E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të ndarë rreth zgjedhjeve

Serbet ende nuk kane nje qendrim unik rreth menyres sesi do te sillen gjate zgjedhjeve qe ata duan te organizojne edhe brenda territorit te shtetit fqinj te Kosoves

Serbët e Kosovës vazhdojnë të mbajnë qëndrime të ndryshme nëse duhet apo jo që të dalin në zgjedhjet lokale, të cilat pritet të organizohen nga Republika e Serbisë në Kosovë më 11 maj. Liderja e IO SNV-së, Rada Trajkoviç, haptazi ka thënë se nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje. “Në zgjedhjet parlamentare do të marr pjesë, pasi nuk mund të tërhiqem nga shtetësia ime, ndërsa në zgjedhjet lokale jo. Nuk do të votoj në zgjedhjet lokale, pasi nëpërmjet tyre e di se nuk zgjidhet problemi i popullit tim, i cili ka mbetur në këtë gjendje dhe i cili në këtë moment po paraqitet si pjesë e manipulimeve”, ka deklaruar ajo në një intervistë për gazetën “Dnevnik”. Ajo ka shtuar se, veçanërisht në veri të Mitrovicës, nëpër enklava, nuk do të ketë njerëz “që në tërësi do të votojnë në ato territore, pasi nuk ekzistojnë tërësitë territoriale të pranuara në kuadër të Kosovës dhe se nuk përfaqësojnë tërësinë për të cilën mundohen serbët”. Sipas saj, zgjedhjet lokale paraqesin problem jo vetëm për UNMIK-un, por edhe për OSBE-në, pasi siç ka thënë ajo, “janë në kundërshtim me Rezolutën 1244 të KS-së të OKB-së”. Këto zgjedhje paraqesin diçka që në të vërtetë nuk kanë argumente dhe bazë të përgatitur as nga qeveria e Beogradit. Në vitin 2003, kur është bërë regjistrimi i banorëve të Serbisë, kryetari i atëhershëm, Vojislav Koshtunica, ka thënë se ai po merret edhe me Kosovën, kështu që nuk është marrë parasysh numri i serbëve që jetojnë në Kosovë, pra në të vërtetë, nuk ka lista për zgjedhjet lokale. “Në anën tjetër, më duhet ta pyes qeverinë në Beograd se pse kanë vendosur që zgjedhjet të mbahen në 23 komuna dhe pse nuk është përfshirë Deçani, ku në këtë mënyrë njerëzit janë përjashtuar që të votojnë për të drejtën për t’u kthyer në këtë vend”, ka thënë Trajkoviç. Sipas saj, e gjithë kjo që paraqet është në funksion të propagandës, në mënyrë që të ketë përqindje më të madhe të votuesve, veçanërisht jashtë Kosovës, ku për fat të keq janë më shumë sesa ata që kanë mbetur në Kosovë. Mandej, Rada Trajkoviç ka shtuar se nuk është kundër mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, por që Beogradi është dashur të merret vesh me bashkësinë ndërkombëtare. Shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker, për herën të parë ka biseduar me Rada Trajkoviçin para dy ditësh dhe i ka bërë me dije, se “i ka thënë Beogradit që është plotësisht i gatshëm që, së bashku me qeverinë e Serbisë, të organizojnë zgjedhjet, por që paraprakisht të sillet lista e shtetasve”. Ndryshe nga liderja e IO SNV-së, udhëheqësit e partive politike të serbëve të Kosovës kanë përkrahur mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Kështu, Nebojsa Joviç nga Këshilli Kombëtar Serb, përkrah mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, ashtu sikurse edhe Oliver Ivanovic nga Lista Serbe për Kosovën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›