E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbreti i kazinove të Las Vegasit rrezikon falimentimin

"Në Las Vegas koha kalon në mënyrë të këndshme. Ky është një lajm i mirë, por edhe i keq, pasi Presidentit Obama nuk i pëlqejnë vendet e dëfrimit: thotë se paratë e taksapaguesve nuk duhet të përfundojnë në vende si Las Vegasi". "Dua të bëj një sondazh për të përcaktuar se cili e meriton çmimin për qytetin më të mërzitshëm. Ndoshta mësojmë se është Çikago". Fjalë të thëna nga një prej njerëzve më të pasur të Amerikës, republikan i thekur, i cili i konsideroi qëndrimet e Obamës kundër las Vegasit si arsye për të nisur një sulm frontal ndaj Presidentit të ri.

I rrethuar ende nga një popullaritet shumë i madh, i trajtuar me respekt edhe nga politikanët e nga lobet kundërshtare, deri në këtë çast Presidentit të ri amerikan nuk i qenë drejtuar nga askush sulme kaq të ashpra. Aq më pak nga një sipërmarrës kaq i rëndësishëm sa Sheldon Adelson, mbreti i kazinove të Las Vegasit, njeriu që deri para një viti quhej Sheldon III: jo pasi i përkiste një dinastie, por sepse deri në vitin 2007 revista "Forbes" e kishte kurorëzuar të tretin ndër më të pasurit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me një pasuri personale që prekte 27 miliardë dollarët.

Por sot Adelson është një njeri i zemëruar dhe pre e dëshpërimit: brenda më pak se harku kohor prej 12 muajsh, biri i taksistit hebre - me origjinë lituaneze, që para 63 vjetësh (kur ishte 12-vjeçar) nisi të siguronte jetesën në Boston, duke shitur gazeta - pa se si i humbiste 95 për qind e pasurisë së stërmadhe. Sot rrezikon falimentimin e plotë. Me rritjen e çmimeve të karburantit e më pas me daljen në skenë të krizës financiare, amerikanët i kanë pakësuar ndjeshëm udhëtimet drejt Las Vegasit.

Dëm i dyfishtë për Adelsonin, i cili jo vetëm kishte ndërtuar komplekse gjigante si "Palazzo", apo "Venetian" - me 4 mijë suita e 19 restorante - por kishte ngritur në këmbë edhe biznesin e simpoziumeve të kompanive dhe atë të panaireve, si ai i elektronikës që zhvillohet çdo janar. Rrënimi i sistemit të kreditimit e ka shkatërruar në mënyrë të veçantë këtë biznes. Dhe ato banka të pakta, që sipas traditës vazhdonin t‘i shpërblenin magjistarët e tyre të bursës dhe funksionarët më produktivë me pushime në Las Vegas, kanë bërë hapa prapa në këtë kuadër pas qëndrimit të Presidentit të ri amerikan.

Adelson nuk e mendoi dy herë dhe u hodh në sulm i verbuar nga zemërimi. Tek e fundit, përveç të qenit sipërmarrës në vështirësi, është edhe republikan dhe nga ata me bindjet më radikale: tepër i impenjuar në synimin e vështirë për ta shtyrë më djathtas lobin "Aipac" të hebrenjve të Amerikës, i cili ka ndikim shumë të fortë në Shtëpinë e Bardhë. Sot Sheldon i është vërsulur Obamës me të njëjtën ashpërsi me të cilën sulmoi para një viti Olmertin, në çastin që ky kishte pranuar ligjërisht mundësinë e ekzistencës së një shteti palestinez. Me paraardhësin e Obamës, Xhorxh Bushin, Adelson kishte raporte aq të ngrohta, sa t‘i lejonte vetes edhe ndonjë teprim.

Por padroni i grupit "Sands" i konsideroi fjalët e Presidentit mbi Las Vegasin si një sulm frontal ndaj tij, përveç një goditjeje të rëndë ndaj biznesit të kazinove në përgjithësi, pasi në thelb Adelsoni e konsideron veten sipërmarrës që ka krijuar mijëra vende pune. Sigurisht lojërat e fatit nuk mund të konsiderohen modeli i shoqërisë së shëndetshme, por gjatë fushatës elektorale, Obama nuk kishte lënë përshtypjen se i urrente aq shumë.

Falë suksesit të jashtëzakonshëm në biznesin e kazinove, Adelson kishte arritur ta vinte emrin e vet përkrah atyre të Bill Geits e Uarren Bufet në listën e klasifikimit të miliarderëve amerikanë, të kthehej në një prej financuesve më të rëndësishëm të lobit hebre, madje edhe të luante rol të dorës së parë në mosmarrëveshjet për Lojërat Olimpike të Pekinit në vitin 2008: në fakt ishte pikërisht ai vetë sipërmarrësi që po ndërtonte një Las Vegas të ri në Makao, njeriu që i erdhi në ndihmë qeverisë kineze, duke bërë që Kongresi amerikan të mos ndërmerrte ofensivën, e cila nuk duhej të lejonte zhvillimin e lojërave në Kinë, duke qenë se ishte një vend me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Demokratët kishin paraqitur një rezolutë në këtë kuadër, por Adelson vuri në veprim mikun e ngushtë Tom Dilei, atëherë numri një i mazhorancës republikane: rezoluta demokrate për veton ndaj kinës përfundoi në koshin e mbeturinave. Por suksesi e madhështia u zbehën në harkun e pak muajve: tani Adelson kryeson një tjetër listë të revistës "Forbes": atë të miliarderëve që kanë humbur më shumë gjatë vitit 2008.

Brenda 12 muajve, plot 24 miliardë dollarë të pasurisë së tij u zhdukën. Në vend të dytë në këtë listë renditet Uarren Bufet, që ka humbur 16.5 miliardë dollarë. Aksionet e kompanisë "Sands" (grupi i tij mban sot emrin e kazinosë së parë që bleu, ku këndonte edhe Frenk Sinatra), që në vitin 2007 vlenin 244 dollarë secili, sot në Wall Street vlejnë më pak se 2 dollarë.

Në pragun e rrezikshëm të falimentimit të plotë, Adelson ndihet i braktisur, por edhe i përçmuar, ndërkohë që sektorët e tjerë të ekonomisë, të përgjunjur nga kriza, marrin ndihma nga qeveria. "E megjithatë - kundërsulmon - në Çikago, qyteti i Obamës, gjenden nëntë kazino. Aty simpoziumet mund të bëhen. Vetëm në rast se, mos e dhëntë Zoti, ndonjërit nuk i shkrep në mendje të shkojë të dëfrehet në ndonjë prej sallave të lojërave. Por e rëndësishmja është që dollarët publikë të mos arrijnë deri në Las Vegas. Ndërkohë që bixhozi është i ligjshëm në 30 shtete të SHBA-së".

Kështu, edhe pse rrezikon falimentimin dhe është detyruar të pezullojë ndërtimin e hoteleve të rinj në Las Vegas e në Kinë, Adelson kërkon të demonstrojë "impenjimin social", duke vazhduar punimet për ndërtimin e kazinosë së re "Sands e Betlehemit" në Pensilvani, tashmë i kthyer në një qytet fantazmë. Kazinoja e re do të hapet më 22 mars, në ambientet që dikur ishin uzinë çeliku.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›