E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britani, rishfaqen sulmet terroriste

Disa njerëz të dyshuar si disidentë të IRA-s hapën zjarr dje kundër disa ushtarëve britanikë dhe disa shpërndarësve picash, duke vrarë dy ushtarë dhe plagosur katër të tjerë. Autoritetet policore bënë me dije dje se vrasjet e së shtunës mbrëma në Irlandën e Veriut qenë me stil ekzekutimi dhe se viktimat ishin qëlluar përsëri, edhe pasi gjendeshin të shtrirë në tokë prej plagëve. Në një deklaratë të djeshme, Kryeministri Gordon Braun e cilësoi aktin si "mizor e burracak" dhe se i "gjithë vendi ishte i tronditur e tmerruar".

Ushtarët e djeshëm janë viktimat e para në Irlandën e Veriut që prej 12 vjetësh. Një burim policor tregoi se qenë qëlluar ndërsa në bazë po dërgoheshin disa pica. Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe dy ushtarë të tjerë, bashkë me dy shpërndarës picash. Një zëdhënës zyrtar e cilësoi sulmin "përpjekje për vrasje në masë", duke shtuar se dy vrasësit e armatosur me automatikë lëshuan nga një breshëri plumbash dhe më pas edhe nga një breshëri tjetër ndërsa viktimat gjendeshin përdhe, përpara se të zhdukeshin me një makinë të drejtuar nga një i tretë.

Emrat e viktimave nuk u bënë të ditura, por autoritetet britanike sqaruan se bëhej fjalë për djem të rinj rreth të njëzetave dhe se së shpejti do të dërgoheshin në Afganistan.

Superintendenti i policisë britanike, Derek Uialliamson, tha se hetimet "po përqendrohen te disidentët republikanë", duke iu referuar militantëve katolikë që nuk pranuan t‘i bashkoheshin Ushtrisë Republikane Irlandeze (IRA) në mbështetjen e procesit të paqes në Irlandën e Veriut. Sulmi ka kthyer në mendjet e njerëzve kujtimet e tri dekadave dhunë që në masë të madhe është zhdukur që prej Marrëveshjes së të Premtes së Mirë në vitin 1998.

Tomas Bërns, anëtar i Asamblesë së Irlandës së Veriut, paralajmëroi se sulmi mund "t‘i jepte një goditje të rëndë procesit të paqes", duke kthyer "ditët e këqija të dikurshme, kur njerëzit vriteshin me armë rrugëve. Askush nuk e do kthimin e atyre ditëve të tmerrshme të mbushura me vrasje".

Gjithsesi Braun tha se vrasjet e djeshme nuk do ta ndalonin procesin e paqes në Irlandën e Veriut. "Ju siguroj se do t‘i nxjerrim këta vrasës para drejtësisë", u shpreh ai. "Asnjë vrasës nuk do jetë në gjendje të devijojë atë proces paqeje që kërkohet nga pjesa dërrmuese e popullit të Irlandës së Veriut". Nga autoritetet shtetërore u mësua se deri tani, asnjë grup nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›