E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papa dhe kritika e tij kundër “kapitalizmit financiar pa rregulla”

06-01-2013 / Gazeta 55

Në Ditën Botërore të Paqes, më 1 janar të këtij viti, që sapo ka filluar, Papa foli për tensionet në botë, për terrorizmin, kriminalitetin e padrejtësitë shoqërore. Në mesazhin e tij, Benedikti XVI denoncon “kapitalizmin financiar pa rregulla”, si një nga shkaktarët e krizës ekonomike, në të cilën është zhytur njerëzimi. Për një analizë të këtyre fjalëve në planin ekonomik, Radio Vatikani intervistoi ekonomistin italian Alberto Kuadrio Kurcio: “Pohimi i Benediktit XVI është plotësisht i kuptueshëm dhe përkon me qëndrimet e mëparshme të Atit të Shenjtë, i cili vë në dukje rrezikun shumë të madh, që i vjen shoqërisë, institucioneve dhe ekonomisë, nga besimi i verbër në tregun gjithnjë e më të “financiarizuar” e me më pak rregulla. Dy aspekte, që kohët e shkuara, duke filluar nga vitet ’90, konsideroheshin si zgjidhje për çdo problem, sikur mirëqënia të vinte vetëm nga liberizmi e jo edhe nga solidariteti e susidiariteti, të cilat janë dy vlerat e mëdha të organizimit të bashkësive njerëzore, edhe në fushën ekonomike”.
Pasojat e këtij kapitalizmi pa rregulla i kemi përditë para syve. Gjendja e masave është e vështirë, janë ato që po paguajnë krizën… Gjithsesi, situata na lejon të shohim ku mungojnë normat, apo jo?
Ekonomia përbëhet nga dy degë të mëdha, përveç më të madhes nga të gjitha, që është njeriu, i cili përmes punës, realizon vetveten dhe vepra krijuese në kontekstin e bashkësisë ku jeton. Njëra prej këtyre degëve është ekonomia reale, e cila shprehet përmes artizanatit, industrisë, bujqësisë dhe një pjese të rëndësishme të shërbimeve. Dega tjetër është ekonomia bankare dhe financiare. Në situatën më të mirë të mundshme, ekonomia bankare dhe financiare plotëson ekonominë reale: nuk është diçka e pavarur, përmes së cilës të realizohen fitime të shpejta me operacione thjesht financiare. Kur këputet lidhja ndërmjet ekonomisë reale dhe ekonomisë financiaro-bankare shfaqen fenomenet negative, që kemi parë gjatë këtyre vjetëve, ndër më të këqiat që kemi jetuar.
Papa flet edhe për “vatra tensioni e kundërshtish, shkaktuar nga pabarazitë në rritje ndërmjet të varfërve e të pasurve”. Është thirrje e zjarrtë…
Është thirrje e zjarrtë. Na bën të shohim larg e na kërkon të reflektojmë mbi atë zhvillim, që kujdeset për njeriun, për njerëzit e për bashkësitë. Zhvillimi duhet të jetë gradual, duhet të jetë i vazhdueshëm, duhet të ketë masë e të përhapet ndër të gjithë njerëzit. Zhvillimi duhet të shkojë paralel me format e barazisë: që nuk do të thotë barazi e tipit komunist, por do të thotë barazi ku ndryshimet të jenë të arsyeshme, do të thotë dëshirë për të ecur përpara, për të ndërtuar diçka, për ta çuar deri në fund, por sigurisht, nuk do të thotë polarizim i pasurisë e pastaj, fatkeqësisht, varfëri.
Fokus - Papa për Vitin e Fesë: Ta kumtojmë Jezusin me gëzim/Në Vitin e Fesë, të krishterët duhet “të thellohen në njohjen e misterit të Krishtit e ta dëshmojnë me gëzim dhuratën e besimit në Të”. Ky është ndjeti i përgjithshëm i lutjes së Papës për muajin janar. Gjatë kohëve të fundit, sidomos në audiencat e përgjithshme, Papa është ndalur shpesh në reflektime për Vitin e Fesë e për përgjegjësinë, që sjell për të krishterët.
Nisja për betejë, me disavantazh të qartë, nuk e lë të qetë as gjeneralin, as ushtarin më të fundëm. Me përjashtim të rastit kur mund të mbështetesh në ndihmën e një aleati jashtëzakonisht të fuqishëm. Viti i Fesë, i shpallur nga Papa rreth tre muaj më parë, për atë që beson, përmban në vetvete këtë sfidë: betejën në kushte gjithnjë e më të vështira – pra, me problemet e me frikën e të paktëve në numër – por edhe sigurinë se Ai, që lufton krah nesh, ka forcë të gjithpushtetshme. Jo më kot, në hapjen e Vitit të Fesë, Benedikti XVI i nxiti të krishterët të nisen drejt “shkretëtirave të botës bashkohore”, aty ku toka e fesë çahet edhe nga thatësira e zemrave të të pagëzuarve:“I krishteri sot, nuk njeh as vetë bërthamën e fesë së vet katolike, Besojmën, duke i lënë hapur udhën një farë sinkretizmi e relativizmi fetar, sepse nuk i ka të qarta të vërtetat, që duhen besuar e veçantitë shëlbuese të krishterimit… Ndërsa duhet të rikthehemi tek Zoti, tek Hyji i Jezu Krishtit, duhet ta rizbulojmë mesazhin e Ungjillit, të impenjohemi që të hyjë gjithnjë më thellë në ndërgjegjet tona e në jetën tonë të përditshme” (Audienca e përgjithshme, 17 tetor 2012).
Shpesh feja, thekson Papa, jetohet pasivisht, në sferën private, duke u shkëputur kështu nga jeta. E pra, për ta kumtuar si duhet mesazhin e Jezusit, s’ka qenë kurrë e nevojshme të hipësh në katedër, apo në ndonjë piedestal, nënvizon Ati i Shenjtë: “Ungjillëzimi nuk është vepër e disa ekspertëve, por e gjithë Popullit të Zotit, nën udhëheqjen e barinjve. Çdo besimtar, në e me bashkësinë kishtare, duhet të ndjehet përgjegjës për kumtimin dhe dëshmimin e Ungjillit” (Fjala për Kongregatën e Ipeshkvijve, 20 shtator 2012).
Në ndjetin e lutjes për këtë muaj, Papa përdor një fjalë, që shpesh konsiderohet si “zbukurim” estetik për konceptin e ungjillëzimit. Benedikti XVI thotë se Krishti duhet dëshmuar me “gëzim” e ky nuk është term i çfarëdoshëm, por, siç e shpjegon vetë Ati i Shenjtë, përdoret për të vënë në dukje se bota ka nevojë për të krishterë “entuziastë në fenë e tyre”. E ky entuziazëm nuk është aspak naiv: “Gëzimi i krishterë rrjedh nga kjo siguri: Zoti është afër, është me mua, është me ne, në gëzime e në dhimbje, në shëndet e në sëmundje, si shok e si bashkëshort besnik. E ky gëzim mbetet edhe gjatë sprovës, gjatë vuajtjes, e mbetet jo në sipërfaqe, por thellë në shpirtin e njeriut, që ia beson vetveten Zotit” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 16 dhjetor 2007). Pasi sqaron kontekstin e sfidës së të krishterëve në këtë Vit Feje e natyrën e besimit, që secili duhet të mbajë në zemër, Benedikti XVI numëron armët, me të cilat duhet përballuar kjo sfidë, pra, armët e betejës:“As shkop, as strajcë, as bukë, as para e as dy këmisha – siç u thotë Jezu Krishti Zot apostujve, kur i nis me mision (Lk 9,3) – por Ungjillin e fenë e Kishës, shprehje e ndritshme e të cilave janë dokumentet e Koncilit II Ekumenik të Vatikanit”(Hapja e Vitit të Fesë, 11 tetor 2012).
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›