shpjegim.
Publiku e pret pa ndonjë reagim të veçantë filmin. Me gjithë gjuhën e mprehtë të liderit italian, sarkazmën që regjisori shpreh hapur ndaj tij, "Il Divo" nuk është film i lehtë për t'u ndjekur jo vetëm për kontekstin italian të informacionit, fakteve, personazheve, edhe për stilin që duhet të mbajë në tension vende dhe personazhe të pandryshueshëm, monotonë që thonë për veten të kundërtën e asaj që janë.
Në mbyllje, pak duartrokitje. As të rinj, as studentë, ndonjë kineast në pension, aktorë që e kanë mbyllur karrierën. Ky ishte publiku i Sorrentinos në Shqipëri.
Në ceremoninë e dhënies së çmimeve po atë mbrëmje, Paolo Sorrentinos i jepet Pjata e Argjendtë e Durrësit nga organizatorët e Festivalit Veror Ndërkombëtar të Durrësit që e kishin ftuar. Vizita njëditore e regjisorit më në zë italian këto tre vite, si për një kafe në bregdetin shqiptar, mbyllet këtu.
Shqipëri, shqiptarë, çfarë ju kanë thënë para se të vinit këtu?
Isha kurioz për Shqipërinë, sepse në Itali është folur shumë për këtë vend me të cilin kemi pasur një raport të fortë. Gjithmonë është folur, por nuk njihet. Jam i interesuar për vendet e ish-regjimeve komuniste, për arkitekturën, për aq sa ka mbetur nga këto regjime, dhe sa kanë ndryshuar këto vende. Unë nuk kam qenë në vendet e Lindjes komuniste as në Rusi e as në Kinë.
Keni ardhur sot dhe çfarë keni parë?
Vetëm Durrësin. Për fat të keq, koha është e shkurtër dhe nisem nesër.
Shqiptarët në Itali ju i keni parë si spektator, si qytetar?
Në dukje i kam parë si spektator. Tani më duket se nuk ekziston më një çështje shqiptare, e emigrantëve shqiptarë. Ka një komunitet shqiptar që është integruar në botën italiane dhe është pjesë e saj.
Kthehemi tek "Il Divo", përse një film politik dhe përse ishte i vështirë realizimi i tij?
Është një film politik që kritikon politikën italiane që nga paslufta deri më sot, nëpërmjet kësaj figure simbol që është Andreoti. Është një film për dje dhe për të sotmen, sepse edhe sot ka një politikë bijë në mënyrën e paracaktuar të gjërave në politikën e vendit tim.
Duket e vështirë ta ndash Andreotin njeri dhe Andreotin njeri politik. Fjala vjen, ai rrëfen si sekretin më të madh faktin që ka pëlqyer shumë një femër, Meri Gasmanin, nuk ia shprehu kurrë dhe vendosi ta harronte.
Andreoti njeri është baras me Andreotin politikan. Nuk ka dallim. Ai ka vënë një maskë ndoshta false shumë vjet përpara dhe e ka mbajtur qoftë kur shkonte në Parlament, në televizion, qoftë edhe kur shkonte në shtëpi. Ky dyshim që ai ngre gjithmonë edhe në familje, me të shoqen, më interesonte që ta tregoja.
Përse një figurë vizualisht e ngjashme në jo pak momente me Nosferatun?
Nuk doja ta përqasja me Nosferatun, por kur e takova Andreotin, pashë se jetonte në një mënyrë të caktuar, me dritare të mbyllura, zgjohej në 4 të mëngjesit, dilte në 5. Ka analogji të paqëllimtë me Nosferatun.
Ka mënyrë shumë ekstravagante dhe shumë të çuditshme. Nuk kam dashur të bëjë një Nosferatu, po pastaj doli një personazh që i ngjan. Ja që ai kështu është.
Sa herë e keni takuar?
Dy herë, para se të bëja filmin, para se ta shkruaja. I thashë se doja të bëja një film për të. Nuk besonte, sepse mendonte që askush nuk do financonte një film për të, por gjetën gjithë paret e nevojshme. Pastaj folëm gjatë. Doja ta studioja nga afër që pastaj t'u referohesha impresioneve të mia për aktorin që do ta interpretonte.
Ju rezulton që të keni lënë gjë jashtë?
Shumë gjëra. Ky njeri ka qenë protagonist për gjysmë shekulli në politikën italiane dhe kështu që janë shumë gjërat që mund të thuhen dhe që, për fat të keq, nuk janë futur në film.
Për shembull?
Për shembull, raporti që ai ka pasur me Vatikanin, me kishën katolike. Ai gjithmonë ka qenë një interlokutor shumë i rëndësishëm me papët që kanë qenë në Itali. Është një argument shumë i gjerë që do ta zbehte filmin.
Përse u zemërua Andreoti kur pa filmin?
Tha që portreti i dukej tepër cinik, tha që ai nuk është kaq cinik, nuk është kaq i keq dhe për shumë gjëra, për të cilat është folur në film, ai nuk e ndjen veten përgjegjës.
Donte ta linte filmin në monologun e gjatë në atë karrige ku thotë se ka edhe një përgjegjësi të tijën për të vdekurit dhe masakrat në Itali. Kjo e tërboi.
Aktori Toni Servillo, e kemi parë qysh në filmin tuaj të parë "L'uomo in piu", një film më dinamik, më me pasion dhe me më shumë histori njerëzore se "Il Divo". Çfarë gjeni të veçantë tek Servillo?
Është shumë i aftë, pa dyshim, ndër aktorët italianë më të zotë.
Është edhe napolitan si ju?
Nga një qytet pranë Napolit. Puna me filmin duhet të jetë si një lojë. Toni Servillo është i këndshëm, më bën për të qeshur. Kjo është një nga arsyet përse bëj filma me të. Është i aftë dhe bashkë zbavitemi shumë.
Duket se nuk ju nuk keni rezerva për muzikën që e hidhni me pasion, nga Sibelius tek Renato Zero, apo muzika pop. Qysh në filmin e parë duket kjo prirje.
Jo, nuk kam rezerva për muzikën, nuk kam paragjykime, nuk ndjek konvencione. Mua më pëlqen muzika më shumë se kinemaja. Kjo është arsyeja që fus shumë muzikë në film. Ka shumë muzikë bashkëkohore që rri mirë me kinemanë.
Ka eksperimente me muzikën në kinema që nuk janë bërë akoma. Kjo ndodh ngaqë kinemaja ka një natyrë të fiksuar, për mënyrën se si e përdor kompozitorin e filmit. E meqë filmi i parë ishte një film edhe për muzikën, më mbeti ky zakon për të punuar me muzikën e repertorit për kinemanë.
Ju ia dedikoni "Il Divo"-n Danielës, sepse ajo ju ka shpëtuar.
Po, por nuk jua them pse. Është diçka private...
Si mundet një grua ta shpëtojë një burrë?
Duhet vërtet shumë pak, sepse burrat janë tepër budallenj. Mjafton një grua me mend që të të nxjerrë nga telashet. Në çfarëdo mënyre mund të të shpëtojë një grua dhe nuk duhet të bëjë ndonjë mrekulli: thjesht duke ndenjur bashkë.
Ju keni lindur në Napoli (1970), si ka qenë jeta juaj aty?
Një jetë në Napoli... Ka qenë bukur deri në një farë kohe, pastaj u bë e lodhshme. Ka pasur një periudhë kur dukej se Napoli do të bëhej qytet i madh, por nuk ndodhi. Përkundrazi, u bë hi. Degjeneroi në diçka të dhunshme, të rrezikshme. Për këtë dhe për shumë arsye nuk doja të rrija më atje.
A ka qenë "Il Divo" rrezik për ju?
Jo, jo, mafia siçiliane është një organizatë shumë inteligjente, nuk humbet kohë me mua. Nuk kam aq vlerë sa të mund të jem një kërcënim. Dhe për fat të keq, kinemaja nuk është kërcënim.
Përse kinemaja dhe letërsia italiane po propozon sërish këto vitet e fundit të angazhohet me temën politike, mbi mafien, kujtojmë filmin tuaj, "Gomorra", libri dhe filmi, "Il Caimano" i N. Moretti-t...
Sepse në Itali ka një thes me shfytyrime politike, me situata që çojnë në zgrip të të qenit demokrat, prandaj shpesh kinemaja merret me momentet e krizave dhe tensioneve, dhe tregon vëmendje ndaj këtyre temave që bëhen prioritare.
Për atë që ka një interes sado të vogël për mënyrën se si funksionon jeta e një vendi, për mua apo për regjisorë të tjerë, sot për sot do të ishte ekstravagante të merreshe me një histori dashurie, kur ka një situatë politike kaq të rëndë.
Ju pëlqeni Kubrick-un, Scorsese-n, Fellini-n... Si influencojnë mjeshtrit e kinemasë?
E kush nuk është influencuar nga Kubrick-u! Por influencat duhet të jenë pa rënë dakord. E bën diçka dhe mendon se është e jotja, pavarësisht që më pas del si një influencë jo e vetëdijshme. Gjithnjë kam qenë i pavarur në atë që kam bërë. Kam qenë i influencuar nga këta që përmendëm, por asnjëherë me qëllimin për t'i imituar, sepse do të ishte për mua diçka pa kthim dhe përdhosëse.
Cili është filmi i fundit që keni parë?
Nuk shkoj shumë në kinema. Mërzitem. E di çfarë thoshte Fellini? "Gjatë rrugës nga shtëpia në kinema, gjej gjithmonë diçka më interesante për të bërë, dhe nuk shkoj kurrë." Ka të drejtë, apo jo? Është e vërtetë që ka gjëra më interesante se kinemaja.
Megjithatë, filmi i fundit që kam parë është "Gran Torino", i Clint Eastwood-it. Shumë i bukur.
Atëherë përse bëni filma?
Sepse zbavitem shumë duke treguar histori. Më pëlqen të tregoj histori. Është punë e bukur, më fal nuk është punë, është lojë. Të zbavit historia që do të tregosh, kur ulesh dhe e shkruan, kur mbledh pastaj njerëzit për ta ndërtuar këtë histori. Është e lodhshme, sepse kinemaja është e kushtueshme, por në fund rezulton se është një gëzim.
Pëlqeni t'i shkruani vetë historitë?
Gjithë filmat janë histori të miat. Më pëlqen t'i krijoj, t'i shpik vetë. Them që kjo është pjesa më e çuditshme: krijimi i historive. Pjesa tjetër është diçka që duhet ta bësh. Koha e invencionit të historisë është koha kur ti je komplet i lirë.
Jeni njeri që pëlqeni të dilni në rrugë dhe ta prekni realitetin, apo doni ta rikrijoni atë, të tërhiqeni dhe të mendoni për një realitet të ri filmik?
Ka momente kur më pëlqen të rri në shtëpi të mendoj, por edhe të dal dhe t'i prek vetë gjërat, njerëzit. Varet shumë nga momenti.
Ju thatë që muzika është art mbi artet, po me artet e tjerat çfarë raporti keni?
Muzika dhe letërsia janë më të bukurat arte dhe më të vështirat.
Shkrimtarët që lexoni?
Një mbi të tjerët është Céline, Louis-Ferdinand Céline.
"Il Divo" është i pari film që ka shkuar përtej oqeanit, është shfaqur dhe në Amerikë... periudhë e mirë për kinemanë italiane?
Po, edhe "Gomorra" e ka kapërcyer oqeanin, është një periudhë e mirë për kinemanë italiane. Shpresojmë të zgjasë. Nuk është e lehtë, sepse qeveria që kemi nuk është aspak e interesuar për kinemanë. Shteti ka shkurtuar fondet.
Me filmin tuaj të katërt morët një famë ndërkombëtare. Çfarë ndryshon fama tek njeriu?
Nuk jam edhe i aq famshëm. Gjithsesi, është zbavitëse që të njohin, jo se ndodh ndonjë gjë. Është bukur, por nuk jam nga ata që ankohen "ah, ku shkoi my privacy".
Na tregoni pak për projektin e parë filmik në gjuhën angleze ku do të punoni me Sean Penn.
Kemi një sërë marrëveshjesh që s'na lejojnë të flasim shumë. Kurse Sean Penn është në këtë projekt, sepse është aktor i mrekullueshëm. Pastaj e njoha nga afër. Është aktor që ka edhe një ndjeshmëri shumë evropiane, prandaj shpresoja që të kuptonte atë që unë kam shkruar, fatmirësisht i pëlqeu skenari dhe nëse gjithçka ecën mirë, vitin e ardhshëm bëjmë filmin.
Do ta bënit një film epokë?
Do të më pëlqente. Do më pëlqente të bëja një film si "Lidhje të rrezikshme", ku njerëzit flasin për raportet bazë, raportet burrë-grua.
Ky interesi juaj për vendet ish-komuniste, nuk është shumë i qartë, përse ju tërheq kjo temë.
Sepse ne kemi një Kryeministër që është Silvio Berluskoni, i cili gjithë ditën e perëndisë thotë që i urren komunistët dhe nga ana tjetër, ka aq shumë sjellje të ngjashme me të diktatorëve komunistë. Prandaj jam i interesuar të di si kanë funksionuar vendet ish-komuniste. Po të mundja, do shkoja që nesër në Korenë e Veriut, një vend që akoma ka atë tip regjimi.
Edhe tipari i Berluskonit si një sex addict hyn tek këto lloj sjellje diktatorësh?
Edhe Kim Jong Il, kreu i Koresë së Veriut thuhet se është një sex addict.
Mos po kërkoni për një film tjetër politik?
Herët a vonë, po, do ta bëja një film tjetër politik, por nuk është e lehtë. Duhet kohë.
Tek "Il Divo" kam përdorur një stil që mendoja se ishte i duhuri për një film politik. Nëse do të bëj një tjetër të tillë, duhet të përdor një stil tjetër, nuk di çfarë.
Ndiheni qytetar kur merrni përsipër gjëra të tilla, besoni që diçka do ndryshojë me kinemanë?
Jo, jo, jo, për fat të keq jo. Nuk e kam këtë fuqi. Por mendoj se është e rëndësishme, sepse në vendin tonë bëhet pak nga kjo lloj kinemaje dhe duhet bërë një farë rezistence. Prandaj jam i kënaqur që unë arrita të bëj një film të tillë. Por dyshoj se kjo ka për të ndryshuar gjërat.
Falemnderit!
Falemnderit ty!