E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papa planifikon një vizitë në Tokën e Shenjtë

Papa Benedikti XVI tha të dielën se nga 8 deri më 15 maj do të vizitonte Tokën e Shenjtë, i dyti udhëtim zyrtar i një Pape në Izrael. Pasi bëri me dije datën e udhëtimit, kreu i Selisë së Shenjtë tha se kishte ndërmend të vizitonte vendet ku kishte qenë Jezusi dhe se "do të lutej për paqen dhe bashkimin në Lindjen e Mesme, ashtu si edhe të gjithë njerëzimit". Para turmës së njerëzve të grumbulluar në sheshin "Shën Pjetri" për meshën tradicionale të mesditës, Papa tha se shpresonte që gjatë këtij udhëtimi të mbështetej shpirtërisht nga të gjithë besimtarët. Ai shtoi se do bënte më parë një udhëtim në Afrikë gjatë gjysmës së dytë të muajit mars. Vatikani bëri me dije se gjatë turit në Lindjen e Mesme, Papa do të ndalojë në territoret izraelite dhe palestineze, në qytete si Amani, Jerusalemi, Betlehemi dhe Nazareti. Vizita tjetër papnore në shtetin hebre është bërë në vitin 2000, nga Papa Gjon Pali II.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›